English

Buxhuku: Të shmanget abuzimi me çmimin e kasave fiskale

Tiranë, 26 shtator, NOA - Administratori i Përgjithshëm i Konfindustria Gjergj Buxhuku ka mbështetur idenë për pajisjen e të gjitha bizneseve me kasa fiskale, ndërsa ka kërkuar nga qeveria shmangien e abuzimeve dhe krijimin e mundësive për uljen e çmimit të tyre.

“Konfindustria kërkon nga ekzekutivi shqiptar, që të plotësoje sa më shpejt për të gjithë llojet e bizneseve, pa përjashtim, vendosjen e kasave fiskale, si një nga kushtet e domosdoshme për formalizmin e ekonomisë në tërësi”, u shpreh në një konferencë për mediat sot Buxhuku.

Nga ana tjetër ai ka theksuar se në vendosjen e çmimeve duhet të shmangen spekulimet e individëve apo kompanive private.

“Konfindustria kërkon nga ekzekutivi të gjenden mjetet për pajisjen e tregtarëve të pakicës me kasa fiskale, me kosto sa më të ulet si dhe të shmanget me çdo kusht çdo mundësi spekulimi për përfitime të padrejta individësh dhe kompanish private, që godasin drejtpërdrejtë në mënyrë të përsëritur vetë qëllimin e procesit”, tha Buxhuku.

Ai ka vlerësuar si pozitive dhe qëndrimin e opozitës për mënyrën e aplikimit dhe çmimin e kasave fiskale.

“Konfindustria ka mbi 3 vjet, që ka kërkuar publikisht njëkohësisht pranë Z. Sali Berisha Kryeministër i Shqipërisë dhe Z. Edi Rama Kryetar i Partisë Socialiste për domosdoshmërinë e ndryshimit rrënjësor të shkallës së papranueshme të formalizmit të ekonomisë shqiptare”, tha ai.

Buxhuku shtoi se vendosja e kasave fiskale për gjithë nivelet e biznesit është veprim i rëndësishëm, i cili duke u shoqëruar me shtrirjen e përfshirjes në skemën e TVSH-së, deklarimin e të ardhurave personale, di dhe njohjen e shpenzimeve të zbritshme për qytetaret, janë mjetet e duhura për normalizimin e ekonomisë shqiptare.

a.k/NOA

KOMENTE