English

Daniel Serwer: Bisedimet për Veriun? Ai do mbetet sërish pjesë e Kosovës

Prishtinë, 15 shtator, NOA - Nënpresidenti i Institutit Amerikan për Paqe, Daniel Serwer, i ka deklaruar BBC-së se çfarëdo diskutimi për mundësinë e korrigjimit të kufijve ose të statusit për veriun e Kosovës do të shënonte pranimin e sovranitetit të autoriteteve në Prishtinë.

Ai tha se për veriun duhet të diskutohet vetëm zbatimi i planit Ahtisaari, që parasheh zgjidhje të posaçme të qeverisjes.

Sipas tij, qëllimi i Rezolutës së miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ishte hapja e dialogut mes Prishtinës e Beogradit për marrëdhënie të mira fqinjësore, meqë, siç tha, kjo marrëdhënie e kushtëzon anëtarësimin e Serbisë në BE.

Në një intervistë me BBC-në zoti Serwer e ka cilësuar si më të dobishme përfshirjen e BE-së në procesin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit në vend të OKB-së që, sipas tij, është neutral ndaj statusit të Kosovës.

Serwer e cilësoi si të natyrshëm zhbllokimin e procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE, pas bashkëpunimit me Brukselin rreth Rezolutës për Kosovën.

Arbër Vllahiu i BBC-së zhvilloi një bisedë me zotin Serwer.

A e ka merituar Serbia që t'i përshpejtohet procesi i vlerësimit për anëtarësim në BE?

Kjo i takon BE-së që të vendosë, por mund të themi se përparimi i Serbisë drejt BE-së do të ishte i bllokuar gjithnjë përderisa ajo do të këmbëngulte në projekt-rezolutën e paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme, të cilën BE-ja e konsideronte si të papranueshme. Prandaj është krejt e natyrshme, dhe më duket se kur çështja e rezolutës në AP të OKB-së u zgjidh në favor të BE-së, atëherë ata duhej ta zhbllokonin procesin e anëtarësimit të Serbisë. Mendoj se kjo është krejt e natyrshme.

Pra, ky ishte kompromisi që BE-ja ta ketë në anën e saj Serbinë, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së?

Kjo është përshtypja ime dhe gjithashtu përshtypje imja është se ishte qind për qind e suksesshme në mundjen e rezolutës së propozuar dhe ndërrimin e saj me një tjetër që ishte e pranueshme për të gjitha vendet anëtare të BE-së. Duke e arritur këtë mendoj se është e natyrshme që procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE të çohet përpara sipas meritave.

Por mendoj se nuk ka dyshim se Serbia duhet të përmbushë kriteret për ‘tu anëtarësuar në BE. Një nga këto kritere të rëndësishme që Serbia duhet të përmbushë është marrëdhënia e mirë me fqinjët. Dhe marrëdhënia e mirë fqinjësore nënkupton edhe marrëdhënie të mira me Kosovën. Kjo gjithashtu nënkupton se Serbia duhet të zgjidh çështjen e Kosovës, çështjet e ndërsjella përpara se të anëtarësohet në BE.

Por duke e parë këtë kërkesë të BE-së për të përshpejtuar procesin e vlerësimit të përmbushjes së kritereve për anëtarësim të Serbisë, a nuk është paksa jo e drejt ndaj Shqipërisë, Maqedonisë, Mali të Zi dhe gjithashtu edhe Kroacisë? Kjo për arsye se këto vende është dashur të ecin drejt një rruge më të vështirë për t'u anëtarësuar?

Unë pres që Serbia duhet të përmbushë të gjitha kriteret siç po i përmbushin Kroacia dhe të gjitha vendet e tjera. Unë nuk mendoj se ka dyshime për këtë. Por gjithashtu është me rëndësi të pranohet se Serbia në shumë çështje teknike është më e përgatitur se sa vendet e tjera në Ballkan. Mënyra më e mirë këtu është përgatitja sa më e mirë për BE-në dhe ata që duan të anëtarësohen, në vend të vlerësimit të përparimit të Serbisë, duhet ta përgatisin veten teknikisht sa më shpejt dhe sa më mirë të jetë e mundur.

Ju thoni se një nga kriteret për anëtarësim në BE është edhe marrëdhënia e mirë fqinjësore. Këto kohët e fundit kemi parë përsëritje të përplasjeve mes shqiptarëve dhe serbëve në veri të Mitrovicës. Duket se përplasjet janë të pashmangshme në këtë pjesë. A mos po bëhen më të rënda marrëdhëniet mes tyre tani?

Mund të jetë kështu, por ju garantoj se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa një marrëdhënie të mirë fqinjësore me Kosovën. Por një obligim i ngjashëm është edhe për Kosovën, që të ketë një marrëdhënie të mirë fqinjësore me Serbinë. Më duket se qëllimi i Rezolutës së paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme ishte hapja e dialogut mes Prishtinës e Beogradit që do të rezultonte në marrëdhënie të mira fqinjësore dhe t'i jepet fund pandjeshmërisë që po luhet në veri posaçërisht.

Tani pas miratimit të Rezolutës në AP të OKB-së, duket sikur Kombet e Bashkuara nuk po luajnë më rol kryesor. Në plan të parë ka dalë BE-ja…

Është shumë më mirë të jetë BE-ja, që të paktën është e ndarë rreth çështjes së Kosovës, meqë OKB-së i kërkohet të jetë neutrale ndaj statusit. Dhe nga pikëpamja, posaçërisht e kosovarëve, është shumë më mirë të ketë përfshirje të BE-së se sa të OKB-së.

Por janë ende 5 vende anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën?

Pavarësisht kësaj ata kanë arritur një qëndrim të përbashkët me 22 vendet e tjera anëtare për të paraqitur rezolutën në AP të OKB-së. Ishte ky qëndrimi i përbashkët i BE-së që mundësoi rrëzimin e rezolutës serbe dhe zëvendësimin me diçka që të gjithë mund ta përkrahnin. Prandaj BE-ja është gjithnjë e më shumë e bashkuar, do të thosha, rreth kësaj çështjeje edhe pse pesë vendet anëtare të BE-së nuk e kanë njohur ende Kosovën.

Por si t'i lexojmë atëherë zhvillimet e fundit? Është kjo kërkesë për hapjen e dialogut për statusin e Kosovës, apo për statusin e veriut të Kosovës, apo për diçka tjetër?

Unë thashë se mund të lexohet në atë mënyrë. Duhen dy palë që të diskutojnë gjërat. Por nuk e pres që autoritetet në Prishtinë të pajtohen për të diskutuar statusin. Serbia do të hyjë në bisedime duke mbajtur qëndrimin e saj për statusin dhe unë supozoj se këtu do të jetë fundi i bashkëbisedimit, sepse nuk ka bashkëbisedim që të zhvillohet për statusin me autoritetet në Prishtinë dhe kjo është shumë e qartë.

Gjithashtu mendoj se askush në bashkësinë ndërkombëtare nuk është i gatshëm që të bëjë trysni mbi Prishtinën për të diskutuar çështjen e statusit. Nëse ata duan të diskutojnë korrigjimin e kufijve apo statusin e Kosovës veriore ata mund ta bëjnë këtë. Sipas pikëpamjes sime, ato janë dy shtete sovrane dhe si të tilla mund të diskutojnë territorin e tyre nëse e duan këtë. Por mendoj se duhet të jetë shumë e qartë se çfarëdo diskutimi për korrigjim të kufijve ose të statusit të Kosovës Veriore është në fakt pranim i sovranitetit të autoriteteve në Prishtinë.

Më lejoni t'ju pyes. Nëse një lloj kompromisi për rezolutën e paraqitur në AP të OKB-së ishte përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE, a mund të jetë kompromisi i dytë një status i posaçëm për veriun e Kosovës?

Me sa di unë nuk ka një marrëveshje të këtij lloji. Siç e thashë, ndërkombëtarët, amerikanët dhe evropianët, janë kundër çfarëdo cënimi të tërësisë tokësore të Kosovës. Dhe arsye për këtë është mundësia e implikimeve në Maqedoni dhe Bosnjë.

Sipas pikëpamjes sime, Serbia gjithashtu duhet të jetë e frikësuar nga këto implikime, sepse ajo nuk do të duhej të ishte një vend që eksporton paqëndrueshmëri. Mund të ketë bisedime për statusin e Veriut të Kosovës, por në fund ajo pjesë e territorit do të mbetet pjesë e Kosovës. Ahtisaari ka parashikuar zgjidhje të posaçme për qeverisjen e atij territori dhe unë nuk shoh se ka diçka tjetër të diskutohet përveç zbatimit të planit Ahtisaari. E përmendët Ëashingtonin. Por ai nuk është paraparë në Rezolutë, as nuk është përmendur mundësia e pjesëmarrjes së zyrtarëve amerikanë në ndërmjetësim, Është vetëm BE-ja.

Unë pres që shqiptarët të insistojnë në praninë e Ëashingtonit dhe unë do të isha i befasuar nëse ata nuk e bëjnë këtë.

BBC

KOMENTE