English

Kriza politike, KQZ bën gati vendimin për fletët, 500 litra naftë dhe 20 punëtorë

Tiranë, 14 Shtator 2010 NOA - Debati për fletët e votimit duket se do të marrë fund me 500 lira naftë, 300 litra benzinë dhe 20 punëtorë, të cilëve u duhen afërsisht 70 ditë për të djegur gjithë fletët e votimit të zgjedhjeve të vitit të kaluar.

Ky është thelbi i projektvendimit të që do të shqyrtohet ditën e premte nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në orën 11:00. Në një njoftim zyrtar KQZ-ja bënë të ditur se me dekretimin e datës së zgjedhjeve nga kreu i shtetit afatet ligjore për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme janë në limitet e tyre. Për këtë qëllim duhet të pastrohen kutitë, të ruhen procesverbalet në arkivin e shtetit dhe të digjen fletët e votimit dhe materialet e tjera të nevojshme.

“Duke qenë se, afatet për ankimimet për këto zgjedhje kanë përfunduar, duhet të realizohet hapja e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore dhe seleksionimi i dokumentacionit dhe materialit zgjedhor të gjetur brenda tyre, si detyrim ligjor, në përputhje me përcaktimet e nenit 178 të Kodit Zgjedhor”, thuhet në vendimin e KQZ-së. Zbatimi i nenit 178 të Kodit parasheh dhe djegien e fletëve të votimit. “Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas Kodit, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, tabelat, procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”, thuhet në nenin 178 të Kodit.

Do të jenë anëtarët e KQZ-së ata që do të vendosin nëse do të nis zbatimi i nenit për djegien e fletëve të votimit.

Ndërkohë që specialistët e KQZ-së kanë parashikuar edhe detajet më të imta për procesin e djegies së fletëve të votimit për të cilat opozita ka një vit që proteston.

“Janë parashikuar shpenzimet që do të kryhen për pagat e 20 punëtorëve për një periudhe 60 ditore, të cilët do të punojnë për hapjen e afërsisht 10.000 kuti votimi dhe kuti të materialeve zgjedhore. Bazuar ne eksperiencën e mëparshme, 1 punëtori i duhet mesatarisht 45 minuta punë që të kryejë të gjitha proceset që lidhen me kutitë e votimit”, thuhet në projektvendimin e KQZ-së. Sipas projektvendimit janë parashikuar që të punësohen 20 punëtorë me një normë ditore prej 8 kuti votimi dhe materialesh zgjedhore.

“Duke shtuar edhe kohen minimale që kërkohet për djegien e fletëve, është llogaritur që kontraktimi i punëtorëve duhet të bëhet për një periudhë kohore 70 ditë pune”, thuhet në projektvendimin e KQZ-së.

KQZ-ja ka parashikuar dhe sasinë që duhet për lëndën djegëse. Në tabelën e shpenzimeve janë caktuar 300 litra benzinë dhe 500 litra naftë. “Është parashikuar lënda djegëse naftë dhe benzinë për transportin e fletëve të votimit dhe materialeve të tjera, si dhe djegia e fletëve të votimit. Sasia e përcaktuar është bazuar në sasitë e konsumuara për këtë proces pune në zgjedhjet e mëparshme”, thuhet në projekt vendimin e KQZ.

a.k/NOA

KOMENTE