English

Arratisja e Tafilit, MD: Grupi i shoqërimit neglizhent për ruajtjen e të dënuarit

Tiranë, 3 tetor, NOA – Ministria e Drejtësisë ka reaguar para pak minutash për ngjarjen e bujshme të arratisjes së të dënuarit me 16 vite burg, Admir Tafili, vëllai i Genc Tafilit, i dënuar përjetësisht për vrasjen e kolonelit dhe kryepolicit të Shkodrës, Arben Zylyftarit.

Ministria e Drejtësisë deklaroi në një konferencë për shtyp se arratisja e të dënuarit ndodhi për shkak të neglizhencës së grupit të shoqërimit të policisë së burgut, që duhej ta kishte survejuar rreptësisht të dënuarin.

Ministria e Drejtësisë sqaron opinionin publik se dy të dënuarit e burgut të Shën Kollit në Lezhë, Admir dhe Genci Tafili, janë trajtuar me leje të veçanta sipas parashikimit ligjor. MD bën me dije se në rastin e trajtimit me leje për arsye shëndetësore janë autoritetet lokale të shëndetësisë që lëshojnë dokumentacionin provues.

“Gjithashtu është detyrim i policisë së burgjeve, strukturë në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë që të sigurojë ruajtjen e veçantë gjatë periudhës së lejes”, pohon zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë.

“Në rastin e vëllezërve Tafili, grupi i shoqërimit nga policia e burgjeve ka neglizhuar rëndë ushtrimin e detyrës përreth banesës së të dënuarve, çka ka bërë të mundur largimin e shtetasit Admir Tafili”, tha ajo.

Ministria e Drejtësisë në këtë konferencë për mediat ripërsëriti faktin se për ngjarjen në fjalë është shkarkuar drejtori i burgut të Shën Kollit si dhe janë arrestuar për shpërdorim detyre dhe dhënie të ndihmës për të dënuarin dhjetë zyrtarë të këtij burgu, ndërsa po hetohet nga autoritetet përfshirja e personave të tjerë në këtë arratisje.

1. Nazmi Demirxhiu, 42 vjeç, me detyrë shef i sigurisë pranë burgut Shën Koll të Lezhës, i ndaluar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

2. Sabah Selmani, 43 vjeç me detyrën punonjës i togës së shoqërimit në burgun e Shën Kollit, i ndaluar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

3. Gjon Lleshgega, 50 vjeç, me detyrë përgjegjës i togës së shoqërimit në burgun e Shën Kollit, i ndaluar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

4. Arben Lazri, 38 vjeç, me detyrën punonjës i togës së shoqërimit në burgun e Shën Kollit, i ndaluar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

5. Alban Martinaj, 38 vjeç, me detyrën punonjës i togës së shoqërimit në burgun e Shën Kollit, i ndaluar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

6. Gjok Marku, 49 vjeç, me detyrën punonjës i togës së shoqërimit në burgun e Shën Kollit, i ndaluar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

7. Viktor Jaku, 41 vjeç, polic me detyrën punonjës i togës së shoqërimit në burgun e Shën Kollit, i ndaluar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

8. Gazmir Çoku, 30 vjeç, me detyrën punonjës i togës së shoqërimit në burgun e Shën Kollit, i ndaluar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

9. Geg Gjeçi, 39 vjeç, me detyrën punonjës i togës së shoqërimit në burgun e Shën Kollit, ndaluar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

10. Fatos Frangu, 38 vjeç, me detyrë mjek në burgun e Shën Kollit, ndaluar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

11. Shkarkohet drejtori i Burgut të Shën Kollit, në Lezhë, Mark Lleshi dhe komandohet në vend të tij, Shkëlqim Kalemi.

mit/NOA
KOMENTE