English

U vodhi kabllin e shtëpisë, i riu mbahet peng duke i kërkuar lekë që mos e denonconin

Durrës, 27 shtator, NOA – Ndërsa një person u kap prej dy të tjerëve në flagrancë, duke vjedhur kabëll elektrik në shtëpinë e tyre, ata e kanë mbajtur peng duke i kërkuar 1 milionë lekë në këmbim të moskallëzimit në polici.

Por hajduti duket se nuk e ka pranuar një shantazh të tillë, duke bërë që dy të lartpërmendurit të mos e marrin dot shumën e kërkuar të lekëve dhe e kanë dorëzuar atë në polici, së bashku me kabllin e vjedhur në shtëpinë e tyre.

E nga kjo skenë, nuk ka shpëtuar në fakt asnjëri prej tre personave, pasi forcat e policisë së Durrësit i kanë arrestuar që të tre, si të përfshirë në ngjarjen në fjalë.

Konkretisht, bëhet me dije se të ndaluarit janë Durim Disha, 39-vjeç; banues në fshatin Rreth të Shijakut (grabitësi i kabllit elektrik); Gjok Bushaj, 50 vjeç, banues në fshatin Draç të Ishmit dhe Bledar Bushaj, 22 vjeç, edhe ky banues në fshatin Draç.

Këta tre persona u arrestuan për veprat penale të vetëgjyqësisë dhe heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim.

Ngjarja e ndodhur në fshatin Shën-Pjetër të Ishmit, ndërsa mësohet se pas kontrollit të ushtruar në banesën e Durim Dishës, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një automatik model 56 i kalibrit 7.62 mm dhe një krehër me 30 fishkë.

U kryen veprimet proceduriale dhe materialet iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.

n.e/NOA

KOMENTE