English

Meta: OKI, të mos mbështesë rezolutën serbe për Kosovën

Nju Jork, 8 shtator, NOA – Një ditë para mbajtjes së mbledhjes për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u bëri thirrje Ambasadorëve të vendeve anëtare të OKI-t për të mos e mbështetur projekt-rezolutën e Serbisë në OKB.

“Me një mospërfillje të hapur dhe flagrante ndaj Opinionit të dhënë nga një organizëm i OKB-së, si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kjo Draft – Rezolutë kërkon hapjen e negociatave mbi statusin e Kosovës, çka do të thotë të kthehemi mbrapsht në kohë, të shpërfillim atë çka ndodhur gjatë viteve dhe sidomos gjatë dekadave të fundit. Nga vetë natyra dhe arsyeja, popujt, kombet dhe shtetet shohin nga e ardhmja. Por ju nuk mund të ndërtoni të ardhmen duke u kthyer gjithnjë nga e kaluara”, deklaroi ministri i Jashtëm shqiptar para ambasadorëve.

Zoti Meta tha se “ka shumë çështje mbi të cilat Kosova dhe Serbia kane nevojë të diskutojnë, se ato duhet dhe ne besojmë me logjikë dërmuese se do të diskutohen. Por, ka një çështje kyç mbi të cilat nuk do të ketë kurrsesi bisedime dhe kjo është statusi i Kosovës. Ky kapitull është mbyllur, zgjedhja tashmë është bërë”.

Në këtë kontekst ai e cilësoi tekstin që përmban L. 65, si të papranueshëm, pasi ai është konfliktual, ndarës dhe i dëmshëm.

“Qëllimi i vërtetë i këtij teksti nuk ka të bëjë aspak me gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme mbi çështje të ndryshme praktike. Për fat të keq, ai është pjesë e një strategjie të vazhdueshme për të krijuar sa më shumë pengesa që të jetë e mundur për forcimin e shtetit të pavarur të Kosovës”, u shpreh zëvendëskryeministri Meta.

Bisedimet intensive për të bindur Serbinë që të tërhiqet apo të amendojë në mënyrë thelbësore ose të mjaftueshme tekstin e saj vazhdojnë, tha zoti Meta, duke shpresuar se në këto takime do të mbizotërojë arsyeja.

Në këtë linjë, zëvendëskryeministri shqiptar, theksoi se në rast se arsyeja e Serbisë është revansh në territorin e Kosovës, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nuk duhet të instrumentalizohet dhe nuk duhet të miratojë një tekst të tillë konfliktual, i cili do të jepte vetëm rezultate të dëmshme.

Në apelin e tij, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, tha se “Nëse roli i OKB-së është ruajtja e paqes dhe stabilitetit, nxitja e zhvillimit dhe e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet gjithë kombeve, siç dhe ne besojmë në të vërtetë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duhet ta hedhë poshtë Rezolutën e tanishme L.65”.

“Për të gjitha këto arsye, ne do të votojmë kundër kësaj Projekt-Rezolute dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha Shteteve Anëtare të OKI-t që të mos e mbështesin atë Rezolutë”, apelon ministri Meta, i cili ndodhet në Nju Jork dhe po zhvillon takime në mbështetje të çështjes së Kosovës.

Këto deklarata Zëvendëskryeministri Ilir Meta i bëri në takimin e Ambasadorëve të Grupit të Shteteve Anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike OKI.

mit/NOA
KOMENTE