English

KFOR, Byhler: Lipset zgjidhje politike për sigurinë në Veri të Kosovës

Prishtinë, 20 shtator, NOA – “Situata e sigurisë në Veri të Kosovës, në Mitrovicë është e ndërlikuar dhe nuk mund të zgjidhet vetëm me veprime ushtarake”.

Kështu ka deklaruar sot në një konferencë për shtyp, komandanti i forcave të KFOR-it, Erhard Byhler, ndërsa bëri një prezantim të gjendjes së sigurisë në këtë pjesë të Kosovës.

Byhler tha se forcat paqeruajtëse të KFOR-it po mbështesin policinë e Kosovës dhe EULEX-in, që të mos lejojnë përshkallëzimin e dhunës në Veriun e Kosovës.

Gjenerali gjerman Byhler, i bëri ndërkaq thirrje politikës kosovare e serbe të nisin dialogun për zgjidhjen e kësaj çështjeje që vë në vështirësi jo vetëm sigurinë e zonës, por edhe të rajonit.

Byhler tha se KFOR-i ka edhe plane të veçanta operative, për të cilat mjafton vetëm një alarm i vogël, nga Policia e Kosovës, apo EULEX-i, që ushtarët e KFOR-it të ndërhyjnë për të qetësuar brenda pak minutash situatën.

Shefi i KFOR-it, Erhard Byhler foli edhe për strukturat paralele, dhe nënvizoi se “Çështja e strukturave paralele është e rëndë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për Rezolutën 1244, por kjo çështje është politike, pasi dialogu Prishtinë - Beograd pritet të fillojë shpejt dhe ne fillimisht jemi duke pritur këto bisedime dhe më pas të diskutojmë për veprime të tjera”, bëri me dije gjenerali Byhler.

Ndërsa pritet të shkurtohet numri i ushtarëve të KFOR-it, Byhler tha se po vazhdon edhe procesi i kalimit të disa përgjegjësive nga kjo forcë ushtarake te Policia e Kosovës.

mit/NOA
KOMENTE