English

Haxhinasto-Miloshoksi: Takim rajonal edhe mes kryediplomatëve

Nju Jork, 27 shtator, NOA – Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto zhvilloi një takim dypalësh gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork me homologun e tij të Maqedonisë, Antonio Milloshoski, ku u vunë në pah marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes vendeve tona, niveli i lartë i bashkëpunimit si dhe nevoja për ta shtrirë këtë bashkëpunim edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Në këtë drejtim, u diskutua për të zhvilluar edhe një takim 4-palësh vjetor në nivel ministrash mes Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi, ashtu siç bëhet midis presidentëve.

Ndër të tjera, ky takim mund të shërbejë edhe për mundësimin e paraqitjes së përbashkët të kandidaturave në kuadër të organizmave shumëpalëshe.

Më pas të dy bashkëbiseduesit ranë dakord për nevojën e nxitjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar mes dy vendeve tona.

Haxhinasto theksoi nevojën për përfundimin e projekteve të infrastrukturës e cila jo vetëm sjell zhvillim ekonomik, të turizmit dhe shkëmbimit kulturor por edhe integrim më të ngushtë mes popullatave të rajonit. Kështu për shembull rëndësi e veçantë i duhet kushtuar përfundimit të projektit për lidhjen hekurudhore mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, pjesë kjo edhe e korridorit të tetë.

Më tej, ai u shpreh se zbatimi në tërësi i Marrëveshjes së Ohrit përbën themelin e domosdoshëm tek i cili mbështetet edhe funksionimi harmonik i shoqërisë shumë-etnike në Maqedoni.

Nga ana e tij, Milloshoski e falënderoi Haxhinaston për rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në këtë drejtim.

n.e/NOA

KOMENTE