English

Deklaratat e Papandreut, Meta: Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë të shkëlqyera

Tiranë, 13 shtator, NOA – Zëvendëskryeministri dhe ministri ende në detyrë i Punëve të Jashtme, Ilir Meta ka deklaruar sot se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të shkëlqyera.

Ky prononcim i ministrit Meta erdhi një ditë pas apelit të kryeministrit grek Jorgos Papandreu se në Shqipëri po vijnë drejt rritjes aktet e nacionalizmit shqiptar, duke diskriminuar minoritetin grek në Shqipëri, gjë që sipas shefit të ekzekutivit grek dëmton marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe përbëjnë hapa prapa në procesin e integrimit evropian të vendit.

“Në pamundësi për tu përgjigjur dje, dua të theksoj se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe në veçanti ndërmjet dy Qeverive janë shumë të mira dhe do të vijojnë në këtë trend të shkëlqyer bashkëpunimi dhe mirëkuptimi reciprok”, konfirmoi zëvendëskryeministri Ilir Meta.

Me gjuhën e diplomacisë ministri i Punëve të Jashtme, theksoi se “Qeveria Shqiptare ka ditur gjithmonë të mbajë qëndrime të qarta ndaj çdo episodi, që ka synuar të cënojë këto marrëdhënie dhe ndaj çdo grupimi apo segmenti ekstremist që ka dashur t’i helmojë këto marrëdhënie”.

“Ne jemi të bindur që ky bashkëpunim, i cili nuk ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet tradicionale midis dy vendeve, por i cili natyrisht ka të bëjë edhe me vetë perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë, do të vijojë edhe në të ardhmen”, siguroi ministri i Punëve të Jashtme.

Qeveria e Shqipërisë, garantoi ministri Meta është shumë e angazhuar për të miratuar të gjithë atë legjislacion modern, që garanton të gjitha të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, por edhe të çdo grupimi tjetër, duke nënvizuar se “Shqipëria është një vend evropian dhe është kundër çdo lloj diskriminimi”, përfundoi deklarata e ministrit Meta lidhur me prononcimet e kryeministrit të Greqisë, Jorgos Papandreu lidhur me incidentin e Himarës ku gjeti vdekjen qytetari i minoritetit grek në Shqipëri, Aristidh Guma.

mit/NOA
KOMENTE