English

Rreziku nga kolegjet fitimprurëse: Borxhe mbytëse, diploma të dyshimta

Tek po ndiqte televizorin natën vonë, Dane Lockman-it i ra në sy një spot që reklamonte Westwood College. Njëzetentëvjeçari, baba, i divorcuar, gjithnjë e më i interesuar në web design, vendosi të ishte i pari në familjen e tij të sapo-ngritur që do të ndiqte universitetin.

Në tetor 2006 e gjen veten të regjistruar në atë institucion privat për diplomë bachelor në dizenjim grafik. Për të paguar shkollën, mori 40,000 dollarë kredi, shtetërore e private.

Lokmëni thotë se në Westwood merrte vetëm nota shumë të mira, por, nga fundi i vitit 2007, për ta çuar më tej arsimimin e tij, kërkoi të trasferohej në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias, një shkollë publike me akreditim rajonal, e njohur si “standarti i artë’ i arsimit në rang instituti. Ngaqë Uestudi ka akreditim kombëtar, Universiteti Shtetëror i Xhorxhias nuk pranoi t’ia njihte kreditet Lokmënit. Lokmëni thotë që përfaqësuesit e regjistrimeve në Uestud nuk e paralajmëruan ndonjëherë për këtë ndryshim.

– I hyra qorrazi asaj pune – thotë Lokmën. – U përpoqa ta bëja gjithçka vetë.

Sot ai gjendet pa diplomë, pa ndonjë punë të përhershme dhe pa mundësi për të shlyer kreditë. Thotë se kursimet i janë mbaruar. Ka një status negativ kreditimi për shkak të huasë së shkollimit dhe nuk i jepen karta krediti. Ato huá shkollimi kanë për ta ndjekur gjithë kohën si hije, edhe sikur të deklarojë faliment.

Dhe Lokmëni nuk është i vetmi. Të paktën 750 ish-studentë e punonjës të Uestudit kanë paraqitur ankesa se shkolla ka përdorur praktika mashtruese rekrutimi, duke i lënë disa nga studentët me një sasi borxhi të papërballueshëm, sipas një çështje gjyqësore në grup, hapur në Gjykatën Amerikane Rajonale të Deverit, Kolorado, në gusht të këtij viti.

Disa studentë, ashtu si Lokmëni, kanë bërë po ashtu ankesë se shkolla nuk u siguroi informacion të saktë mbi mundësitë e punësimit në të ardhmen dhe nëse diplomat e tyre do të njiheshin nga shkollat e tjera apo punëdhënësit.

– Ky është një problem masiv që ka për t’i ndryshuar faqen arsimit po qe se nuk korrigjohet, – thotë Xhilliën Ists, avokate e një firme avokatie në Florida, firmë që nisi çështjen në ngarkim të Uestudit. – Kjo nuk ka të bëjë vetëm me studentët; është një problem që na përket të gjithëve. Paratë e taksapaguesve po financojnë praktikat mashtruese që përdorin këto shkolla. Ky duhet bërë shqetësimi i gjithkujt.

Kolegji i Uestudit, nën pronësinë e Alta Colleges Inc., është njëri prej 3,000 kolegjeve fitimprurëse në vend. Kolegji hedh poshtë pretendimet në padinë e ngritur dhe ka ngritur nga ana e vet padi për dëmtim reputacioni kundër firmës së avokatisë.

Industria miliarda-dollarëshe e kolegjeve fitimprurëse (universitetet private, në kontekstin shqiptar – Përkth.) është bërë këtë verë objekt shqyrtimi nga Senati i SHBA. Disa zyrtarë shtetërorë thonë se legjislacioni rregullues i kësaj industrie nuk është i puqur mirë. Në seancat dëgjimore të Senatit në gusht dolën në pah të dhëna qeveritare se 15 shkolla fitimprurëse në vend, përfshi Uestudin, inkurajonin praktika mashtruese ndër studentët. Për shembull, disa shkolla u provuan se sugjeronin që studentët fshehin kursimet e tyre për të siguruar sasi më të madhe ndihmë financiare federale.

Të tjera shkolla fitimprurëse anembanë vendit po përballen me beteja ligjore.

Një firmë juridike në Çikago ngriti qershorin e kaluar një padi në favor të studentëve të Shkollës Mjekësore të Illinoisit me pretencën se shkolla ka përdorur praktika mashtruese fitimi. Studentët thonë se shkolla nuk i informoi që programi i infermierisë i asaj shkolle nuk ishte aprovuar nga Departamenti i Shëndetit Publik i Illinoisit. CNN-i e telefonoi disa herë shkollën, por nuk mori ndonjë përgjigje. Shkolla po përpiqet ta bëjë gjykatën ta rrëzojë çështjen.

– Ne mendojmë se janë novatorë dhe se kanë bërë disa gjëra të mira, – na tha Xhejms Kval, zëvendës-sekretar i dytë në Departamentin e Arsimit – por studentët në disa nga këto programe janë të barrosur me borxhe. Po dëgjojmë gjithashtu se studentët nuk po gjejnë dot punë në fushat që janë përgatitur.

Sektori fitimprurës lulëzon

Numri i shkollave fitimprurëse, të cilat mbahen kryesisht me studentë punëtorë dhe student me moshë më të madhe se ajo e kolegjit, është rritur në mënyrë marramendëse. Sipas Institutit për Akses e Sukses në Kolegj, që është i angazhuar me studimin e rritjes së frekuentimit në arsimin e lartë, në 2007-2008 kishte 2.6 milion studentë të regjistruar në shkollat fitimprurëse, gati një milion më shumë krahasuar me 1.7 milion në 1997-1998-ën.

Kjo ngaqë institucionet fitimprurëse bëjnë pikërisht atë që emri i tyre lë të kuptohet: ato janë kompani private që kanë për qëllim të bëjnë pará. Disa kolegje fitimprurëse kanë kampuse fizikë, disa i zhvillojnë orët online dhe, të tjera i kanë të dyja. – Shkollat fitimprurëse kanë tendencën të ofrojnë përgatitje për shërbime specifike të një tendence a industrie të caktuar, – shpjegoi Terri Hërtël, Zv. President i Këshillit Amerikan për Arsimin, një shoqatë biznesi që përfaqëson kolegjet.

Këto shkolla thonë se plotësojnë një boshllëk për studentët që mund të mos kenë akses në universitetet tradicionale apo në kolegjet komunitare të tejmbushura. Disa thonë se ato u ofrojnë studentëve të punësuar avantazhe të shumta, përfshi afate më të shkurtra diplomimi në disa raste si dhe orë mësimi më fleksible, online apo natën.

Për disa studentë, akreditimi i shkollës është shqetësim kryesor.

Shumë shkolla fitimprurëse janë të akredituara në shkallë kombëtare, gjë që e bën të pamundur transferimin e krediteve për në universitete të akredituara në shkallë rajonale, thonë ekspertë të arsimit. Institucionet private, si Universiteti i Harvardit dhe Smith College, si edhe shkollat publike si Universiteti i Miçiganit apo kolegjet komunitare, kanë zakonisht akreditim rajonal.

Specialistët thonë se shkollat me akreditim rajonal gëzojnë njohje më të gjerë prej shkollave të tjera dhe punëdhënësve.

Kolegji Uestud ka akreditim kombëtar dhe zyrtarët e kësaj kompanie thonë se shkolla e bën këtë gjë të qartë gjatë procesit të rekrutimit, por disa studentë ankohen se atyre nuk ua bënë të ditur këtë ndryshim kur u regjistruan.

Një zëdhënës i kompanisë tha se Uestudi është transparent në gjithçka që bën me studentët e vet. Ata bëjnë të pamundurën për të siguruar transparencën.

Diplomë por jo vend pune

Kritikët e institucioneve fitimprurëse akuzojnë se këto shkolla zbatojnë praktika regjistrimi mashtruese, duke përfshirë mungesën e paralajmërimit për borxhin studentor, praktikë kjo e ngjashme me ato praktika që çuan në krizën e rëndë të paradokohëve të kredive për shtëpi.

Disa prej këtyre kritikëve, si Sen. Tom Harkin, nga D-Iowa, janë të shqetësuar se shkollat fitimprurëse duket se nuk u sigurojnë studentëve informacionin e duhur mbi rrezikun e marrjes së kredive që nuk do mund t’i paguajnë.

Përgjithësisht studentët që ndjekin kolegje fitimprurëse janë më të prirur të marrin huá federale, dhe ata marrin shuma më të mëdha.

Sipas Institutit për Akses e Sukses në Kolegj, gjatë vitit shkollor 2007-08, 92 përqind e studentëve universitarë që ndoqën kolegje fitimprurëse tërhoqën huá studimi, krahasuar me 60 për qind të atyre që ndoqën kolegje jo-fitimprurëse dhe 27 përqind të studentëve që ndoqën kolegje publike.

Një ish-përfaqësues i pranimeve në Uestud, Xhoshua Prajn, që dëshmoi në seancat dëgjimore të Senatit në gusht, pranoi se, gjatë intervistave të pranimit, ai dhe përfaqësues të tjerë ushtronin presion mbi studentët për t’u regjistruar, duke manipuluar me “shpresat, frikërat e pasiguritë’ e tyre.

Zyrtarët e Uestudit e quajnë rastin e pretendimit të Z. Prajn një “incident të shkëputur”. Pas seancave dëgjimore, Kolegji i Uestudit deklaroi se kishte në plan të shtonte programe verifikimi nga palë të treta, për t’u siguruar se punonjësit e tyre shpjegojnë saktë rezultatet e regjistrimit në programet e tyre si nga pikëpamja e kostos edhe nga pikëpamja e përfitimeve profesionale.

Kryeadministratori i Kolegjit të Uestudit, Xhorxh Bërnet, tha në një deklaratë në faqen e Internetit të shkollës: “Nuk mjafton që ne të zbulojmë se si ndodhi kjo avarí në sistemin tonë. Është detyrimi ynë të sigurohemi që një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur më.”

Avokatja Ists, që ngriti këtë muaj në Kolorado çështjen gjyqësore kundër Uestudit, tha se shqetësimi i saj lidhej edhe me çfarë ndodh me studentët që marrin një diplomë në Uestud.

Ajo bëri të ditur se firma e saj ka intervistuar qindra studentë që nuk kishin qenë në gjendje të gjenin një vend pune në profesionin për të cilin kishin studiuar pasi diploma e Uestudit nuk njihej nga punëdhënësit. Edhe Z. Kval, zëvendës-sekretari i dytë i Departamentit të Arsimit, përmendi shqetësime të ngjashme mbi mundësitë e punësimit për studentët e këtyre shkollave fitimprurëse.

Në krye të paditësve është Kristël Bërnal nga Denver, Kolorado, e cila u diplomua me diplomë nderi në Kolegjin e Uestudit në vitin 2008 për tregun e modës. Ajo thotë se pagoi 75 000 USD për këtë diplomë, por shton se kjo nuk e ndihmoi të gjente punë në këtë profesion.

Padia pretendon se Uestudi i bëri premtime të rreme Znj. Bërnal dhe studentëve të tjerë, me qëllim përfitimin e ndihmave të tyre private e federale.

Pala mbrojtëse ndjek një formulë të thjeshtë: – thonë paditësit. – Rekruto ata që kanë më shumë nevojë financiare dhe regjistroi në institucione me kosto të lartë në mënyrë që pala mbrojtëse të maksimalizojë shumën e fondeve të marra.

Uestudi i hedh poshtë pretendimet e akuzës.

Zyrtarët në kolegj thonë se ata ua shpjegojnë studentëve gjatë regjistrimit si rreziqet financiare edhe ndryshimet e akreditimit.

“Uestudi është bota!”

Disa nga studentët e Uestudit thonë se shkolla ishte e përballueshme financiarisht dhe se i ndihmoi në profesionin e tyre. Një faqe interneti e quajtur Uestudi Është Bota, që thotë se nuk është e lidhur me Uestudin, tregon historitë e diplomantëve që patën përfitime nga diploma e tyre.

“Na ndihmuan ta plotësonim boshllëkun,” shkruante 34-vjeçari Stiv Uidmën, që u diplomua më 2004 me një bachelor në manaxhim biznesi elektronik. Ai thotë se punën e parë e kapi menjëherë sa mbaroi në Uestud, në fushën online që merret me programet kërkuese. Diploma – thotë ai – e ndihmoi të fitonte 60 000 dollarë në vit. Shton gjithashtu se nuk është paguar për të përhapur lëvdata për shkollën.

Në website, Uidmëni shkruan: “Personalisht kisha mamanë që kujdesej për punët e mija me shkrim pasi më pat premtuar mbështetjen e saj sa herë të kisha nevojë për ndihmë.”

Përsëri në Atlanta, Dejn Lokmën, tashmë 33 vjeç, do donte të kishte patur dikë që ta kish ndihmuar me procesin e ngatërruar të kolegjit.

Ai thotë se s’ia del dot të paguaj faturat e kredisë së tij të studimit që vazhdojnë t’i stivosen në apartamentin e tij. Po punon si fotograf në profesion të lirë për të mbajtur të birin. Pagat që merr, të cilat luhaten në vartësi të tekave të ekonomisë, zor se mund t’i mbajnë të dy.

– Si është e mundur që pagova gjithë atë farë paraje, e ngela në këtë gjendje? – pyet Lokmëni.

Sigurisht që ai mund të kthehet në Uestud, ku e ka lënë përgjysmë diplomën e tij bachelor. Por ai thotë se ka dëgjuar histori tmerri për shokë klase që kanë mbaruar dhe s’kanë mundur të gjejnë punë.

Lokmëni thotë se ai nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.

Ai e quan përvojën në Uestud një mësim të vyer.

(*) Atlanta, Georgia (CNN) - Përkthyer nga stafi i Departamentit të Gjuhëve të Huaja ne Universitetin e Vlorës, dërguar nga rektori i UV “Ismail Qemali”, Tanush Shaska

KOMENTE