English

UGK dënon ashpër sulmin ndaj ekipit të televizionit “Klan Kosova”

Prishtinë, 8 shtator, NOA - Unioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sot ashpër sulmin ndaj ekipit të televizionit “Klan Kosova”, përkatësisht ndaj gazetares Valentina Ahmeti dhe kameramanit Arben Restelica, të ndodhur në oborrin e shkollës fillore “Gjon Sereçi”, në Ferizaj.

Unioni i Gazetarëve Kosovarë e ka cilësuar të papranueshëm dhe si një akt që cënon lirinë e fjalës dhe lëvizjen e lirë të gazetarëve.

Në këtë kontekst, UGK i kërkoi policisë së Kosovës dhe drejtorisë arsimore të saj, që të ndërmarrin menjëherë masa ndaj drejtorit të shkollës “Gjon Sereçi”, Milazim Durguti.

Unioni i Gazetarëve të Kosovës i ka bërë thirrje edhe drejtorit Milazim Durguti, që të kërkojë falje publike për gjestin dhe sjelljen e ulët të treguar ndaj gazetarëve të “Klan Kosovës”.

“Veprimet e tilla janë edhe një dëshmi e radhës sesa shumë dikë e pengon zbulimi i të vërtetës dhe puna profesionale. UGK kërkon edhe nga institucionet e Kosovës dhe nga ato ndërkombëtarë që akterët që po pengojnë vazhdimisht punën e gazetarëve të sjellën para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, thuhet në këtë deklaratë.

Në fund, Unioni i Gazetarëve të Kosovës i bën thirrje edhe Policisë së Kosovës që të jenë më vigjilentë në mbrojtje të gazetarëve, në mënyrë që t’u mundësohet kryerja e punës në mënyrë profesionale.

mit/NOA

KOMENTE