English

Të drejtat e fëmijëve, projektligji i ri i “dhuron” sanksione shkelësve

Tiranë, 4 tetor, NOA/Blerina Ahmetaj - Për herë të parë, fëmijët shqiptarë kanë një ligj, i cili do t’u sigurojë atyre mbrojtje të veçantë si të gjithë bashkëmoshatarët e vendeve të BE-së, ku synon të integrohet edhe vendi ynë.

Brenda 40 neneve të tij, projektligji garanton të drejtat themelore të fëmijëve për arsim, kujdes shëndetësor, si dhe i mbron ata nga format e dhunës, trafikimit e shfrytëzimit ekonomik, që mund t’u kanoset atyre prej të rriturve.

Specialistja e zyrës për mbrojtjen e fëmijëve në ministrinë e Punës, Miranda Pashai shpjegon arsyet pse lindi nevoja e një projektligji të tillë.

“Arsyet e hartimit të projektligjit kanë të bëjnë me faktin se ne kemi një legjislacion të copëzuar. Të drejtat e fëmijëve i garanton dhe Kushtetuta, edhe kodi penal apo ai civil. Për të pasur një kuadër ligjor të vetëm, u mendua hartimi i një projektligji të tillë, brenda së cilës do të gjejnë vend për zbatim konventa për të drejtat e fëmijëve, e cila u ratifikua dhe nga Kuvendi i Shqipërisë”, tha specialistja e ministrisë së Punës.

Sipas saj, në projektligj janë parashikuar dhe sanksione për shkelësit e të drejtave të fëmijëve, në rastet kur nuk përbëjnë vepër penale.

Në nenin 40 të pr/ligjit, gjobat variojnë nga 30 mijë deri në 60 mijë për personat fizikë dhe 60 mijë deri në 120 mijë për personat juridikë, ndërsa për personin që ushtron edhe funksion publik gjoba për shkelësit e të drejtave të fëmijëve është 30 mijë deri në 80 mijë lekë.

Specialistja e ministrisë tha se projektligji ka parashikuar ngritjen e institucioneve, që do të zbatojnë penalitetet për personat juridikë apo fizikë, të cilët nuk respektojnë të drejtat e fëmijëve sipas ligjit.

Këto institucione do të jenë në nivel qendror dhe lokal.

Në nivel qendror institucionet, që do të ngrihen për zbatimin e ligjit janë Këshilli Kombëtar për mbrojtjen e fëmijëve dhe agjencia shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve, e cila do të bashkëpunojë me aktorët përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Projektligji i ri për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve ka mbërritur në komisionin kuvendor të punës, çështjeve sociale e shëndetësisë dhe pritet të diskutohet mes deputetëve brenda javës.

b.a/mit/NOA

KOMENTE