English

Pasqyra e Shtypit, 3 Shtator 2010

Tiranë, 3 Shtator, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Premte, 3 Shtator 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme raportin e publikuar dje në Parlamentin Evropian nga Tanja Fajon për vizat, duke pohuar se Shqipëria i ka plotësuar kushtet. Ato paraqesin edhe ngjarjen e ndodhur ne Tropojë, ku u sulmua me granatë miku i Fatmir Haklajt. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ai i ofertës së re që PD i paraqet PS-së në lidhje me negociatat për zgjidhjen e krizës politike në vend.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Zgjedhjet, arrihet pakti PS-PD”, i cili citon faktin sesi PS-PD kanë rënë dakord për komisionin hetimor, ndërsa çështja e fletëve të votimit i drejtohet Komisionit të Venecias.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Tropojë, atentat me granatë mikut të Fatmir Haklajt”, referuar ngjarjes së ndodhur dje në qytetin verior.

“Dekreti, zgjedhjet vendore në maj”, është një artikull që citon përpjekjet që po bëhen nga Presidenca për datën e re të zgjedhjeve lokale.

Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Negociatatat/ Patozi ofertë Ruçit për kutitë”, i cili tregon detaje nga oferta e re që PD i paraqet PS-së në lidhje me negociatat për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Prokuroria merr dosjen e Tartari-Leprit në bashki; kunati i Bregut padit PS-në”.

Ndërkaq, në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “Nga Fatos Lubonja/ Reportazh- O malet e Shqipërisë”.

Artikull tjetër i kësaj gazete në kuadrin e liberalizimit të vizave është edhe ai me titullin “KE: Shqipëria ka plotësuar kushtet për heqjen e vizave”.

“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Genc Ruli i jep hidrocentral burrit të Rajmonda Bulkut”, i cili tregon një akuzë të re për koncesionet, për një tjetër përfaqësuese të Partisë Demokratike, pas Vokshit dhe Bregut.

“Stema e Republikës ndryshon, Topi, Topalli dhe Basha e bëjnë blu”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje.

Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni atë me titull “Ylli Pango ridel në publik me kryeministrin, Berisha i shkel syrin”.

“Sulmohet me granatë shtëpia e mikut të Fatmir Haklajt” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë, referuar ngjarjes së djeshme në Tropojë.

Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “OSSH: Do rritet çmimi i energjisë”, i cili tregon sesi OSSH ka aplikuar tek Enti Rregullator i Energjisë për një rritje të re të energjisë elektrike, deri në nivelin prej 15 %.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Petrit Brahja i shpëton granatës, rizgjohen konfliktet në Kërnajë”.

Ndërsa tragjedia e djeshme në Pezë-Helmës mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Dy vëllezër kërkonin ujë në pus, vdesin që të dy”.

“PS: Bregu duhej të kishte dhënë dorëheqjen” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Parlamenti Evropian: Kriteret për vizat, u plotësuan”, i cili i referohet raportimit të bërë dje në Parlamentin Evropian nga Tanja Fajon për vizat, duke pohuar se Shqipëria i ka plotësuar kushtet.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Detajet/ Rifreskimi i targave do të bëhet pa asnjë pagesë”.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Jeta ime .../ Blendi Fevziu prezanton librin e vet”.

Ndërsa në rubrikën “replikat” do të lexoni “Koncesionet, nuk resht debati PS-PD”.

n.e/NOA

KOMENTE