English

Partia Ekologjike: Mjedisi, në situatë emergjente

Prishtinë, 20 shtator, NOA – Një gjendje tejet e rëndë dhe dramatike ekologjike- mjedisore karakterizon këto momente mjedisin në Kosovë, ndërsa nga ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka një angazhimi të ulët në drejtim të përmirësimit, evitimit apo ndërprerjes së saj.

Kështu shprehet në një letër të hapur drejtuar ministrit Mahir Yagcilar, Arif Krasniqi, kryetar i Partisë Ekologjike të Kosovës.

Sipas tij, Kosova është përfshirë nga rreziku ekologjik dhe mjedisor, për shkak të dhunimeve të rrezikshme dhe kaosit të cilit për çdo ditë e më shumë i ekspozohet hapësira jetësore kosovare.

“Ju jeni ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa para hunde dhe atë në drejtimet të pikave më strategjike dhe të infrastrukturës rrugore, pa të drejtë, apo, çka është edhe më keq, me miratimin e juaj të heshtur, për çdo ditë lindin parqe të ndryshme industriale, komplekse urbane, varreza automjetesh, të cilat e degradojnë mjedisin jetësor dhe në mënyrë më të paskrupullt e shkatërrojnë shëndetin e qytetarëve tanë”, thuhet më tej në letër.

Duke shtuar se .akoma në mënyrë sistemore nuk është zgjedhur një çështje shumë e rëndësishme, ajo e menaxhimit të ujërave të zeza, riciklimi, depot dhe menaxhimi i mbetjeve urbane.

“Për mosangazhimin e juaj dhe mospërgjegjësinë institucionale, tej mase rrezikohet i tërë sistemi ekologjik e mjedisor, por edhe ekosistemi, flora e fauna e Republikës së Kosovës. Z.ministër, në mënyrë permanente janë duke u shkatërruar shtretërit e lumenjve, burimet ujit, pyjet, livadhet dhe kullosat, toka e bukës dhe pasuritë të tjera natyrore”, kritikon kryetari i Partisë Ekologjike të Kosovës.

Duke i propozuar në fund ministrit se ai duhet të propozojë një pako masash dhe politikash të reja ekologjike dhe mjedisore për këto çështje tejet të rëndësishme për qytetarin dhe të gjithë gjallesat të tjera të vendi tonë.

“Seriozisht të angazhoheni në implementimin e ligjeve dhe udhëzimeve të tjera administrative të cilat vet i keni propozuar dhe tani më janë miratuar. Më shumë vizion z. ministër, guxim dhe shpejtësi veprimi”, përfundon letra.

n.e/NOA

KOMENTE