English

Ilir Meta: Ende kemi shpresa që Serbia mund të reflektojë

Tiranë, 8 shtator, NOA – “Ka qenë një zhgënjim i madh injorimi që Beogradi i bëri opinionit këshillimor të GJND-së”.

Kështu u shpreh ministri i Jashtëm, Ilir Meta në një intervistë për Televizionin Shqiptar.

“Sot që ne po flasim, pra, një ditë para se të diskutohet kjo projek-trezolutë, ende kemi shpresa që Serbia do të mundet të reflektojë, ashtu sikurse vazhdojmë të gjitha takimet dhe përpjekjet tona lotuese për të rrëzuar në një mënyrë sa më bindëse këtë projektrezolutë në rast se Serbia nuk do të reflektojë deri në minutën e fundit”, tha ai.

Z.Meta për më se dy javësh keni ndërmarrë një fushatë lobuese kundër rezolutës për Kosovën që pritet të shqyrtohet ditën e nesërme në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë keni mbajtur dhe një fjalim sot në Organizatën e Konferencës Islamike për të votuar kundër kësaj rezolute. Ç’mund të na thoni më shumë dhe rreth takimeve që keni pasur gjatë këtyre ditëve? Pas opinionit këshillimor të dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Shqipëria intensifikoi përpjekjet e saj për konfirmuar dhe një herë, natyrisht në bashkëpunim edhe me SHBA, BE, atë që ne kemi qenë të bindur kur vendosëm njohjen e shtetit të ri të Kosovës, por që më pas u përforcua me legjitimitetin që i dha vetë GJND-ja. Pra, pozitën e pacenueshme ndërkombëtare të sovranitetit, të integritetit të shtetit të ri të Kosovës. Ne kemi shpresuar se njëkohësisht Beogradi, i cili vuri në lëvizje GJND-në, do të respektonte vendimin e saj. Ndërkohë ka qenë një zhgënjim i madh injorimi që Beogradi i bëri opinionit këshillimor të GJND-së, e cila në mënyrë shumë të kristaltë u shpreh se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, jo vetëm që nuk kishte cenuar ligjin ndërkombëtar dhe Rezolutën e OKB-së të Këshillit të Sigurimit, 1244, për Kosovën, por bëri shumë më të qartë se ky është një rast i veçantë duke shpjeguar të gjithë kontekstin e zhvillimeve të ish-Jugosllavisë. Në këtë drejtim, ne bëmë të gjithë përpjekjet tona për të evituar një iniciativë të njëanshme të Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Por kjo gjë nuk ndodhi, dhe natyrisht pas kësaj iniciative të formalizuar nga ana e Serbisë, me anë të një rezolute e cila synon të vërë në diskutim përsëri statusin e Kosovës, të vërë në dyshim autoritetin GJND-së, ne intensifikuam të gjithë përpjekjet tona kudo, për të rrëzuar këtë rezolutë, ashtu sikurse kemi mbështetur dhe mbështetim dhe në këto momente përpjekjet e Bashkimit Evropian për të bindur Serbinë të tërhiqet nga një ballafaqim me vota në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por të pranojë në tekst më konstruktiv dhe konsensual nga ana e BE-së. Sot që ne po flasim, pra, një ditë para se të diskutohet kjo projek-trezolutë, ende kemi shpresa që Serbia do të mundet të reflektojë, ashtu sikurse vazhdojmë të gjitha takimet dhe përpjekjet tona lotuese për të rrëzuar në një mënyrë sa më bindëse këtë projektrezolutë në rast se Serbia nuk do të reflektojë deri në minutën e fundit. Sot keni pasur takime të tjera? Gjatë këtyre ditëve në Nju York kemi pasur takime jashtëzakonisht intensive. Kemi pasur një takim të gjerë 86 ambasadorë, përfaqësues të vendeve të Konferencës Islamike, dhe kemi marrë një përkrahje të madhe në kundërshtim të qëndrimit kundër kësaj rezolute. Po kështu kemi pasur një takim shumë konstruktiv me ambasadorët e vendeve të Karaibeve. Natyrisht kemi pasur takime të veçanta me ambasadorë të vendeve aleate, si të Britanisë së Madhe, të Francës, me Shefen e misionit amerikan në OKB, dhe në këto momente përsëri vijojmë takime të veçanta, pasi absolutisht ne jemi të bindur se duke e rrëzuar rezolutën e Serbisë, i japim ndihmën më të madhe asaj, duke e çliruar një herë e përgjithmonë nga betejat që i takojnë së kaluarës.

TVSH

KOMENTE