English

Instituti i Qytetërimit Islam: Universiteti Islamik, një gjë që mungonte

Tiranë, 20 shtator, NOA – Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC) e ka vlerësuar vendimin e Komunitetit Mysliman për hapjen e universitetit të shkencave Islame në Shqipëri.

Drejtori i këtij instituti, Ramiz Zekaj, në një deklaratë të posaçme ka pohuar se “duke qenë se mbi 70 përqind e popullsisë shqiptare i përket besimit islam, hapja e një universiteti me karakter teologjik do t’i përgjigjej kërkesave të besimtarëve për t’u kompletuar me dije mbi Islamin dhe do të shuante debatet dhe diskriminimet e praktikantëve të këtij besimi, të bëra herë pas here nga universitetet laike”.

Sipas tij, “hapja e një institucioni të kësaj natyre në Kryeqytetin e Shqipërisë ka rëndësi të madhe në arritjen e standardeve sa më të larta në lëvrimin e kulturës dhe qytetërimit islam, por edhe në rritjen e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe social të vendit.

“Arsimimi fetar për shqiptarët është histori, aktualitet edhe perspektivë. Formimi, dijet, edukata dhe kultura fetare është oksigjeni që mund të kontribuojë më së miri për shëndoshjen e klimës së rënduar sociale në vend”, thuhet në këtë deklaratë.

Duke përmendur faktin se qeveria shqiptare dhe organizmat ndërkombëtare e kanë parë me shumë interes një nismë të tillë, që nuk ka arritur të jetësohet akoma.

“Dihet se tashmë në qytete e metropole europiane kemi disa universitete siç është ai i Roterdamit, ndërsa në Ballkan kemi disa fakultete Islame si në Sarajevë, Prishtinë, Shkup, Pazar të Ri (Sanxhak), etj. Shumë prej të rinjve shqiptarë janë detyruar që herë pas here t’i drejtohen këtyre universiteteve, por edhe të tjerave me karakter fetar për të përmbushur etjen e tyre në formimin mendor dhe shpirtëror mbi Islamin. Universiteti i Shkencave Islame në Shqipëri do t’u vijë në ndihmë të gjithë të rinjve, që nuk kanë mundësinë të jenë pjesë e universiteteve jashtë vendit dhe gjithashtu do të ndikojë në reduktimin e shpenzimeve ekonomike për studentët të cilët janë aktualisht në universitetet islame botërore”, përfundon deklaratën e tij, dr.Ramiz Zekaj.

n.e/NOA

KOMENTE