English

Njëqindvjetor i lindjes së Nënë Terezës

Në shekullin e trazimeve të mëdha, në shekullin e luftërave të përgjakshme, të zhvillimeve marramendëse teknologjike, ajo u privua nga gjitha të mirat e kësaj bote dhe ato i kërkoi diku tjetër, atje ku mjerimi kishte ndërtuar perandorinë e tij shkatërruese, ku trishtimi s’kishte kufij dhe ku dhembja njerëzore ishte e pafund. Kështu, ajo u bë ikona e shekullit XX, e këtij shekulli të trazimeve dhe kontrasteve të mëdha

Nga Ndue Ukaj

Në piedestalin e personaliteteve më të mëdha të njerëzimit, Nëna Terezë zë vendin më meritor. Ajo ishte dhe mbetet e pakrahasueshme. Në të vërtetë, Nëna Terezë nuk bëri shpikje shkencore si Albert Ejnstein, nuk i ndërroi kahet e botës si Bill Gejtsi, nuk ishte e famshme për role filmike e vepra shkencore, madje s’u shqua as për fuqi politike dhe forma tjera veprimtarive të zakonshme. Mirëpo, Ajo ishte e madhe për diçka tjetër, të pazakonshme, duke u bërë e admirueshme dhe e dashur për miliona e miliona njerëz, për vlera që qëndron mbi të gjitha, për dashuri ndaj Zotit dhe Njeriut, dy postulatet e jetës dhe veprës së saj. Ajo, i dha botës pikërisht atë që i mungonin, besimin dhe dashurinë, forcën dhe guximin.

Në shekullin e trazimeve të mëdha, në shekullin e luftërave të përgjakshme, të zhvillimeve marramendëse teknologjike, ajo u privua nga gjitha të mirat e kësaj bote dhe ato i kërkoi diku tjetër, atje ku mjerimi kishte ndërtuar perandorinë e tij shkatërruese, ku trishtimi s’kishte kufij dhe ku dhembja njerëzore ishte e pafund. Kështu, ajo u bë ikona e shekullit XX, e këtij shekulli të trazimeve dhe kontrasteve të mëdha.

Nëna Terezë, një grua shtatvogël, por me një zemër të madhe, arrit të fitoj një epitet universal, mu quajt nga e gjithë bota, me emrin më të dashtun dhe më të përkdhelshëm, Nanë. Ishte ky një rast unik, krejtësisht i veçantë në historizmin e njerëzimit. Ajo, arriti të bënte atë që s’mundi e s’mund ta bën asnjë superfuqi politike, ushtarake, ekonomike, kulturore- vetëm me një forcë, forcën e dashurisë, përmes filozofisë së saj, që është thelbësisht filozofi e dashurisë dhe kulturë e dashurisë. Model për këtë ka Jezu Krishtin dhe fjalën e Ungjillit. Në këtë mënyrë, ajo arrit të ndërtoj një qytetërim superior, të bazuar te vlerat shpirtërore, te besimi i palëkundur në Zotin dhe në përkushtimin e pakursyer për njeriun, pa kurrfarë dallimesh. Ajo, duke qenë “lapsi në dorën të Zotit”, shkroi testamentin e njerëzimit, se dashuria është arma më e fuqishme, që tjetërson çdo fuqi të së keqes, që zbut dhimbjet, trazon diktaturat, ushqen të uriturit, shëron të sëmurit dhe botës i jep më shumë shpresë, më shumë qetësi, më shumë gëzim dhe më shumë jetë. Filozofia e jetës dhe veprimtarisë së Nënës Terezë, tjetërsoi pikëpamjet e konsoliduara nëpër dijet e ndryshme humane, tronditi stërhollimet filozofike dhe përsiatjet e panumërta që bëhen nëpër universitete, akademi, institute dhe krijoj një rend të ri, një filozofi të bazuar në vlerat dhe virtytet e besimit, të dashurisë, të solidaritetit dhe përkushtimit për njeriun e varfër, për njeriun e sëmurë, për njeriun nëpërkëmbur, për njeriun e shtypur, për njeriun e përbuzur- me një fjalë, për njeriun që shihet si tepricë e botës. Sot, mund të themi me plotë gojën se Nënë Tereza ka mbushur boshllëqet e botës, ato vrima të zeza, duke ju dhënë shpjegimin e munguar dhe domethënës. Ajo, tjetërsoi filozofinë e jetës dhe ndërtoi një qytetërimin e dashurisë-qytetërim dhe filozofi kjo që e mban madhërishëm emrin e Nënës tonë Terezë.

Kudo nëpër botën shqiptare dhe rrafshet e përbotshëm, shtrohen pyetje, se çfarë e bëri këtë personalitet kaq madhështor, kaq të përjetshëm, kaq të dashur, kaq të patejkalueshëm, kaq të admiruar? Bëhen shpjegime filozofike, teologjike, psikologjike, sociologjike, letrare, mirëpo, Ajo, prapëseprapë mbetet mister, mbetet mister, ashtu siç mbetet mister i përhershëm për njerëzimin dashuria, kjo shtytëse e njeriut. Pra, ajo bëri gjëra të vogla, por me dashuri të mëdha. Pikërisht këto gjëra që shkreptinin si rrufe dhe u përhapën kudo nëpër botë. Ndërkaq, këto vepra të mëdha, ajo i përjetëson edhe me mendime të bukura, të fuqishme, sugjestionuese dhe shumë domethënëse për çdo kohë dhe rrethanë, sikur ky: “Mos më thuaj se në botë ka luftë. Mos më thuaj se njerëzit veniten nga uria. Mos më thuaj se njerëzit vriten nga urrejtja. Mos më thuaj se njerëzit gërgasin dhe përndjekin njëri-tjetrin, por vetëm më thuaj: Ç’bën ti?“

Njëqindvjetori i lindjes së saj dhe reflektimi në jetën shqiptare

Këto ditë, kur po shënohet, me aktivitete të bujshme, njëqindvjetori i lindjes së Nënës Terezë, kombi shqiptar, si asnjëherë më parë, ndjehet i lartësuar, i lehtësuar, i gjallëruar, i plotësuar dhe i frymëzuar. Manifestimet e shumta, kudo ku ka shqiptarë, përurimet e librave të shumtë, konferencat e ndryshme, shtatoret, dokumentarët, bashkë me lavdet e përjetshme dhe meritore që ja jep bota anë e kënd, e bëjnë këtë përvjetor të madhërishëm, një nyje shumë domethënëse që ndërlidh kohët dhe historitë, për t’i dhënë trajtë të re botës shqiptare, ashtu sikurse Nëna jonë Terezë, i dha domethënie tjetër botës. Gjitha këto aktivitete të bujshme, janë një shenjë e fuqishme, e këndelljes së kombit tonë, për të ecur gjurmëve të Nënës Terezë, kësaj Nënë të njerëzimit, e cila, na ka ngritur si komb, në piedestalin e popujve më të çmuar.

Nëna Terezë ishte një bijë shqiptare, e lindur dhe e frymëzuar brenda një traditë shqiptare, në një familje bujare, të ushqyer dhe prirur nga idealet sublime, kombëtare dhe fetare. Në familje, ajo u mbush me dashuri, të cilën e shpërndahu në çdo cep të botës. Një shpjegim shumë domethënës dhe sintetizues, për këtë figurë gjigante, e jep njeriu që i qëndroj afër, biografi më i madh, Dr Don Lush Gjergji: “Vetëm në prizmin e historisë sonë kombëtare dhe fetare mund ta zbërthejmë, kuptojmë dhe shpjegojmë fenomenin e mirësisë dhe dashurisë-Nënës tonë Terezë. Po, atë e lindi dhe e rriti lashtësia jonë iliro-shqiptare, e nxori në dritë martirizimi ynë shumëshekullor, e edukoi dhe e frymëzoi krishterimi ynë 2000 vjeçar, e lartësoi përvujtëria, e bëri të madhe dhe të pavdekshme dashuria”.

Në të vërtetë, Nëna Tereza jo vetëm që ishte “vigani i shekullit tonë”, siç tha Bill Clinton, por, mbi të gjitha, ajo ishte vigani i njerëzimit. Veprimtaria e saj e ka vulën në Jezu Krishtin dhe Njeriun. Në një intervistë për magazinën e madhe Time, ajo u pyet: Cila është frika juaj më e madhe? Ajo u përgjigj: Unë i besoj Krishtit dhe nuk kam frikë. Ndërsa një pyetje tjetër ishte, Cilat janë planet tuaja për të ardhmen? Dhe përgjigj e saj ishte: Unë kam vetëm një plan në ditë. E djeshmja ka kaluar, e nesërmja akoma nuk ka ardhur. Kemi vetëm të sotmen për ta nderuar Krishtin. Objekt i jetës së saj ishte njeriu, ai i përbuzuri, i lëni, i varfëri, i sëmuri, ndërsa inspirim dhe motivim për të realizuar këtë mision, ishte Jezu Krishti.

Veprimtaria e saj, e formësuar në bipolaritetin, toka e qielli, Krishti dhe Njeriu, flaku gjitha dallimet ekzistuese tokësor. Prandaj, ajo admirohet më shumë së kushdo tjetër. Si shembull për këtë, po përmendin vetëm faktin se me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Nelson Mandelës, gazeta britanik "Daily Telegraph" realizoi një sondazh me 90 personalitete botërore, për të gjetur kështu personalitetin më influencues dhe më inspirues. Dhe këtu triumfon Nënë Tereza. Ishin 90 personalitet që mbesin prapa madhështisë së personalitetit të saj, në mesin e të cilëve: Mahatma Gandhi, Martin Luther King, Sir Winston Churchill, Albert Einstein, etj. Është kjo një listë me personalitet që ngërthejnë vlera të jashtëzakonshme për njerëzimin mbarë. "Nëna Terezë ishte një murgeshë romano-katolike, e cila është e lindur në Shqipëri dhe ua dedikoi jetën të varfërve në Indi"-shkruan gazeta në fjalë me ketë rast

Nëna Terezë, emri dhe vepra e saj janë përjetësuar në gjitha segmentet e jetës shqiptare. Nëpër pulla postare, sheshe, në kryeqendrat tona, aeroport, spitale, rrugë kudo ka shqiptar, janë sinjifikativi i fuqishëm, i faktit se ajo tanimë është bërë pjesë e pandashme e identitetit shqiptar, duke influencuar në gjitha segmentet me rëndësi formësimin e identitetit modern shqiptar. Për më tepër, ajo përveç tjerash, është bërë objekt i shumë veprave të artit, në letërsi, pikturë, muzikë, skulpturë, etj.

?Në këtë kontekst, po vëmë në spikamë një mendim shumë kuptimplotë të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, lidhur me Nënë Terezën dhe rrafshin e saj kulturor: “Nënë Tereza dhe Gjergj Kastrioti, dy personazhet më të mëdhenj të kombit tonë dhe ndër dy më të mëdhenjtë e Evropës e të njerëzimit mbarë, sado të largët të jenë në kohë e sado të ndryshëm në trajtë, për ne, shqiptarët, kanë një gjë sublime që i bashkon… Gjergj Kastrioti, simboli i vullnetit tonë për liri dhe për qytetërim europian, libri i Gjon Buzukut, mishërimi i etjes së shqiptarëve për kulturë dhe dritë, dhe Nënë Tereza, mesazhi ynë i madh i harmonisë, përdëllimit dhe dashurisë për popujt dhe njerëzimin mbarë, janë vlerat tona morale që do të na shoqërojnë përherë në rrugëtimin tonë të madh”.

Nëna Terezë dhe Katedralja e Prishtinës

Milan Kundera, njeri nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë sot, shkruan: "Kujtesa duhet vazhdimisht te ushtrohet qe te mund te funksionoj siç duhet". Këto manifestime të mëdha që bëhen, përkujtimet e shumta, janë një formë e rigjallërimit të saj brenda kombit tonë, e jetësimit të veprës së saj në ne.

Ka tanimë tre dekada qysh kur Nënë Tereza ka filluar të thadrohet në mendjet dhe zemrat shqiptare, për t’u bërë një model i shkëlqyer, një udhërrëfyese, sidomos në ditë të vështira. Ajo u mishërua në popullin e saj. U bë shembull udhërrëfyes. Ajo, ishte dhe mbetet një nënë tipike, që ngroh me përqafimet e zjarrta gjithë njerëzit vullnetmirë, u dha, dhe u jep fuqi të nëpërkëmburve, jep forcë të shtypurve, frymëzime të jashtëzakonshme krijuesve. Ajo është Njëshi i pazëvendësueshëm, me i veçanti në rruzullin tokësor, një univers i pafundmë i dashurisë për Krishtin dhe Njeriun. Prandaj, reflektimi i saj në kulturën dhe identitetin shqiptar, është i madh. Dhe ky reflektim, i ngjizur fuqishëm dhe me përkushtim nga Dr. Don Lush Gjergji, Ibrahim Rugova, e shumë e shumë të tjerë, po kurorëzohet në këtë njëqindvjetor, me ndërtimin e Katedrales katolike në qendër të Prishtinës. Kjo është përjetësia më e madhe, mishërimi më i fuqishëm më tokën e saj, me gjakun e saj. Ndërsa për në shqiptarët është shenjë e mëkëmbjes, e gjallërimit, pas shumë e shumë shekujve zie. Në Prishtinën e lirë, për të cilën Nëna Terezë ndërmjetësoi nga Vatikani deri te Uashingtoni, është ndërtuar Katedralja madhështore që e përjetëson emrin dhe veprimtarinë e Nënës Terezë.

Uria për dashuri

Testamenti i Nënës Terezë, i shkruar me vepër, çdo ditë të jetës së saj, i jetuar në çdo shkund dhe i shpërndarë kudo në botë me dashuri, çdo ditë e më shumë po përfiton botën. Ajo, ishte dashuria në vepër, siç thotë Dr. Don Lush Gjergji, e cila, veç punës gjigante, la edhe mendime të bukura e shumë domethënëse për njeriun. Ajo përveç punës së pamundshme, për çdo mendje njerëzore, la vargje e lutje të fuqishme, që ushqejnë shpirtrat me mirësi, dashuri, shpresë dhe jetë. Himni i saj për jetën, është një nga tekstet filozofike dhe etike më të fuqishme, në të cilin, ajo me pedanteri dhe mendje të hollë, specifikon kontrastet e botës, prandaj i këndon aq bukur:"Jeta është dashuri, pranoje/ Jeta është bukuri, admiroje/ Jeta është lumturi, shijoje/ Jeta është ëndërr, zbatoje/ Jeta është sfidë, ballafaqoje/ Jeta është detyrë,kryeje/ Jeta është lojë, luaje/ Jeta është e çmueshme, nderoje/ Jeta ështëpasuri, ruaje/ Jeta është dashuri, përjetoje/ Jeta është fshehtësi, zbuloje/ Jeta është premtim, plotësoje/ Jeta është pikëllim, tejkaloje/ Jeta është himn,këndoje/ Jeta është tragjedi, zbute/ Jeta është aventurë, zbërtheje/ Jeta është kënaqësi, meritoje/ Jeta është jetë, mbroje" (Nëna Terezë, Jeta). Në këto vargje shumë domethënëse, shkreptinë me tërë fuqinë e dashurisë, besimi i madh i Nënë Terezës. Ky është një nder tekstet me te mrekullueshme, qe të mahnit me fuqinë e tij dhe të përvetëson me filozofinë e tij. Vetëm një shpirt i madh dhe i inspiruar për vepra te mëdha, mundet të shkruaj këso vargje, qe mbesin thesare për njerëzimin.

Përfundim

Nëna Terezë ishte e vetëdijshme se autonomia e njeriut sendërtohet në jetë dhe në veprat e tij (Tvetan Todorov). Po këtë filozofi jete e vepre, ajo e harmonizoj, me një etikë thellësisht humane dhe kristiane, gjatë jetës së saj, duke lënë pas vete një vepër të madhe, të bujshme, me vepra dhe vlera dhe të admirueshme për breza, përjetësisht. Andaj, çdo hap të jetë së saj e mbushi me pune dhe vepra të madhërishme dashurie. Dhe këtë autonomi, Nëna Terezë e sendërtoj mrekullueshëm në jetën e saj dhe veprimtarinë e saj të shumanshme, të cilën ja la si trashëgimi botës dhe kombit shqiptar, të cilit i përkiti.

Nëna Terezë, duke qenë me gjak dhe traditë shqiptare, duke mbart në vete shumësi virtytesh shqiptare, bëhet një shembull i përkryer për kombin tonë, një model se si duhet të ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe më të dinjitetshme. Në këtë qëllim, ky përvjetor, këto aktivitete të bujshme dhe mbi të gjitha përurimi i Katedrales, Nëna Terezë, janë shenja të jetësimit të saj në jetën, kulturën dhe mentalitetin tonë. Po e përfundoj me një thënie të Ibrahim Rugovës, me rastin e kalimit të saj në amshim, kur shkroi: “Populli i Kosovës dhe i gjithë populli shqiptar, sot është krenar para botës me Nënën Terezë, me Nënën e vet. Nëna Terezë është engjëll i rojës për Kosovën dhe për popullin shqiptar.

(*)Dërguar nga autori

KOMENTE