English

“Puçi” ndaj kreut Muça, shkarkohen disa drejtues të Komunitetit Mysliman

Tiranë, 15 Shtator 2010 NOA – Në mbledhjen e ngutshme që zhvilloi mbrëmjen e sotme Kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar, u vendos që të shkarkohen Betim Truci nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Vokshi nga Myfti i Durrësit dhe Ali Hallaci nga Myfti i Kukësit.

Burimet zyrtare nga KMSh i thanë agjencisë NOA se në vend të Trucit, Ali Zaimi emërohet Sekretar i përgjithshëm dhe Redin Quku emërohet Myfti i Durrësit.

Zyrtarisht, KMSH tha se Kryesia e saj u mblodh “në një mbledhje të jashtëzakonshme, nisur nga një mbledhje e paprecedentë e kryesisë së këshillit të përgjithshëm dhe e katër anëtarëve të kryesisë së KMSH-së, të cilët në mënyrë antistatutore dhe antiligjore, duke shpifur dhe mashtruar ne adresë të kryetarit të KMSH-së, arritën deri në pretendimin për pezullimin e Kryetarit të KMSH-së nga detyra”.

Sipas të dhënave zyrtare të KMSH, masat e sotme erdhën nisur nga situata e krijuar dhe duke pasur parasysh se iniciatorët e kësaj situate janë sekretari i përgjithshëm z. Betim Truçi, kryetari i Këshillit të Përgjithshëm z. Ilir Vokshi, dhe myftiu i rrethit Kukës z. Ali Hallaçi.

Vendimet:

1. Të shkarkohet nga detyra sekretari i përgjithshëm z. Betim Truçi.

2. Të emërohet sekretar i përgjithshëm z. Ali Zaimi.

3. Të shkarkohet nga detyra e myftiut të rrethit Durrës, z. Ilir Vokshi.

4. Të komandohet në detyrën e myftiut të rrethit Durrës z. Redin Quku.

5. Të shkarkohet nga detyra e myftiut të rrethit Kukës dhe njëherazi nga redaksia, z. Ali Hallaçi.

KMSH tha se këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë.

e.r/NOA

KOMENTE