English

“Republika e Shqipërisë” sh.a.

Sjelljet “dashamirëse” të shtetit ndaj politikës, biznesit dhe investimeve, e kanë bërë shtetin si selinë e shoqërive të përbashkëta të investimit. Kjo shoqëri e madhe aksionere e ka emrin Republika e Shqipërisë. Ky emër është ngrirë në Kushtetutë, e cila vlerësohet e zbatohet sa e si statuti i shoqërive aksionere. Kjo është gjendja ku jemi

Nga Ylli Manjani Akuzat që shkëmbejnë selitë e PD’së dhe PS’së me njëra-tjetrën në këtë prag fushate elektorale po tregojnë një të vërtetë të madhe. Shteti ynë është tashmë një shoqëri aksionere (sh.a), ku aksionere është e gjithë politika shqiptare. Të majtë e të djathtë, pozitë e opozitë pa dallim, janë të bashkuar në shoqëri të përbashkëta aksionerësh. Tartari, Selmanllari dhe Avllari përfaqësojnë në fakt simbolikisht mënyrën sesi ndahen fitimet ndërmjet pozitës dhe opozitës. Raporti i ndarjes së fitimeve (të paktën ndërmjet këtyre tre aksionerëve) është 80% për Qeverinë (grupin e ngushtë që qeveris) dhe 20% për opozitën (grupin edhe më të ngushtë që jep leje ndërtimi). Deklarimet që bëjnë palët për njëri-tjetrin e shprehin, pa dashjen e tyre, këtë të vërtetë të madhe. Kombinimi i ortakërisë (Qeveri-Opozitë) në menaxhimin e punëve publike e private është absolutisht perfekt dhe tepër efikas. Një pjesë e ortakëve (zakonisht janë shumica) siguron favore në Qeveri, kurse pjesa e mbetur siguron favore në Bashki. Kështu, Qeveria dhe Bashkia (njëkohësisht pozita dhe opozita) vihen në shërbim të këtyre ortakërive duke multiplifikuar fitimet e grupeve përkatëse që drejtojnë qeverisjen qendrore dhe atë lokale. Me këtë rast krijohen ura bashkëpunimi ndërmjet politikës, anët e së cilës kanë për detyrë, më së paku të ruajnë përqindjet e aksioneve në shoqëritë e investimeve dhe më së shumti t’i shtojnë përqindjet vetes duke fituar sa më shumë vota për të rrëmbyer sa më shumë aksione në kësi shoqërish të përbashkëta. Në këto kushte, qartësisht politika vihet në shërbim të kësaj logjike dhe i shërben ngushtësisht këtij realiteti. Ky realitet provohet çdo ditë në çdo fjalë apo akuzë që politika lëshon për konsum publik. Kur Edi Rama fliste për politikë të re përtej të majtës dhe të djathtës, kishte parasysh pikërisht këtë bashkëpunim aksionerësh që zhvatin në çdo pushtet të mundshëm. Nga ana tjetër, kur Berisha etiketon Ramën si “Mr. 20%”, ka parasysh se kaq është përqindja e aksioneve që i takon opozitës çdo investimi në shoqërinë aksionere. Rama (përfaqësuesit e tij) duket sikur “ankohet” për këtë përqindje të ulët që i lihet, teksa zbulon për ditë se aksionerët e mëdhenj (miq të Qeverisë) përfitojnë më shumë sesa aksionerët miq të tij. Të dy palët vetëm sa ekspozojnë shumat marramendëse që ndajnë në fund të vitit si dividend në shoqëritë aksionere të zhvatjes së Shqipërisë. Shumat duhet të jenë të mëdha. Me një llogari të thjeshtë, nëse marrim të mirëqena shifrat që thuhen publikisht se 20 përqindëshi i Ramës vlen 100 milionë euro, atëherë 80 përqindëshi i Berishës është të paktën 400 milionë euro. Kjo është logjika e një shoqërie aksionere fitimprurëse. Politika është molepsur keqas sepse, duke qenë të gjithë në shoqëri të përbashkëta aksionerësh, të gjithë krahët janë praktikisht dhe ekonomikisht në pushtet. Vendi mbi të gjitha nuk ka opozitë, sepse kjo e fundit është aksionere në shoqërinë e përbashkët me Qeverinë, pra është në pushtet. Megjithëse aksionere në minorancë (ose në pushtet lokal) përsëri fitimet janë shumë të mëdha, aq të mëdha sa që nuk ia vlen të merresh me opozitë politike reale. Me një opozitë në pushtet nuk ka demokraci. Nga ana tjetër, pozita që zotëron shumicën e aksioneve në biznesin e përbashkët, nuk ka sesi të jetë më e mirë kur nuk ka opozitë. Për sa kohë që opozita jep leje ndërtimi, pozita është “legjitime” të bëjë ç’të dojë me këtë vend. Kjo është aksioma në të cilën vepron qartësisht politika jonë. Kjo aksiomë vihet re në çdo deklarim të zyrtarëve të pushtetit, kur në shfaqjet e tyre publike “justifikohen” me referenca nga skandalet e qeverive apo bashkive që drejtohen nga PS’ja. Morali që palët përpiqen të shesin publikisht është i pështirë dhe hipokrit. Fabulat që sajohen nëpër konferenca shtypi në emër të moralit bazohen në “thirrjen e hajdutit për të kapur hajdutin”. Në botën e të moralshmes, hajduti është një fjalë e rëndë dhe tërheq një audiencë shumë të madhe. Fiks kjo audiencë i duhet politikës që të shmangë vëmendjen nga biznesi i aksionerëve të përbashkët. Sigurisht, në fund askush (të paktën hajdutët e vërtetë) nuk kapet sepse vjen koha që aksionerët të ndajnë dividendët dhe kështu “zbuten” gjakrat qoftë edhe përkohësisht. Në këtë periudhë zbutjeje, bota që jeton me moral sheh dhe duartroket me sinqeritet (kështu e kërkon morali njerëzor) konsensuse politike, e tryeza reformash konsensuale, të cilat nuk u prishin ndonjë punë shoqërive të përbashkëta aksionere. Morali i biznesit nuk përkon me moralin e shoqërisë. Kjo është një aksiomë e vjetër sa vetë shoqëria moderne. Në kohë fushatash elektorale, si kjo që kemi hyrë tashmë, palët politike i tregojnë haptazi pisllëqet që bëjnë bashkë nëpër shoqëritë e përbashkëta të biznesit me shpresën që populli, pasi t’i përtypë këto akuza, të rreshtohet në favorin e tyre. Zakonisht, suksesi i palëve përcaktohet nga fakti se sa bukur e luan rolin e akuzuesit ose të të akuzuarit. Të dy liderët tanë e kanë mësuar mjeshtërisht këtë lojë, që vazhdojnë ta luajnë me pasion të madh. Të gjithë e dimë se kur të kap Berisha në dorë të telendis paq. Ashtu siç e dimë se Rama ka mësuar mjaft mirë rolin e viktimës së akuzuar që i dhimbset elektoratit bash në momentin e duhur. Me thënë të drejtën nuk është se s’ia kanë arritur. Kjo politikë ka shndërruar të gjithë shtetin (bashkë me shoqërinë) në një shoqëri aksionere të madhe. Në këtë shoqëri, Qeveria e votuar nga rreth 45% e shqiptarëve ka parazgjedhur të marrë 80% të fitimeve. Ndërsa opozita, që edhe ajo është votuar nga po e njëjta shumicë, ka mbetur me 20% të fitimeve. Në këtë terren, Qeveria lufton të ruajë pozitën e saj kurse opozita, duke mos rrezikuar atë që merr aktualisht në minorancë aksionesh (Bashkinë e Tiranës), lufton t’i zërë vendin Qeverisë, jo për të sjellë ndryshim po për të marrë përqindjen që merr Qeveria e sotme. Pra, rezultati i zgjedhjeve lidhet drejtpërdrejt me raportin e fitimeve të palëve në shoqëritë e përbashkëta të investimeve. Kjo shpjegon investimin e madh publik që palët bëjnë në çdo fushatë zgjedhore. Edhe në fushatën që sapo kemi hyrë kjo gjë duket qartë. Arena ku zhvillohet kjo betejë është shteti, i cili përdoret si instrument për të garantuar status quonë politike në këto shoqëri të përbashkëta që përcaktohen nga rezultati i zgjedhjeve. Sjelljet “dashamirëse” të shtetit ndaj politikës, biznesit dhe investimeve, e kanë bërë atë (shtetin) si selinë e shoqërive të përbashkëta të investimit. Pasuria publike, që shteti duhet ta administrojë në dobi të publikut, është kapitali në natyrë që vendoset në këto shoqëri me vendim Qeverie dhe me leje ndërtimi të Bashkive. Vlera e aksioneve përcaktohet nga zgjedhjet politike, si dhe nga fakti se kush merr Qeverinë. Gjykatat janë thjesht zyra arbitrazhi privat që duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet (zakonisht në dobi të më të fortit). Ndërsa ortakët konkretë caktohen nga kryetarët e partive. Kjo shoqëri e madhe aksionere e ka emrin Republika e Shqipërisë. Ky emër është ngrirë në Kushtetutë, e cila vlerësohet e zbatohet sa e si statuti i shoqërive aksionere. Kjo është gjendja ku jemi.

KOMENTE