English

Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” rikonstrukton kopshtin e Lushnjës

Lushnjë, 8 shtator, NOA - Plot 180 fëmijë u janë gëzuar sot mjediseve të reja në kopshtin nr.2 të Lushnjës, i cili është rikonstruktuar tërësisht falë fondacionit “Fëmijët shqiptarë”.

Muret me lagështirë dhe kushtet e papërshtatshme, tashmë u kanë lënë vendin mjediseve të ngrohta dhe lojërave të shumëllojshme në kopshtin më të madh të qytetit të Lushnjës, i cili u inagurua sot nga presidentja e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Liri Berisha.

“Sa herë kemi ndaluar në Lushnjë, kemi ndihmuar fëmijë të sëmurë, fëmijë me probleme dhe vështirësi ekonomike. Por sot jam shumë e lumtur që po kontriubuojmë edhe për fëmijë të shëndetshëm”, u shpreh zonja Berisha gjatë bashkëbisedimit me prindërit dhe stafin e këtij kopshti.

Me një fond prej 3.2 milionë lekësh të reja, kopshti më i vjetër i qytetit, i ndërtuar në vitin 1958, i cili ishte në një gjendje tërësisht të amortizuar, sot pret fëmijët në kushte optimale.

Ngjyrat e shumëllojshme gjallërojnë tashmë çdo mjedis të kopshtit, i cili ka një pamje tjetër falë iniciativës së Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, mbështetur nga biznesi i qytetit të Lushnjës.

“Jam jo vetëm e gëzuar, por edhe shumë krenare që kemi në krah biznesin vendas falë, të cilit po realizojmë gjëra të mrekullueshme në të gjithë vendin. Shqiptarët dinë të mbështesin njerëzit në nevojë dhe biznesi po e tregon këtë fakt ditë pas dite”, tha presidentja e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”.

Ndërkaq, në inagurimin e kopshtit nr.2, merrte pjesë edhe aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa e cila u shpreh se e sheh me gëzim të madh kontributin e çmuar të zonjës Berisha, e cila është pranë fëmijëve në nevojë jo vetëm në Lushnjë, por në të gjithë Shqipërinë”.

“Sot kthehemi në Tiranë me 180 miq të rinj, 180 fëmijë të shëndetshëm të cilët do t’i japin më shumë dashuri qytetit të tyre”, u shpreh zonja Liri Berisha.

Kopshti i rikonstruktuar u “pagëzua” me emrin “Luleborë” nga presidentja e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”.

n.e/NOA

KOMENTE