English

PS: Me akuza të vjetra e shpifje nuk sprapsni dot luftën për transparencë

Tiranë, 3 tetor, NOA – Pas deklaratave të Partisë Demokratike kundër deputetit socialist Fatmir Xhafaj në një reagim të saj selia rozë e cilësoi akuzën si një akuzë të vjetër të lëshuar edhe kohë më parë përdrejt Fatmir Xhafajt.

“E ulët, vulgare dhe si përherë e gënjeshtërt zoti Berisha. Ju jeni hajduti që bërtet kapeni hajdutin”, deklaroi në një konferencë për shtyp, anëtarja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Megi Ajtyresa.

Duke iu referuar të pesë viteve në pushtet të mazhorancës dhe akuzave të saj ndaj eksponentëve të PS-së, Ajtyresa i bëri thirrje kryeministrit Berisha të mos akuzojë e shajë opozitën sikur të qe ajo në pushtet dhe jo vetë kryeministri Berisha.

“Harrojeni se do ta ndalni transparencën, harrojeni se do t’ia mbyllni gojën opozitës me baltën e shpifjeve tuaja. Jeni qesharak zoti Berisha, ikni bëni gjyshin në shtëpi se ne qeveri jeni turpi i këtij vendi”, tha anëtarja e Asamblesë së PS-së, Megi Ajtyresa.

Ajo theksoi sakaq se akuzat e përsëritura të mazhorancës janë dëshmi e dëshpërimit që ka mbërthyer këtë forcë politike për shkak të paaftësisë për të nxjerrë vendin nga kriza dhe për të vënë në jetë premtimet.

“Ikni zoti Berisha, largohuni megjithë dyzet hajdutët e oborrit tuaj. Shqipëria s’ka më kohë për të humbur me hajdutllëkun e marrëzitë tuaja”, përfundoi komunikimin e saj me medait anëtarja e PS-së, Megi Ajtyresa.

mit/NOA
KOMENTE