Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Nënë Tereza, Kombi Shqiptar dhe Ballkani
English

Nënë Tereza, Kombi Shqiptar dhe Ballkani

Çfarë kam mësuar unë nga Nënë Tereza që nga viti 2003? Ndoshta është më mirë që këtë pyetje ta shtroj në një formë tjetër; pra, çfarë kam mësuar unë për kombin tonë në përgjithësi si dhe për situatën në të cilën gjendet kombi shqiptar dhe Ballkani gjatë kohës që jam marrë me studimin e figurës së Nënë Terezës?

Nga Dr Gëzim Alpion

University of Birmingham, UK

Kumtesë e mbajtur këto ditë te Konferenca Ndërkombëtare Shkencore ‘Jeta dhe Vepra e Nënë Terezës’, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, dhe Instituti i Historisë – Prishtinë, nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Z. Fatmir Sejdiu

Përmbajtje e shkurtër e kumtesës:

Në kumtesën e tij Gëzim Alpion përqendrohet fillimisht në disa mangësi biografike në literaturën për Nënë Terezën në gjuhë të huaja të periudhës 1910-1928 që ajo kaloi në Shkup, si dhe identifikon disa nga arsyet kryesore se përse biografët, hagiografët dhe gazetarët e huaj kanë tendencë që t’i anashkalojnë fëmijërinë dhe rininë e saj. Ndërsa origjina shqiptare e Nënë Terezës, vazhdon Alpion, është e dokumentuar, ajo që studiuesit shqiptar dhe nga vende të ndryshme në Ballkan akoma nuk po theksojnë sa duhet në botimet e tyre është se kjo ikonë unike moderne fetare, humaniste dhe mediatike do të vazhdojë t’i shërbej më mirë kombit shqiptar dhe rajonit të Ballkanit po qe se theksi nuk vazhdon të vihet në ‘mos/përkatësinë etnike’ të Nënë Terezës por se çfarë trashëgoi dhe pasuroi ajo më tej nga tradita e pasur bamirëse dhe shpirtërore e kombit shqiptar dhe Ballkanit. Alpion thekson se nderimi më i madh që mund t’i bëhet Nënë Terezës është praktikimi dhe jo thjesht mburrja me bamirësinë që kjo murgeshë e përkushtuar ndaj Krishit tregoi ndaj të varfërve, analfabetëve, viktimave të sëmundjeve me stigmë sociale dhe të moshuarve. Nënë Tereza, përfundon Alpion, është nder por më shumë përgjegjësi për kombin shqiptar dhe Ballkanin

Për mua kjo është hera e dytë që vizitoj Prishtinën dhe, si në vitin 2003, kur erdha për herë të parë në Kosovë, edhe tani mua më sjell këtu Nënë Tereza. Gjatë vizitës së parë u ftova nga Universiteti i Prishtinës për të zhvilluar dy leksione; i pari rreth studimit tim për Nënë Terezën ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ (‘Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme?’), që u botua në vitin 2007; ndërsa leksioni i dytë ishte mbi identitetin Amerikan dhe letërsinë amerikane. Këto tema i zgjodha qëllimisht për të theksuar se krahas rëndësisë së studimit të figurës së Nënë Terezës, duke ndjekur shembullin e amerikanëve, edhe ne shqiptarët duhet ta kuptojme më mirë rëndësinë parësore të letërsisë shqiptare për të njohur me objektivisht vetveten, për të farkëtuar më mirë ndërgjegjen mbarëkombëtare, si dhe për të bërë me shumë përpjekje për ta prezantuar veten më denjësisht në botë.

Që nga 2003 interesi im si studiues i Nënë Terezën nuk është venitur; përkundrazi, tani unë po shkruaj një libër tjetër për të, ‘Who Betrayed Mother Teresa: The Polititics of Faith and Disbelief in Postmodernity’ (‘Kush e Tradhëtoi Nënë Terezën: Politika e Besimit dhe Mosbesimit në Postmodernizëm’), studim që e fillova në vitin 2007 dhe mendoj ta përfundoj në vitin 2012.

Çfarë kam mësuar unë nga Nënë Tereza që nga viti 2003? Ndoshta është më mirë që këtë pyetje ta shtroj në një formë tjetër; pra, çfarë kam mësuar unë për kombin tonë në përgjithësi si dhe për situatën në të cilën gjendet kombi shqiptar dhe Ballkani gjatë kohës që jam marrë me studimin e figurës së Nënë Terezës?

Që Nënë Tereza është shqiptare është nder për kombin tonë të lashtë dhe të vuajtur që ka mbajtur shumë kryqe që nga pushtimi romak. Që për Nënë Terezën janë botuar kaq shumë libra nga autorë të huaj që nga viti 1969, kur doli libri i parë rreth saj, është dëshmi se sa figurë qendrore Nënë Tereza është për Vatikanin si dhe sa rëndësi globale ka ajo si ikonë fetare, bamirësie dhe mediatike në kontekstin e lidhjeve të Kristianizmit dhe Perëndimit me Orientin pas përmbysjes së kolonializmit.

Literatura e huaj për Nënë Terezën të bën të mendohesh thellë për dimensionet e kësaj figure magnetike dhe shumëplanëshe, për arritjet e saj si humaniste, për vizionin dhe largpamësinë e saj si misionare, për shpirtin e saj sa të brishtë po aq edhe të trazuar, si dhe për stoicizmin dhe vetëmohimin me të cilin ajo duroi krizën e thellë të besimit ndoshta për më shumë se gjysmë shekulli.

Nuk them që ne shqiptarët nuk kemi shkruar shumë për Nënë Terezën. Përkundrazi, unë mendoj se ndoshta kemi shkruar me tepricë për të. Çështja nuk është në sasinë e shkrimeve për këtë murgeshë që doli nga trojet tona, por në cilësinë e botimeve shqiptare dhe ballkanike.

Literatura në gjuhën shqipe për Nënë Terezën është kryesisht e karakterit përkushtues, hagiografik, folklorik, glorifikues, idealizues, por nuk kanë munguar edhe shkrime qëllimi i të cilëve është denigrimi i figurës dhe misionit të saj. Si ata që e lavdërojnë apo ata që e shajnë Nënë Terezën kalojnë në ekstreme. Dhe të dyja kampet, për fat të keq, deri tani, për mendimin tim, nuk angazhohen sa duhet me autorët e huaj që kanë botuar dhe vazhdojnë të botojnë studime për Nënë Terezën, si të karakterit hagiografik apo të natyrës agresive polemizuese, që disa herë është me nota irracionale.

Po kështu, Nënë Tereza është ndoshta shembulli më i qartë në kohët moderne i mëkatit tradicional shqiptar për të mbuluar me lëvdata pa kufi figurat kombëtare vetëm pasi të na kenë kujtuar të huajt për ta. Kjo tendencë reflekton shpirtvogëlsinë dhe sejmenllëkun tonë intelektual që refletohen në tendencën tonë për të ngritur në qiell apo nëpërkëmbur personalitete historike shqiptare sipas avazit që i bien të huajt, si dhe mungesën e iniciativës, vullnetit të mirë dhe kurajës intelektuale për të shkruar në mënyrë objektive dhe për hir të dijes pa interes.

Historia jonë është bërë dhe vazhdon të bëhet, dhe në disa raste të diktohet, jashtë kufijve tokësorë të hapësirës shqiptare, si në aspektin e marrjes së vendimeve për kombin ashtu edhe në hartimin dhe interpretimin e historisë sonë. Dhe kur ta shkruajnë historinë të tjerët, version i tyre është i mbarsur me qëllime të caktuara dhe reflekton interesa të cilat jo gjithmonë përkojnë me interesat tona kombëtare. Pra, në rastin e Nënë Terezës, edhe pse në mënyre indirekte, ne ballafaqohemi me çështjen e vjetër: kush flet për shqiptaret? Ose me saktë: kush flet për Nënë Terezën shqiptare?

Një ndër surprizat më të pakëndshme që kam hasur gjatë studimit të figurës së Nënë Terezës, është konstatimi se sa pak figuron fëmijëria dhe rinia e saj në letërsinë e huaj. Tendeca për të përmendur kalimthi, përciptazi dhe në shumë raste edhe për t’i injoruar plotësisht 18 vitet e para të jetës së Nënë Terezës, vihet re edhe në biografitë e hartuara nga disa prej njohësve më të mirë të Nënë Terezës në Perëndim si Eileen Egan, Kathryn Spink dhe Anne Sebba.

Po qe se shpresojmë të gjejmë ndonjë gjë me vlerë për Agnes Gonxhe Bojaxhiun në literaturën e huaj, do të zhgënjehemi. Lexuesi perëndimor, i cili nuk ka mundësi tjetër të informohet për jetën e saj në Shkup nga viti i lindjes, 1910, deri në vitin 1928, kur u largua për në Dublin dhe më vonë në Kalkuta të Indisë, ka të ngjarë të mendojë se Nënë Tereza lindi në moshën 18 vjeçe! Kjo është një ndër arsyet që edhe tani disa kolegë të huaj që ndjekin leksionet e mija për Nënë Terezën në vende të ndryshme të botës shprehen se nuk e dinin se Nënë Tereza është shqiptare.

Po e theksoj këtë jo për të përsëritur gabimin që u bë në vitin 2003 kur filloi debati disi banal mes disa entuziastëve shqiptarë dhe rivalëve të tyre maqedonas sllavë për përkatësinë etnike të Nënë Terezës. Çështja nuk është se sa pak apo sa shumë figuron Shkupi dhe Shqipëria në biografitë e huaja për Nënë Terezën. E rëndësishme është që të kuptohet se 18 vitet e para të jetës që Nënë Tereza kaloi në Shkup ishin një periudhë formuese e një rëndësie të veçantë. Një fjalë e urtë afrikane thotë ‘Fëmijën e rrit fshati’, shprehje që u bë e njohur në Perëndim në vitin 1996 nga Zonja e Parë e Amerikës, Hillary Rodham Clinton, gjatë promovimit të nje libri të saj.

Për ne shqiptarët, që kemi pasur një traditë të vyer komuniteti, shpirti ko-operues, bamirësie dhe solidariteti, si dhe gatishmërinë për t’iu ndodhur njëri tjetrit pranë në ditë të vështira, kjo thënie sintetizon filozofinë e të parëve. Nënë Tereza, humanistja më e njohur e kohëve moderne, nuk e mësoi bamirësinë në Irlande apo Indi, por në Shkup, nga dy prindër të devotshëm, në gjirin komunitetin shqiptar të Shkupit, si dhe në Shkupin kozmopolitan. Ky kozmopolitizëm duhet kuptuar në shumë sfera: etnike, fetare, kulturore, sociale dhe klasore. Pa ndikimin e traditës së shëndoshë familjare, qytetare, kombëtare, fetare dhe kozmopolitane të Gonxhe Bojaxhiut në Shkup, murgesha bamirëse Nënë Tereza është një figure enigmatike dhe disi e përçudnuar.

Zënka midis disa shqiptarëve dhe maqedonasve sllavë në lidhje me etnicitetin e Nënë Terezës, që përmenda më lart, na mëson se sa e rëndësishme është që t’iu japim fund mendësirave dhe praktikave të vjetra që kanë përçarë dhe vazhdojnë të përçajnë popujt e Ballkanit. Nuk them që të mos u kundërvihemi historianëve, studiuesve dhe gazetarëve nga Ballkani të cilët qëllimisht shtrembërojnë të vërtetën historike, që në studimet e tyre tendencioze i bien avazit të vjetër shovinist kundër shqiptarëve dhe trojeve të tyre. Nga ana tjetër, është e rëndësishme të veçojmë individët racistë nga pjesa dërmuese e popullsisë së Ballkanit që me të drejtë mburren me figurën e Nënë Terezës, ashtu si ne shqiptarët kemi të drejtë të mburremi me figurat e shquara që kanë dalur nga popujt fqinj. Këta figura të shquara nuk u përkasin ekskluzivisht vetëm kombeve të tyre; ata u përkasin njerëzimit. Që Ballkani nxjerr figura të tilla dëshmon se ata nuk dalin nga një vakum historik, fetar, kulturor apo bamirës por nga një rajon që ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuoj në pasurimin e trashëgimisë së njerëzimit. Nënë Tereza është shembulli më i mirë ballkanik në këtë drejtim në kohët moderne.

Si rezultat i grindjes së vitit 2003, ne shqiptarët dhe fqinjët tanë humbëm nje rast unik në historinë moderne të gadishullit tonë të trazuar për ta ndarëe Nënë Terezën me njëri tjetrin, për të theksuar se me Nënë Terezën shqiptare, bashkë me ne kanë të drejtë të mburren edhe vllehët, edhe maqedonasit sllavë, edhe serbët, edhe kroatët, edhe kristianët që nuk i përkasin katolizimit, edhe muslimanët, edhe çifutët, edhe ateistët, edhe komunistët, edhe demokratët. Nënë Tereza ishte krenare për origjinën e saj shqiptare por ajo ju përkushtua Krishtit, babait të saj hyjnor që ju ndodh pranë, siç besonte ajo, kur si fëmijë, humbi babain e saj biologjik në rrethana tragjike. Dhe Krishtin Nënë Tereza e gjente duke u shërbyer njerëzve jo sipas përkatësive kombëtare, etnike, kulturore, fetare apo bindjeve politike. Nënë Tereza e gjente Krishtin tek njeriu, tek çdo njeri, dhe kjo e bën atë një ndër humanistet me unike, po qe se e shikojmë humanizmin e saj në kontekstin e frymëzimit hyjnor që në rastin e saj buronte nga Krishti.

Duke parë gjakderdhjen në Ballkan në vitet 1990-të, si dhe problemet dhe vështirësitë e shumta që po has ky rajon aktualisht, duket së Nënë Tereza, apo me saktë mesazhi i saj, akoma nuk ka arritur ne trojet ballkanike. E megjithatë, politikanët, në pushtet dhe opozitë, nuk rreshtin së foluri për Nënë Terezën, shpesh vend dhe pa vend, duke adoptuar një ligjërim bamirësie që nuk reflekton aktivitetin e tyre politik dhe administrativ. Të flasësh për Nënë Terezën është përgjegjësi e madhe. Nënë Tereza është shndërruar në një mburojë nga klasat politike në Ballkan, veçanërisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, për të mbuluar mefshtësinë, inercinë, vegjetimin, si dhe korrupsionin ekonomik, moral, shpirtëror, politik dhe administrativ.

Po qe se dëgjojmë me vëmendje politikanët që flasin për Nënë Terezën, të krijohet përshtypja se të gjithë ata janë të përkushtuar ndaj Nënë Terezës. E vërteta është se një pjesë e tyre kanë rënë në dashuri me mediat. Me sa duket politikanët e shikojnë ekspozimin që ju bën media, kur flasin për një bamirëse si Nëne Tereza, si një mundësi për të ekzoneruar veten për dështimet e tyre si shërbëtorë të popullit. Në këtë kontekst, nuk është çudi që politikanët që flasin për Nënë Terezën nuk përmendin ndonjë fakt për të ilustruar se çfarë kanë bërë apo po bëjnë për të ndjekur shembullin e Nënë Terezës për të ndihmuar me vepra jetimët, të varfrit, të ngujuarit nga gjakmarrja, gratë që vuajnë nga dhuna në familje, apo viktimat e sëmundjeve me stigmë sociale.

Nënë Tereza mund të mos ketë qenë një oratore elokuente por në fjalimet e saj nuk mungonin statistikat se si ajo i kthente fjalët në vepra. Unë vetë kam pasur privilegjin të shikoj se si përfitojnë nga puna që filloi Nënë Tereza njerëzit që janë flakur si mbeturina nga shoqëria në Kalkuta. Si rezultat i shpirtit të saj praktik revolucionar, kjo murgeshë, ndryshe nga shumë misionarë të tjerë, i shërbente Krishtit më shumë me vepra se sa me fjalë; ajo predikonte më mirë duke vepruar. Ky është një shembull që duhet ta ndjekim të gjithë ne, veçanërisht politikanët, të cilët nuk rreshtin së permenduri se ç’bëri Nënë Tereza për të varfrit e me të varfërve në Kalkuta.

Politikanët dhe të gjithë ne gënjejmë veten po qe se e shikojmë Kalkutën e largët si një teatër varfërie me të cilin nuk kemi asgjë të përbashkët. Po qe se i hapim sytë, po qe se i hapim veshët, po qe se i hapin zemrat, shpesh të varfrit e Kalkutës i kemi para syve në Ballkan. Për fat të keq, këta të varfër ne kemi vendosur as t’i shikojmë as t’i dëgjojmë. Për ne, këta të mjerë nuk ekzistojnë. Ne akoma nuk e kuptojmë se varfëria e tyre individuale është mjerimi ynë kolektiv. Nuk e kam fjalën vetëm për varfërinë materiale. Varfëria shpirtërore, mungesa e respektit për njeriun, mungesa e lidhjeve të ndërsjella njerëzore, dhe mungesa e komunikimit, që Nënë Tereza e quante si varfëria më e madhe që ka pllakosur Perëndimin, janë të pranishme kudo në Ballkan.

Në mediat kosovare është raportuar kohët e fundit se në Kosovë nuk janë organizuar shumë aktivitete për të festuar si duhet 100 vjetorin e ditëlindjes së Nënë Terezës. Unë mendoj ndryshe; për këtë përvjetor, si në Kosovë edhe në Shqipëri, janë organizuar aktivitete ndoshta më tepër se ç’duhet. Ajo që duhet tu kërkohet qeverisë së Kosovës, qeverisë së Shqipërisë, qeverisë së Maqedonisë, qeverive dhe klasave politike në Ballkan janë fakte konkrete se si po ndihmohen njerëzit që janë në pikë të hallit, të braktisurit, për të cilët nuk kujdeset as njeri as perëndi. Ky do të jetë nderimi më i madh që mund t’i bëhet kujtimit të Nënë Terezës. Le të shpresojmë se kjo do të jetë mënyra se si do të masim respektin tonë në përvjetorët e tjerë për këtë shenjtëreshë që kombi shqiptar dhe Ballkani i dha njerëzimit në kohët moderne.

(*) Dërguar nga autori

Biografi e shkurtër:

Dr Gëzim Alpion (BA Universiteti i Kajros; PhD Universiteti i Durhamit) është Lektor në Sociologji në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare, dhe Anëtar Nderi i Institutit për Studime të Avancuara në Shkencat Shoqërore dhe Arte, në Universitetin i Birmingam-it, Angli. Një ndër studiuesit më të mirënjohur të Nënë Terezës në Perëndim, Alpion është autor i këtyre librave në gjuhën angleze: ‘Vouchers’ (2001), ‘Foreigner Complex: Essays and Fiction about Egypt’ (2002), ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ (2007), ‘If Only the Dead Could Listen’ (2008), dhe ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’ (2011).

Bibliografi e përzgjedhur Alpion, Gëzim. ‘The mother who cared for the shunned’. The Birmingham Post. 5 September, 2003, p. 11. –– ‘Mother Teresa and the Balkans DNA Politics’. BESA Journal. Autumn 2003, Vol. 7, No. 2, pp. 28-30. –– ‘Oh! not Calcutta’. The Guardian. 6 September 2003, p. 25. –– ‘Media, Ethnicity and Patriotism: The Balkans “Unholy War” for the Appropriation of Mother Teresa’. Journal of Southern Europe and the Balkans (now Journal of Balkan and Near Eastern Studies). Vol. 6, No. 3, December 2004, pp. 227-43. –– ‘Media and Celebrity Culture: Subjectivist, Structuralist and Post-Structuralist Approaches to Mother Teresa’s Celebrity Status’. Continuum: Journal of Media & Cultural Studies. Vol. 20, No. 4, December 2006, pp. 541-57. –– Review of: H. J. Kudo Mother Teresa: A Saint from Skopje [Gujarat, India: Anand Press, 2006] for Albanian Journal of Politics. Chapel Hill, NC: Globic Press. Vol. 2, Issue 2, December 2006, pp. 120-2. –– Mother Teresa: Saint or Celebrity? London and New York: Routledge, 2007; Indian Edition – New Delhi: Routledge India, 2008; Italian Edition – Madre Teresa: Santa o Celebrità? Trans. Massimo Laria. Rome: Salerno Editrice, 2008. –– Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa. Indian Edition – Calcutta: Meteor Books, 2008; First American Edition – Chapel Hill, NC: Globic Press, 2009; Second American Edition – New Jersey: Transactions Publishers, 2011. Beka, Alfred. ‘Pak për Nënë Terezën’, Express, 27 August 2010, pp. 22-23. Chatterjee, Aroup. Mother Teresa: the Final Verdict. Kolkata: Meteor Books, 2003. Clinton, Hillary R. It Takes a Village: And Other Lessons Children Teach Us. New York: Simon & Schuster, 1996. Dwan, Peter. Mother Teresa: Apostle of the Unwanted. Melbourne: ACTS Publications, 1969. Dutta, Krishna. ‘Saint of the gutters with friends in high places’. Times Higher Education Supplement. 16 May 2003, p. 29. Egan, Eileen. Such a Vision of the Street: Mother Teresa—the Spirit and the Work. New York and London: Doubleday, 1986. Greer, Germaine. ‘Greer Versus a Saint’. The Melbourne Age. 6 October 1990. Hitchens, Christopher. ‘The Ghoul of Calcutta’. The Nation, 13 April 1992. The Missionary Position: Mother Teresa in Theory and Practice. London and New York: Verso, 1995. Muggeridge, Malcolm. Something Beautiful for God: Mother Teresa of Calcutta. London: Collins, 1971. Porter, David. Mother Teresa: the Early Years. Oxford and New York: ISIS, 1986. Sebba, Anne. Mother Teresa: Beyond the Image. London: Orion, 1998. Spink, Kathryn. Mother Teresa: an Authorised Biography. London: Fount, 1998. Teresa, Mother. Life in the Spirit: Reflections, Meditations, Prayers, K. Spink (ed.) New York: HarperCollins, 1983. Heart of Joy: The Transforming Power of Self-Giving. J. L. González-Balado (ed.) Ann Arbor, MI: Servant Publications,1987. A Simple Path. L. Vardey (ed.) London: Rider, 1995. My Life for the Poor. J. L. Gonzáles-Balado and J. N. Playfoot (eds) New York: Ballantine Books, 1996. Mother Teresa: Come Be My Light: The Private Writings of the ‘Saint of Calcutta’. B. Kolodiejchuk (ed.) New York: Doubleday, 2007.
KOMENTE