English

Donte asistencë të pamerituar, i thyen shishe birre në kokë kryetarit të komunës

Përmet, 24 Shtator, NOA – Një person është arrestuar në flagrancë nga forcat e policisë së Përmetit, pasi ka goditur dhe fyer për shkak të detyrës kryetarin e komunës së Dëshnicës.

Ngjarja konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA duke saktësuar se i ndaluari është 42-vjeçari Surja Kasaj, lindur dhe banues në fshatin Katundishtë të Përmetit.

Sipas tyre, gjithçka ka ndodhur në pasditen e djeshme, kur në qytetin e Këlcyrës i ndaluari ka shkuar në një lokal afër zyrave të komunës së Dëshnicës, tek tavolina ku ishte ulur për kafe Bujar Fezga, me detyrë kryetar i kësaj komune.

Mësohet se Kasaj ka debatuar dhe e ka fyer kryetarin e komunës e më pas e ka goditur për shkak të detyrës me sende të forta si shishe birre, e me grushte duke i shkaktuar Bujar Fezgës dëmtime trupore.

Shkaku i kësaj ngjarje ishte se Kasaj i kërkonte kryetarit të komunës t’i jepte një kullotë për bagëtitë e tij, si dhe të përfitonte asistencë në mënyrë të paligjshme, pasi sipas ligjit nuk i takonte.

Ndërkaq, me ndërhyrjen e disa personave të tjerë, Surja Kasaj ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes.

Por menjëherë është lajmëruar komisariati i Policisë në Përmet ku forca të shumta të policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe pas rreth një ore kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit Surja Kasaj në një lokal në periferi të Këlcyrës.

Ndërsa kryetari i komunës është dërguar në spitalin e Gjirokastrës për të marrë ndihën e parë mjekësore si dhe raportin mjekoj ligjor, ku aktualisht s’ka rrezik për jetën.

Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e para hetimore dhe u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit të lartpërmendur për veprat penale të “Goditjes për shkak të detyrës” dhe “Fyerje për shkak të detyrës”, vepra këto të parashikuara nga nenet 237 dhe 239 të Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE