English

Haxhinasto-Alkalaj: Shqipëria e gatshme të mbështesë Bosnje-Hercegovinën përdrejt integrimit

Nju Jork, 21 shtator, NOA – Në kuadër të punimeve të sesionit të 65-të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ka takuar sot edhe ministrin e Jashtëm të Bosnje-Hercegovinës, Sven Alkalaj.

Gjatë takimit ministri Haxhinasto vlerësoi bashkëpunimin midis dy vendeve dhe gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në promovimin e shkëmbimeve ekonomike dhe të lëvizjes së lirë, duke mbajtur parasysh objektivat e tyre të përbashkëta të integrimit evropian dhe euroatlantik.

Ministri i Jashtëm boshnjak, pasi falenderoi për hapjen e Ambasadës shqiptare në Sarajevë, njoftoi se së shpejti edhe vendi i tij planifikon të hapë Ambasadën e Bosnje- Hercegovinës në Tiranë.

Ministri Alkalaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria i ka dhënë Bosnje- Hercegovinës në procesin e integrimit euroatlantik dhe në ecjen përpara me Planin e Veprimit për anëtarësim në NATO.

Zoti Alkalaj kërkoi që Shqipëria të ofrojë asistencë mbështetur në përvojën e saj dhe rrugën e përshkruar deri në anëtarësim.

Nga ana e tij, Ministri Haxhinasto siguroi homologun Alkalaj, se Shqipëria është e gatshme të asistojë edhe më tej Bosnje-Hercegovinën në rrugën e integrimit në NATO.

Madje Haxhinasto propozoi formalizimin dhe konkretizimin e saj duke punuar për një protokoll përkatës bashkëpunimi e asistence në këtë fushë.

Ministri Alkalaj vuri në dukje nevojën e bashkëpunimit në kuadër të Aleancës së Civilizimeve dhe organizmave tjera rajonale shumëpalëshe, ndërsa shprehu kënaqësinë për progresin që dy vendet kanë bërë në rrugën drejt liberalizimit të vizave me zonën Shengen.

Ministri Haxhinasto theksoi në këtë kontekst politikën konstruktive të Shqipërisë për bashkëpunimin dhe integrimin rajonal dhe shprehu nevojën për domosdoshmërinë e përfshirjes se Kosovës në gjithë aktivitetet e këtij procesi.

Në fund të takimit, ministri boshnjak Alkalaj e ftoi ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinaston të vizitonte Sarajevën në të ardhmen e afërt.

mit/NOA
KOMENTE