Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Fituam, fituam, fituam… të trashët e Sulos
English

Fituam, fituam, fituam… të trashët e Sulos

Plani i Ahtisarit për Veriun ka vdekur (as shpirti rahmet mos i pastë...) dhe varrmihësit e tij janë ndërkombëtarët të cilët në ceremoninë e varrimit definitiv të tij do ta lexojnë Rezolutën e “riformuluar” të BE dhe Serbisë ndërsa për të do të qajnë vetëm kosovarët

Nga Behxhet Sh. Shala

A është e mundur se...? Më në fund, në ditën kur në Republikën e Kosovës në një frymë të “ tolerancës fetare” në të cilën besimtarët e fesë islame faleshin nëpër rrugë, oborre, korridore festohej Fitër Bajrami, Asambleja e Përgjithshme e OKB –së miratoi, sipas një procedure të përshpejtuar dhe jodemokratike tekstin e “rifolmuluar” të Rezolutës së Bashkimit Evropian dhe Serbisë. SHBA –të dhe Kosova nuk ishin askund që do të thotë se BE tash e tutje do t’i prejë rroba të reja për Kosovën.

Për këtë arsye e cilësova si jodemokratike këtë seancë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pastaj, delegacioni i Kosovës në përbërje më të lartë shtetërore u trajtua sikur mysafirët që i vizitojnë lokalet e natës pas përfundimit të orarit të punës dhe badigardët përpiqen t’i nxjerrin jashtë.

E kuptoj dhe mbështes qëllimin që për të mbrojtur interesat shtetërore nuk është turp edhe në rastet kur të tjerët të nënçmojnë, përulin, fyejnë, keqtrajtojnë, burgosin, vrasin etj., mirëpo në rastin konkret vërtet nuk kam të qartë nëse kreu i shtetit është dashur të jetë atje dhe në atë përbërje.

Ishte vërtetë ndjenjë e keqe t’i shohësh fytyrat e presidentit, kryeministrit dhe anëtarëve tjerë të delegacionit të Kosovës në ato çaste. Edhe ashtu prania e tyre ishte “ dekorative”.

Që të jetë paradoksi edhe më i madh, Konsuli i Nderit i Liberisë, presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli ishte në pozitë më të mirë se vet kreu i shtetit. Në aspektin e politikës globale nuk është aspak fakt i parëndësishëm nëse Konsulli i Nderit i Liberisë lobon për Kosovën. Madje do ta quaja si diçka vendimtare për të ardhmen e Kosovës.

Lexuesi i nderuar besoj se e ka të qartë se titujt e nderit, si ky i presidentit të AKR-së janë të barasvlefshëm me titujt shkencorë që blihen me para në Universitetin e Prishtinës. Mendoj se duhet t’i vijë fundi këtij cirku sepse po përrallisemi në sy të botës. Ose presidenti i Kosovës dhe kryeministri duhet ta bëjnë pjesë të delegacionit presidentin e AKR-së, z. Behgjet Pacolli, e duket se ky vdes për së gjalli të trajtohet si i tillë ose duhet t’i bëhet e qartë se, në rastin konkret mund të lobojë vetëm për Liberinë.

Është krejtësisht joserioze që në të njëjtën kohë të lobohet në OKB-ë nga dy pozicione që nuk komunikojnë dhe nuk i koordinojnë veprimet e tyre lobuese e që paradoksi të jetë edhe më i madh, ata as që durohen. Me një fjalë e manifestojnë një intolerancë të lartë. Duke u angazhuar për Kosovën.

Dhe në emër të Kosovës. Nëse Republika e Kosovës i ka institucionet e saja dhe thuaja të gjithë pajtohemi se i ka, atëherë duhet të ekzistojë një përgjegjësi dhe detyrim ndaj këtyre institucioneve aq më parë që presidenti i AKR-së edhe vet është pjesë e këtyre institucioneve.

Është antologjik konfrontimi midis institucioneve legale të Kosovës në fushën e lobimit në njërën anë dhe lobimi që e bënë Behgjet Pacolli ( kokë më vete nëse nuk është koordinuar me institucionet e Kosovës), në anën tjetër. Pastaj, lufta e pakuptimtë për meritat se kush ka kontribuar më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet e caktuara është diçka tejet e shëmtuar.

Nëse vërtetë z. Behgjet Pacolli është i dobishëm për Kosovën në fushën e lobimit atëherë duhet të zyrtarizohet pozita e tij. Ndryshe del se presidenti i AKR- së e bënë për interesa personale duke (keq)përdorur mundësitë materiale për promovim dhe forcim të pozitës politike.

Unë i kuptoj institucionet e Kosovës që sillen siç sillen sepse e kanë një mbulesë ligjore me mandat të përcaktuar por nuk e kuptoj z. Pacolli pse përpiqet ta rivalizojë ministrin për Punë të Jashtme, z. Skender Hyseni e për këtë nuk ka mandat nga institucionet?. Ose, nëse e ka një mandat të tillë atëherë duhet të bëhet i njohur për qytetarët e Kosovës.

Ngazëllim prej llamarine: Edhe koha para miratimit të Rezolutës, gjatë miratimit të saj e sidomos pas miratimit kaloi në diskutime të zjarrta të ekspertëve, analistëve, njohësve të njohur dhe të panjohur të kësaj çështjeje, duke parashikuar apo duke i mbrojtur parashikimet e tyre.

Mediet elektronike dhe të shkruara e vlerësojnë këtë si një fitore të madhe të Kosovës dhe disfatë të radhës të Serbisë. Me një fjalë, edhe kjo vlerësohej si fitore historike e Kosovës.

Ishte një eufori hipnotike e radhës, sikur të ishim pjesë e ritualit në teqen e sheh Besimit. Në krijimin e kësaj situate, rol vendimtarë kanë luajtur mediet e “ pavarura” duke i cituar në vazhdimësi dhe duke na bombarduar me deklaratat apo intervistat e diplomatëve ndërkombëtarë në Prishtinë si dhe me vizitat e diplomatëve të nivelit më të lartë që e vizitonin Kosovën pasi që i përfundonin punët me Serbinë më parë.

Pse mos të thuhet haptazi se Prishtina nuk ka qenë fare pjesë e këtyre bisedimeve por se ka qenë e detyruar të shndërrohet e tëra në vesh (vetëm për të dëgjuar) e në të njëjtën kohë ka qenë e detyruar ta mbyllë gojën apo se i është lejuar ta shqiptojë vetëm PO-në. Bisedimet janë zhvilluar vetëm midis BE-së dhe Serbisë.

BE ka marrë vendime në emër të Kosovës duke i krijuar vazhdimisht Serbisë lehtësime të ndryshme. Idriz Morina në gazetën Bota Sot shkëlqyeshëm e ka demistifikuar Rezolutën e miratuar duke e zhveshur krejtësisht nga sofizmat gjuhësorë që janë përdorur në këtë Rezolutë.

Të tjerët i bënin qejf vetes duke e parë veten si fitues mbi “kufomën” politike të quajtur Serbi. Besoj se janë mashtruar keq në këtë rast. Në pyetjen tuaj pse, do të përpiqem të jap një përgjigje të thjeshtë.

Pse fitoi Serbia me këtë Rezolutë: Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës por edhe para saj ishte Serbia ajo që insistonte në fillimin e bisedimeve me Kosovën. Me ndihmën e disa “ miqve” ndërkombëtarë të cilët bënin presion e pse mos të thuhet edhe shantazh ndaj udhëheqësve kosovarë për domosdoshmërinë e këtyre bisedimeve “ teknike”.

Për aq sa e njoh Hashim Thaçin por edhe Fatmir Sejdiun, jam i sigurt se ata do të bisedonin me vullnetin e tyre me Serbinë në këto rrethana për aq sa i dënuari me vdekje do të shkonte vullnetarisht para togut të ekzekutimit.

Me një shtet që nuk të pranon dhe që ka okupuar 25-30% të territorit. Me një shtet të cilit i thuhet nga BE se Kosova nuk është kusht për integrime në BE dhe të cilit i liberalizohen vizat pa asnjë kusht. Nuk ishte Serbia ajo që i vardisej BE-së por BE i vardisej dhe po i vardiset edhe më shumë Serbisë. Kjo është e vërteta. Me rastin e Kosovës Serbia nuk i është përmbajtur parimit :” ose krejt ose asgjë” por parimit :” ose krejt, ose diçka”.

Dhe pasi nuk ka mundur ta ketë krejt Kosovën atëherë do të fitojë diçka dhe këtë ia mundëson pikërisht Rezoluta e miratuar e “rifolmuluar” apo thënë shqip, e zbutur përballë asaj të fortës me të cilën kërcënohej Serbia më herët e cila e la pa gjumë diplomacinë ndërkombëtare.

Ne kemi bërë gjumë të rehatshëm, si popull euforik që jemi. Serbia , ç’është e vërtetë ka pësuar disfata taktike për ta arritur një fitore strategjike siç janë zyrtarizimi bisedimeve BE ( Kosovë) – Serbi për çështje “teknike”e që për ata që nuk kanë deficit informativ apo ngatërrim logjik nënkuptohen bisedimet për statusin e veriut të Kosovës dhe enklavave të banuara me serbë në Kosovë.

Ose, sipas rregullave të shahut e ka sakrifikuar kalin ( rezolutën e fortë) për ta fituar mbretëreshën (zyrtarizimin e bisedimeve “teknike ”). Ne si Kosovë nuk kemi humbur fare sepse nuk kemi qenë pjesë e lojës që u zhvillua në prapaskenë. Prandaj edhe po festojmë.

Në mungesë të një politike proaktive nga ana jonë, do të detyrohemi t’i paguajmë faturat ose, në të kundërtën nuk do të na lejojnë të jemi as spektatorë në këtë ndeshje të pabarabartë dhe të ndyrë. E në këtë rast nuk mund të kyçemi ilegalisht siç bëjnë konsumatorët që i ç’kyç KEK-u për shkak të borxheve të papaguara. Ose , siç po thotë Baca Adem se Serbia e ka shumë lehtë pasi po bënë tregti me toka të huaja. Kosovën e ka okupuar më herët e tash hynë në bisedime me BE për Kosovën.

Në vend që ta kërkojmë Sanxhakun e Nishit po përpiqemi ta mbrojmë kufirin në lumin Ibër. Të gjithë lojtarët ndërkombëtarë dhe kosovarët po thirren në planin e presidentit Ahtisari të cilën e konsiderojnë si “vijë të kuqe” të cilën nuk do ta kalojnë me asnjë kusht në kohën që të gjithë e dimë se ky plan është shkërdhyer nga serbët e kohëve të fundit edhe nga ndërkombëtarët që imponojnë Ahtisarin plus apo ide kreative për Veriun e Kosovës dhe enklavat.

Plani i Ahtisarit për Veriun ka vdekur (as shpirti rahmet mos i pastë...) dhe varrmihësit e tij janë ndërkombëtarët të cilët në ceremoninë e varrimit definitiv të tij do ta lexojnë Rezolutën e “riformuluar” të BE dhe Serbisë ndërsa për të do të qajnë vetëm kosovarët. Rolin e vajtojcave kryesore, sipas funksionit dhe zyrtarisht duhet ta marrin Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi. Mirëpo, unë publikisht deklaroj se nuk do të derdh as një pikë të vetme të lotit.

Lexues të nderuar. Serbia asnjëherë nuk ka qenë e interesuar ta ndajë Kosovën sepse asaj më së paku do t’i konvenonte kjo. Ajo ka qenë e interesuar ta krijojë këtë situatë që do ta prodhojë Rezoluta e miratuar. Dhe duket se e ka arritur qëllimin pasi vendimet janë marrë më herët.

Shkurt, Rezoluta e miratuar e BE-së dhe Serbisë do të thotë autonomi për Veriun e Kosovës. Se a do të quhet ajo Status Special, Plani Z, Tiroli, Tibeti apo Ibreti, nuk mund t’ju garantoj por jam i sigurt se është duke u punuar që ambalazhimi i kësaj përmbajteje të jetë sa më i pranueshëm për qytetarët e Kosovës dhe të kalojë pa tronditje të madhe. A do të ndodhë kështu?.

Mbetet të shihet. Mund ta kem edhe gabim por nëse i keni lexuar shkrimet e mia të mëparshme do ta shihni se nuk kam qenë edhe i pasaktë në parashikimet e mia. Këtë rast do të dëshiroja ta kem shumë gabim. Por…? Por…? Shpejt do të bindeni.

(*) Dërguar nga autori, drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së. Qëndrimet në këtë shkrim janë personale

KOMENTE