English

LSI: Ecuria e procesit integrues, jo peng politikës së ditës

Tiranë, 7 shtator, NOA – Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto përshëndeti vendimi i djeshëm të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian për heqjen e vizave me Shqipërinë, si hapi i rëndësishëm i radhës për realizimin e aspiratës shumëvjeçare të shqiptarëve për të lëvizur si qytetarë të lirë në komunitetin evropian.

Sipas zotit Haxhinasto, ecuria e pandërprerë e procesit integrues të Shqipërisë reflekton vlerësimin pozitiv të Parlamentit Evropian dhe institucioneve të larta të Evropës për reformat e qeverisë shqiptare.

“Këto zhvillime janë shprehje e qartë se proceset integruese me rëndësi kombëtare nuk mund të jenë peng i politikës së ditës dhe as të keqpërdoren prej saj për përfitime politike afatshkurtra të liderëve, siç është keqpërdorur fatkeqësisht edhe vetë procesi i liberalizimit të vizave”, theksoi zëvendëskryetari i LSI-së në një konferencë për mediat.

Haxhinasto mbrojti idenë se ky vendim për diskutimin në PE dhe ai që pritet të merret pak ditë më pas në PE për heqjen e vizave janë mbi të gjitha një nxitje dhe detyrim për reflektim me përgjegjësi maksimale nga forcat politike parlamentare, ku padyshim përgjegjësi i kërkohet opozitës, sipas Haxhinastos me synimin që e tërë axhenda pro integrimit të Shqipërisë të realizohet, dhe një pikë kyçe është edhe garantimi i standardeve evropiane dhe bashkëpunimit për zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilat do të zhvillohen në 8 maj.

“Vonesat në angazhimin e opozitës për reformën zgjedhore do të dëshmojnë se

transparenca dhe standardet zgjedhore nuk kanë qenë qëllim dhe objektiv

madhor politik, por mjet i luftës politike të ditës”, vërejti sakaq zoti Haxhinasto.

Zëvendëskryetari i LSI-së, konfirmoi gatishmërinë e kësaj force politike qeverisëse për të paraqitur para komisionit të reformës zgjedhore, posa ai të ngrihet, kontributin e saj për të mbërritur më në fund barazinë e votës dhe konkurrimin sipas standardeve evropiane në zgjedhjet vendore, një proces që kërkon gjithpërfshirje politike.

mit/NOA
KOMENTE