English

Ministri Prifti: Kam punuar nën presion

Tiranë, 14 shtator, NOA, Update – Duke deklaruar që kryeministri Sali Berisha, ka patur gjashtë muaj presione lidhur me largimin e tij nga posti i ministrit të Ekonomisë, Turizmit dhe Energjitikës, ministri Dritan Prifti deklaroi sot se i ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit duke pritur dekretimin nga Presidenti i Republikës të largimit të tij nga detyra e ministrit për t’ia lënë vendin ministrit të ri të Ekonomisë, Ilir Meta.

Në konferencën e tij të parë për shtyp pas kërkesës për largimin e tij nga detyra të propozuar nga kryesia e LSI-së, ministri Dritan Prifti deklaroi se “Kam punuar gjatë gjithë kësaj kohe nën kërcënime dhe presione të vazhdueshme”.

“Deklaroj që ka patur kërkesa për 6 muaj rresht për të më marrë vendin e punës, por presionin e kam përballuar me sukses, dhe për fat të mirë nuk jam kritikuar për asnjë firmë timen të hedhur gjatë kohës kur kam qenë në detyrë, por vetëm për disa aksione të shitura kur u bëra ministër”, theksoi për gazetarët zoti Prifti.

Duke nënvizuar se ka punuar gjithnjë duke qenë korrekt me ligjin, ministri Prifti nuk la pa shprehur qejfmbetjet e tij lidhur me largimin e tij nga posti i kreut të METE-s, një post që tashmë ai do t’ia lërë kreut të LSI-së, dhe shefrit të ttij në parti, Ilir Metës.

“Ditët në vijim do t’i kërkoj takim Ilir Metës, tha ministri aktual i METE-s, Prifti, duke bërë me dije se ai kishte kërkuar që mbledhja e djeshme e kryesisë së LSI-së, të shtyhej, pasi ishte i pamundur të ishte i pranishëm, për shkaqe familjare.

Por, duket se vendimi i LSI-së vijoi të merrej edhe pa praninë e Priftit, andaj, ministri Prifti tha se “nuk më pëlqeu aspak që ky vendim u mor jo në praninë time”.

Duke shprehur mirënjohjen për kryeministrin Berisha që e vuri në atë post, Ministri i aktual i Ekonomisë, Prifti tha se “I jam mirënjohës kryeministrit Berisha dhe LSI-së që më besuan të drejtoja këtë ministri të rëndësishme për një vit të tërë”.

Ai i uroi ministrit të ri detyrën e shefit të Ministrisë së Ekonomisë, duke nënvizuar se do të punoj edhe më shumë si deputet në si deputet i LSI-së në parlament për të punuar për integrimin e vendit në BE, për të cilën LSI bëri koalicion me Berishën, pas zgjedhjeve të 28 qershorit.

Tani do jem shumë më aktiv në politikë, garantoi zoti Prifti, duke lënë të kuptohet se nuk do ta lërë me një konferencë për shtyp hatërmbetjet për largimin e tij nga detyra.

Duke iu referuar arritjeve ekonomike, ministri Prifti tha se ekonomia jonë shënoi rritje përkundër ekonomive të botës që pësuan krizë në vitin e fundit.

Ai tha se janë në proces mbi 40 koncesione të reja, po përfundon një ëebside i ri vetëm për privatizimet.

“Përballuam me sukses krizën më të rëndë hidrike në këto vite”, tha Prifti.

Ai pohoi se gjatë këtij viti eksportet janë rritur, është plotësuar kuadri ligjor i koncesioneve, ai i lejeve minerare, duke bërë që lejet minerare të mos futen pa konkurrim.

Por, nuk duhet harruar se Dritan Prifti ishte anëtari i parë i LSI-së, që pati kurajën të deklarojë se do t’i bashkohej koalicionit të djathtë të Berishës, një gjë që LSI e bëri realitet pak kohë më pas.

Propozimi për largimin e ministri Prifti nga detyra erdhi pas mbledhjes së kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila propozoi që në vend të Priftit, portofolin e METE-s ta marrë zëvendëskryeministri Ilir Meta dhe atë të ministrit të Punëve të Jashtme, Edmon Haxhinasto.

mit/NOA

KOMENTE