English

Rrjeti i Organizatave Shqiptare, nesër takim në Tiranë

Tiranë, 23 shtator, NOA – Ditën e nesërme mbahet në Tiranë takimi i katërt i Rrjetit të Organizatave Shqiptare (RROSH), ku marrin pjesë shoqata nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe bashkësia çame.

Që nga themelimi i tij para dy vjetësh, Rrjeti i Organizatave Shqiptare ka shërbyer si forum informimi dhe kuadër bashkëpunimi për të organizuar veprimtari me interes kombëtar.

Takimi i katërt vjen pas tri takimeve të mëparshme të zhvilluara në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, ndërsa këtë radhë në takim janë ftuar edhe historianë për të paraqitur në një perspektivë historike zhvillimet aktuale në trevat shqiptare.

Kjo bëhet sepse aktualiteti nuk mund të shihet i shkëputur nga e shkuara, se disa nga problemet e tanishme kanë rrënjë më të thella se sa tranzicioni dhe se ato që po ndodhin sot me shqiptarët në Ballkan do të kene pasoja të rëndësishme për të ardhmen e tyre.

Në pjesën tjetër të takimit, organizatat anëtare të RROSH-it do të diskutojnë mbi ecurinë e deritanishme të bashkëpunimit dhe me veprimtaritë e përbashkëta që organizatat anëtare do të realizojnë në të ardhmen.

Midis organizatave të pranishme janë Lëizja Vetëvendosje!, e cila së fundi ka shpallur pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës, organizata Zgjohu! nga Shkupi, Çohu nga Prishtina, organizata Asan, Klubi Kombetar Shqiptar, Mjaft, ASAN nga Tirana etj.

n.e/NOA

KOMENTE