English

Ambasadori i ri në Athinë: Çfarë ka ndryshuar te shqiptarët në Greqi

Intervistë me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Athinë, z. Dashnor Dervishi. Ai thotë se vërehet një ndryshim i madh cilësor i shqiptarëve në Greqi

Nga Robert Goro

Në konceptin e ambasadorit të ri të Shqipërisë në Athinë, z. Dashnor Dervishi, shqiptarët në Greqi nuk janë “emigrantë”, por “qytetarë shqiptarë”.

Nuk e di nëse ky koncept është konkluzion i analizave social-politike, apo produkt i impresionimit të ambasadorit nga niveli i integrimit të shqiptarëve në Greqi.

Gjithsesi, del në pah mendimi se është një koncept i ri për diplomacinë shqiptare, një koncept europianist, që i përshtatet plotësisht nivelit të integrimit që përmendëm.

Pse emigranti, njeriu që lë vendin e vet në kërkim të një jete më të mirë, ka nevojë pikërisht që të ndihet si qytetar, me dinjitet njerëzor e të drejta individuale të respektueshme.

Ky koncept theksohet në kohën që po bëhen përgatitjet për zbatimin e vendimit qeveritar që në konsullatat shqiptare në Greqi e Itali të prodhohen pasaportat e reja biometrike, një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit tonë, por edhe të vendeve të tjera.

Trajtimi “si qytetar”, i shqiptarëve që do të paraqiten pranë këtyre zyrave për aplikim, është shumë i rëndësishëm, po të sjellim ndërmend se konsullatat tona kanë një të “kaluar mëkatare” në procese të ngjashme të mëparshme.

Si e pritët emërimin tuaj në Athinë? A ishte kjo dhe një dëshirë e juaja, apo thjesht ishte një zbatim urdhri nga “një ushtar i përkushtuar i diplomacisë”?

Janë të gjitha bashkë. Athina për mua është vendi i gjashtë që marr mandatin si ambasador i Shqipërisë jashtë vendit., është një nga vendet ku roli i ambasadës dhe ambasadori vlerësohet mjaft në politikën e jashtme të Shqipërisë. Greqia është një vend fqinj i Shqipërisë, rrjedhimisht shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe veç kësaj edhe një nga vendet kryesore ku ndodhet një komunitet shumë i madh shqiptar. Emërimi im si ambasador në Greqi ka kohë që “fle” në mendjen time, pas eksperiencës në disa vende të rajonit, por edhe të punës sime në ministrinë e jashtme, gjithmonë me vokacion rajonal. Greqia mbetet për mua një sfidë mjaft e rëndësishme, me synim kryesor për të ngritur, për të realizuar një ëndërr të të dy popujve tanë, për të realizuar marrëdhënie miqësore, vëllazërore, midis dy vendeve dhe popujve tanë.

Ndiqni më poshtë intervistën e dhënë për gazetën :”Tribuna” në Greqi:

Midis Athinës dhe Tiranës ka kohë që nuk janë realizuar kontakte të nivelit të lartë (jo domosdoshmërisht në nivel kryeministrash); madje edhe qëndrimi i ministrit të jashtëm Ilir Meta muajin e kaluar në Athinë, ishte më tepër kalimtar. Kjo mungesë kontaktesh, do të thotë se ato nuk janë të nevojshme, pasi problemet kryesore janë zgjidhur, apo ka ndonjë arsye tjetër?

Unë kam një mendim tjetër lidhur me këtë pyetje. Ka kohë që në marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë, por edhe me vendet e tjera, nuk janë vetëm ambasadorët përkatës në vendet përkatëse që kryejnë këtë mision të marrëdhënieve, kontakteve, të bashkëpunimit midis vendeve. Ka kohë që marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë kanë marrë përmasa mjaft të gjera dhe shumë të thella; jo vetëm ambasadorët janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përkatëse në vendin ku kryejnë detyrën, por mund të them pa frikë që të gjitha institucionet shtetërore dypalëshe janë në kontakt me njeri-tjetrin. Aktualisht, pothuajse të gjithë ministrat kanë lidhje dhe marrëdhënie reciproke me njeri-tjetrin, takohen në takime shumëpalëshe rajonale, që janë bërë të shpeshta. Por shfrytëzohen edhe raste për të bërë vizita reciproke.

Ministrat tanë të jashtëm janë në kontakt të vazhdueshëm dhe marrëdhëniet e tyre institucionale po kthehen gradualisht edhe në marrëdhënie shpirtërore, personale, konstruktive. Po ashtu dhe kryeministrat, presidentët, për të mos folur për ministrat e tjerë, të mbrojtjes, të brendshëm, të integrimit.

Pra, ka një integrim të përgjithshëm në nivel institucional. Kjo gjë e lehtëson edhe punën e Ambasadës e të ambasadorit, por njëkohësisht edhe e vështirëson, sepse kërkesat vijnë gjithmonë në rritje, për një punë gjithmonë e më cilësore. Mund t’ju vë në dijeni se, përveç takimit të ministrave të jashtëm para disa javësh në Athinë, javën e ardhshme do të ketë një takim të dy kryeministrave, Berisha e Papandreu, gjatë punimeve të sesionit të asamblesë së OKB, në Nju Jork.

Gjithashtu, është rasti për të përmendur gjestin shumë miqësor e human që policia greke realizoi këtë verë, duke marrë rreth 20 fëmijë të policëve shqiptarë, të vrarë gjatë aksioneve kundër krimit, të cilët pushuan së bashku me fëmijët e policëve grekë. Ky mendoj se është një veprim që konsolidon marrëdhëniet midis institucioneve tona.

Greqia thotë se qëndrimi i saj për të mos njohur Kosovën, mbetet i pandryshuar, të paktën tani për tani. Ndërkohë që besoj se edhe ju jeni përfshirë në betejën e diplomacisë shqiptare për të shtuar njohjet e pavarësisë së Kosovës. Cilat janë mesazhet që keni marrë nga pala greke, jo vetëm për çështjen e njohjes, por sidomos për marrëdhëniet midis Greqisë e Kosovës në përgjithësi, nisur dhe nga fakti që midis të dy vendeve ka ura komunikimi.

Ne jemi në kontakt dhe bashkëpunim të ngushtë me palën greke në shumë nivele, ndjekim nga afër qëndrimi e palës greke dhe evoluimin e qëndrimit të saj ndaj çështjes së Kosovës dhe njohjes së pavarësisë së saj. Ne kuptojmë drejt këtë qëndrim që lidhet me probleme të brendshme të politikës greke, por edhe me disa çështje specifike që kushtëzojnë këtë qëndrim. Mund të përmend këtu edhe faktin e disa lidhjeve dhe reminishencave të së kaluarës. Po ashtu edhe me disa qëndrime që pasqyrohen në njohjen ndoshta pak më të ngadaltë, të realiteteve të reja që po krijohen në rajonin tonë. Janë të gjithë këta faktorë që ne i kuptojmë drejt, dhe jo vetëm ne i kuptojmë drejt, por edhe pala greke, me sinqeritet, dhe në mënyrë të hapur i shpjegon këto qëndrime. Pra, lidhur me këtë çështje ka një mirëkuptim të plotë të situatës që po kalojmë.

Në të njëjtën kohë ne shikojmë dhe vlerësojmë edhe hapat evolutive që bëhen nga pala greke, për t’u adoptuar me realitetit dhe zhvillimet progresive që ndodhin lidhen me këtë çështje. Në mënyrë të veçantë ne vlerësojmë hapat që bëhen, disa masa që Greqia merr ndaj Kosovës në fushën ekonomike, duke qenë gjithmonë e më shumë e pranishme, nëpërmjet përfaqësimit të Greqisë me zyrën e saj të ndërlidhjes në Prishtinë, dhe lehtësirave të tjera, që de facto janë elementë të njohjes së Kosovës, pavarësisht se kjo njohje nuk është bërë de jure.

Ndërkohë ne vlerësojmë edhe formulat që qeveria greke ka gjetur lidhur me rolin e saj si një vend i konsoliduar i BE dhe i NATO-s në rajonin tonë, për integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në këto struktura, pa përjashtuar asnjë vend. Po ashtu dhe shumë qëndrime dhe veprime të tjera, në mënyrë të veçantë roli i Greqisë së fundi në përgatitjen e rezolutës së OKB-së të paraqitur në mënyrë të përbashkët nga Komuniteti Europian dhe Serbia.

Ne shikojmë me optimizëm se në këtë fushë mund të kemi edhe veprime të përbashkëta midis dy qeverive tona, gjithmonë në mënyrë konstruktive në dobi të stabilitetit e të sigurisë dhe perspektivës evropiane të rajonit tonë.

Le të vijmë në një temë tjetër. Nga informacionet që kenë marrë gjatë kësaj periudhe të shkurtër që ndodheni në Athinë, cilat janë problemet kryesore të komunitetit shqiptar e si mendoni të kontribuoni në zgjidhjen e tyre?

Në radhë të parë unë doja të theksoja faktin se gjatë kësaj periudhe shoh një ndryshim të madh me nivelin e gjendjes së emigracionit shqiptar në Greqi, krahasuar me periudhën para dhjetë vjetësh, kur unë isha drejtor i drejtorisë rajonale në ministrinë e jashtme. Në qoftë se atëherë kam thirrur në disa raste ambasadorin grek në Tiranë për të shprehur shqetësimin apo protestën e qeverisë shqiptare ndaj akteve të dhunshme që ndodhnin në kufirin shqiptaro-grek, sot shikoj një ndryshim të madh cilësor.

Unë sapo përfundova një tur në disa rajone të Greqisë, ku kam ndjekur nga afër jetën e shqiptarëve, duke marrë takime me kryesitë e shoqatave por edhe me autoritetet kryesore të administratës lokale greke. Kam verifikuar me kënaqësi një bashkëpunim mjaft të lartë cilësor, një integrim mjaft të mirë të shqiptarëve, një bashkëjetesë të shkëlqyer midis komunitetit shqiptar dhe popullsisë vendase në këto zona. Isha në Keratea, Egjeo, Santorini, ku jo vetëm shikoj një frymë vëllazërore bashkëpunimi midis komunitetit shqiptar dhe popullsisë greke e administratës, por shikoj edhe një angazhim të madh në zgjedhjet për pushtetin lokal që do të mbahen në nëntor, ku në disa raste numri i votuesve shqiptarë do të përcaktojë edhe fituesin e garës për kryetar bashkie. Kjo është një arritje mjaft e madhe, është një nga të drejtat themelore që i jepet qytetarit, me qëllim që atje ku punon e jeton, të japë verdiktin e tij me anë të votës.

Me heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë brenda këtij viti, unë mendoj se dalëngadalë, emërtimi emigrant apo refugjat, me procese shumë të shpejtuara, do të harrohet dhe ata do të marrin emrin qytetarë të Evropës.

Është rasti për të vlerësuar edhe njëherë rolin e padiskutueshëm të qeverisë greke, të kryeministrit Papandreu dhe të Parlamentit për këtë vendim që morën, që tregon për një emancipim mjaft të madh, me parametra evropiane dhe civilë.

Që mos “t’i shmangem” pyetjes tuaj, kuptohet që probleme ka, problemet shoqërojnë gjithmonë jetën e emigrantit, dhe gjithë interesimi ynë do të përqendrohet pikërisht në zbutjen dhe kapërcimin e problemeve. Unë kam pasur takime me autoritete të larta greke, dhe pak a shumë fryma me të cilën kemi diskutuar, është se njihen arritjet, njihen dhe problemet dhe ajo që është e rëndësishme, është se po ndajmë së bashku shqetësimet që ka dhe po kërkojmë rrugët për zgjidhjen e problemeve. Ka shumë gjëra që nuk mund të zgjidhen menjëherë, që kërkojnë kohën, procesin dhe maturinë e tyre. Rëndësi ka që unë shikoj një ndjeshmëri, një shqetësim të autoriteteve zyrtare të Greqisë, në të gjitha nivelet.

FUND

Kush është ambasadori i ri

Dashnor Dervishi, është një diplomat karriere, që ka shërbyer në shumë shtete si ambasador i Shqipërisë. Pas përfundimit të studimeve të larta për fizikë bërthamore, ai punoi për disa vjet si kryeredaktor i revistës “Shkenca dhe jeta” e në vitin 1976 u emërua në Ministrinë e Jashtme. Ai ka qenë ambasador i Shqipërisë në Meksikë (1986-1988), në Itali (1988-1992), në Izrael (1998-2000), në Turqi (2000-2001), në Rumani (2006-2010). Në intervalet e qëndrimit të tij në atdhe, ka ushtruar detyra të ndryshme si këshilltar diplomatik i kryeministrit, drejtor i integrimit euro-atlantik, drejtor i marrëdhënieve rajonale, përfaqësues i Shqipërisë në Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore -SEECP, Organizatën e vendeve të Detit të Zi -BSEC, si dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në shumë konferenca ndërkombëtare.

Ai është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë dhe “Pol Harris Award”, si themelues i Rotary Clun në Shqipëri. Zotëron anglishten, frëngjishten, spanjishten dhe italishten. Është i martuar, me dy fëmijë.

KOMENTE