English

PE: Është koha për dialog teknik mes Kosovës dhe Serbisë

Strasburg, 9 shtator, NOA – “Ka ardhur koha që autoritetet e larta të Kosovës dhe Serbisë të ulen në tavolinën e bisedimeve, dhe të hartojnë një marrëveshje të qëndrueshme dhe përfundimtare në interes të qytetarëve të dy vendeve”.

Kështu ka deklaruar sot, pak orë përpara diskutimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kryetari i Parlamentit Evropian, Jerzi Buzek.

Në njoftimin e zyrës së shtypit të PE-së, pas takimit mes shefit të PE-së, Buzek me nënkryetarin e Qeverisë së Kosovës, Ramë Manaj, mësohet se kreu i PE-së është shprehur se "Evropa është e ardhmja e këtij rajoni dhe popullit të tij. Andaj, udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës, duhet që me ndihmën e BE-së, të bëjnë çmos për të siguruar se nuk ka pengesa të pakapërcyeshme në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE".

Zoti Buzek ka thënë se Parlamenti Evropian e ka mbështetur gjithmonë Kosovën dhe aspiratat evropiane të saj, dhe se në rezolutën e 8 korrikut, i ka ftuar vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ta njohin pavarësinë e saj.

Kryetari i Parlamentit Evropian përshëndeti edhe stabilitetin e përgjithshëm politik në Kosovë, por ftoi sakaq Qeverinë e Kosovës të ndërmarrë hapa të vendosur në luftën kundër korrupsionit, për sigurimin e pavarësisë në organet e drejtësisë, respektimin e ligjit dhe lirisë së medias, si dhe përshpejtimin e reformave në administratën publike.

mit/NOA
KOMENTE