English

“Kurajo”: Reagimi i SHBA për Gjykatën Administrative, turpi i radhës

Tiranë, 27 shtator, NOA – “Deklarata e bërë nga Ambasada e Shtetet e Bashkuara mbi miratim urgjent të ligjit për Gjykatën Administrative pa dyshim është turpi i radhës që politika jonë na ofron në këtë prag sezoni të ri parlamentar”.

Kështu ka reaguar përmes një njoftimi për shtyp Qendra Mediatike “Kurajo”, lidhur me tërheqjen e vëmendjes autoriteteve shqiptare që ambasada e SHBA në Tiranë u ka bërë se vonesat në miratimin e Ligjit për Gjykatat Administrative mund të rrezikojnë vazhdimësinë e ndihmës së qeverisë së ShBA-ve, për to.

“Ligji mbi Gjykatat Administrative është një prej gjashtë përbërësve të Programit të Pragut II të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit – Shqipëri, i cili u nënshkrua në shtator 2008.

Projektligji ka mbetur pezull në Kuvend nga fillimi i vitit 2009 pa votat dhe shpjegimin e opozitës se përse ky ligj nuk duhet miratuar. Gjithashtu, ngritja e këtyre gjykatave do të përafronte më tej sistemin gjyqësor të Shqipërisë me standardet e kërkuara për integrimin në BE”, thuhet në njoftimin e “Kurajo”-s.

Duke shtuar se dështimi për ta miratuar këtë ligj do të çojë në mbylljen e veprimtarive për Gjykatat Administrative që administrohen nga USAID nën Programin e Pragut të mijëvjeçarit.

“Politika shqiptare të gjejë argumentet “pro” edhe “kundër” për miratimin e tij, si edhe të veprojë në interes të kombit popullit për të ardhmen së tij në familjen evropiane.

Ligji në fjalë është hedhur disa herë në votim, por opozita pa e argumentuar nuk e ka votuar atë, megjithë kërkesat e biznesit, i cili humbet 400 milionë Euro në vit nga mos funksionimi i shtatë Gjykatave, nuk argumentohet mosvotimi nga opozita”, citojnë drejtuesit e kësaj qendre.

Duke përfunduar se “kërkesë apo urdhëresë, mos miratimi i ligjit “Mbi gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative,” të njohur si ligji mbi Gjykatat Administrative, penalizon fondet e SHBA-së. Gjithashtu, ngritja e këtyre gjykatave do të përafronte më tej sistemin gjyqësor të Shqipërisë me standardet e kërkuara për integrimin në BE”.

n.e/NOA

KOMENTE