English

Poeteka, hap siparin festivali ndërkombëtar i Poezisë

Tiranë, 4 tetor, NOA - Festivali i Ndërkombëtar i Poezisë dhe Letërsisë - Poeteka është një takim i përvitshëm i artistëve të arteve të fjalës së shkruar, shkrimtarëve, kritikëve të artit, eseistëve, përkthyesve, botuesve dhe i artistëve të tjerë që i bashkohen festivalit për t’i shtuar vlerat përmes interpretimeve muzikore, aktrimeve dhe ekspozitave të artit figurativ.

Ky aktivitet, që tashmë është futur në kalendarët e veprimtarive më të rëndësishme kulturore të Shqipërisë, në vite është organizuar dhe ka gjetur mbështetjen dhe institucioneve kryesore të kulturës në Shqipëri, si MTKRS, departamentet kulturore të misioneve diplomatike akredituar në vendin tonë, bashkitë e qyteteve ku festivali shtegton çdo vit (Durrës, Tiranë, Berat, Elbasan, Shkodër, Krujë, Vlorë, Pogradec) si edhe partnerë të tjerë të huaj si Programi Traduki për përkthimet, festivale të rrjetit ndërkombëtar ku Poeteka është pjesëtare (Festival Internazionale di Poesia di Genova, Festival Voix Vives de Méditerrannée en Méditerranée – Sete, France, Vilenica International Literary Festival – Slovenia).

Në vitin 2009, Poeteka u vlerësua nga juria e Akademisë Kult si “Veprimtaria kulturore më e mirë e vitit.” Në të gjitha edicionet e tij Festivali Poeteka ka ofruar bujarisht hapësira të shumta për pjesëmarrësit e saj, shqiptare dhe poetë të ftuar nga 20 shtete të botës. Gjithashtu, çdo vit, Festivali Poeteka ka mundur të krijojë programe të brendshme njohjeje jo vetëm për poezinë dhe arin shqiptar, por edhe për njohjen e kulturës, traditave dhe qytetërimit vendas, projekt ky i realizuar përmes shtegtimeve të përvitshme në qendra të rëndësishme për kujtesën historike dhe kulturore si Durrësi, Apolonia, Berati, Kruja, Elbasani, Shkodra, Vlora dhe Tirana.

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë dhe Letërsisë Poeteka kremton këtë vit edicionin e saj të gjashtë së bashku me disa nga emrat më të njohur të letërsisë botërore.

Prej së hënës, dt. 4 tetor dhe deri të dielën, dt. 10 tetor 2010, Poeteka do të prezantojë përkrah njëri-tjetrit autorë të rëndësishëm dhe të njohur dhe krijues të rinj të artit të fjalës. Festivali i këtij viti synon që t’i ofrojë hapësira talenteve rajonalë dhe lokalë drejt një platforme tashmë të njohur ndërkombëtarisht, përmes së cilës ata mund të paraqesin publikut punimet e dhe veprat e tyre, të ushqejnë një vetëdije për të tërë gamën dhe pasurinë shkrimore të Ballkanit dhe të nxisin komunikimin ndërkulturor. Festivali është po ashtu një kremtim idesh, mes së cilave do të ketë ide që sfidojnë politikat, ide që promovohen gjatë veprimtarive dhe që kanë të bëjnë me aktivitetet kulturore, si dhe ide të cilat i referohen klimës kulturore në të cilën jetojmë si kultura të veçanta dhe si frymë globale në kulturë.

Poeteka do të ofrojë gjithashtu një hapësirë të veçantë për autorët që do të diskutojnë mes tyre mbi tematikat e Ballkanit (tema të cilat nuk kufizohen vetëm në kuptimin e ngushtë të Ballkanit si rajon) dhe më gjerë – rolin e kulturës në shoqëritë post-traumatike, kulturat në tranzicion dhe në fillimet e hapjes si ndaj kulturave perëndimore ashtu edhe ndaj njëri – tjetrës.

Pjesëmarrësit e Poetekës në edicionin e gjashtë këtë vit vijnë nga 20 shtete: Austria, Bosnja, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Izraeli, Italia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Spanja, Shqipëria, Zvicra, Turqia, SHBA. Këtë vit, Poeteka do të ofrojë më shumë hapësirë edhe për lexuesit dhe miqtë e librit. Ata do të kenë kënaqësinë të njohin dhe të vendosin kontakte të drejtpërdrejta me shkrimtarë të njohur shqiptarë dhe të huaj.

Aktivitetet e Festivalit u ofrojnë lexuesve, dashamirësve të poezisë dhe autorëve hapësirat dhe vendet ku të gjejnë njëri - tjetrin, ku të rrahin mendime dhe të shijojnë një bashkëbisedim brenda familjes së shkrimeve dhe letrave të bukura. Me panelet e diskutimeve dhe mbrëmjet letrare, leksionet akademike universitare, me botimin special të Revistës Poeteka, me koncertet, ekspozitat e artit, master class-et që do të mbahen gjatë veprimtarive si dhe debatet në mediet partnere, Festivali përbën një forum intelektual sa edhe një platformë artistike.

Në Edicionin e saj të Gjashtë, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë dhe Letërsisë Poeteka do t’i shtojë dimensione të reja vlerave të saj ekzistuese të cilat i ka përftuar tashmë nëpërmjet eksperiencave të suksesshme të edicioneve të kaluara.

Këndvështrimi multi-dimensional i temës kryesore të Poeteka VI do të jetë Ballkani, vështruar në problematikën bashkëkohore të artit, komunikimit, integrimit kulturor, muzikës, atmosferës, promovimit, ekspozeve, master-klasit dhe artit të kulinarisë.

Mbështetur në një përvojë të suksesshme dhe në interesimin e madh të ngritur nga kjo ngjarje letrare dhe kulturore si dhe duke u mbështetur në kërkesat e partnerëve dhe aktorëve të ndryshëm të rretheve kulturore rajonale si dhe miqve të shumtë, në Edicionin e saj të Gjashtë, Festivali Poeteka do të paraqesë një ngjarje të veçantë me titull “Bashkëbisedime ballkanike” të cilat do të organizohen në tri mbrëmje të veçanta.

Formati i bashkëbisedimeve ballkanike: - Secila prej kulturave pjesëmarrëse të Ballkanin do të përfaqësohet nga një ose më shumë poetë apo shkrimtarë. - Ç’do mbrëmje, katër përfaqësues do të prezantojnë realitetet përkatëse kulturore, artistike dhe letrare kombëtare. - Programi do të përfshijë një kohë të veçantë për secilin të ftuar, kohë kjo që do i kushtohet leximeve autoriale dhe bashkëbisedimeve (ose intervistave) në lidhje me temën kryesore. - Secila mbrëmje do të prezantohet nga një moderator (një gazetar, kritik arti apo përkthyes i mirënjohur shqiptar) dhe do të ketë një sfond muzikor ku do të interpretojnë muzikantë profesionistë si dhe një kënd ku do të paraqiten elementë kulturorë të secilit prej vendeve pjesëmarrëse.

Në përgjithësi, prezantimi i një teme të tillë prej Festivalit Poeteka ecën përkrah realiteteve më bashkëkohore kulturore, pasi ajo synon dhe ofron hapësirë për interesat e përbashkëta në lidhje me aspektet kulturore dhe artistike të aktivitetit, duke tërhequr kësisoj vëmendje edhe në fushat e tjera të rëndësishme të bashkëpunimit ndërmjet pjesëmarrësve dhe vendeve që ata përfaqësojnë, siç janë zhvillimi i artit, komunikimi dhe krijimi i dialogut mes qytetërimeve të izoluara dhe atyre që tashmë komunikojnë mes tyre.

n.e/NOA

KOMENTE