English

Nis edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar “Pri Film Fest”

Prishtinë, 26 shtator, NOA - Ka filluar në Prishtinë edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar të filmit “Pri Film Fest”, ku do të garojnë 12 filma të metrazhit të gjatë dhe të mesëm.

Festivali është hapur me premierën e filmit kosovar “Gomarët e Kufirit”.Në kuadër të këtij edicioni të “Pri Film Fest” do të prezantohen edhe pesë filma, në të cilët ka interpretuar aktori shqiptar me famë botërore, Bekim Fehmiu. E veçantë tjetër e këtij edicioni do të jetë edhe Java e Filmit Italian.

Kryetare e jurisë së Festivalit është producentja australiane Eva Orner, e cila është fituese e shpërblimit “OSCAR” dhe EMMY”, kurse në Prishtinë vjen si president e Jurisë Ndërkombëtare në edicionin e dytë të Pri Film Fest. Në ceremoninë e hapjes ajo buzëqeshi duke u thënë të pranishmëve: “Please cheers” , dua të kem një fotografi në albumin tim personal nga kjo ngjarje e rëndësishme kulturore…”.

Ndërsa në fillim të paraqitjes së saj në skenë, Eva Orner ka shtuar se ndihet shumë krenare që si president e jurisë ndërkombëtare, merr pjesë në një eveniment të tillë dhe mjaft të rëndësishëm kulturor, i cili organizohet në vendin më të ri të botës, në Kosovë. Festivali “Pri Film Fest” mbahet në Kinemanë ABC dhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Në garë janë 12 filma që garojnë për pesë çmimet: “Hyjnesha e Artë”, për filmin më të mirë, regjinë, aktorin, aktoren dhe çmimin special të jurisë.

Si vitin e kaluar edhe këtë vit ky festival përkrahet financiarisht nga Ministria e Kulturës të Kosovës.

Festivali i cili rrugëtimin e tij e nisi vitin e kaluar me moton “Fillimi i një miqësie të bukur”, ka arritur të zgjerohet edhe më shumë në edicionin e dytë. Moto e edicionit të dytë të PRI FILM FEST, është “Miqësia Vazhdon”.

Festivali ka nisur me premierën e filmit “Gomarët e Kufirit” i regjisorit Jeton Ahmetaj, i metrazhit 100 minutash. Filmi rrëfen për jetën e shqiptarëve në kohën e Enver Hoxhës dhe Shokut Tito.

Ndërsa është i vetmi film shqiptar i cili është në konkurrencë për çmimin kryesor “Hyjnesha e Artë” të cilën e ndan edicioni i dytë i Pri Film Festit.

Festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë ka filluar në shtator të vitit 2009, është konsideruar shumë i suksesshëm, veçanarishtë për arsye se festivali është hapur nga fituesja e cmimit Oskar dhe Golden Globe Venessa Redgrave, e cila njëkohësisht është edhe kryetare e Bordit të PriFilmFest-it.

"Ekzistojnë festivale që hyjnë në listën A dhe në listën B të festivaleve në botë. Per mua ky festival tani i takon listës A te festivaleve"-është shprehur zonja Redgrave në një intervistë për RTK-në e Kosovës.

“PriFilmFest” në Prishtinë është festival me motiv garues për filmat pjesëmarrës. Filmat që pranohen në këtë festival mund të jenë prodhim i dy viteve të fundit, me metrazh 35mm, dhe HD.

Milena Selimi, NOA

KOMENTE