English

Vlorë, ekzekutohet në mister 27-vjeçari, detajet e ngjarjes

Vlorë, 4 tetor, NOA Update - Një 27 vjeçar nga Vlora është ekzekutuar mbrëmë me automatik kallashnikov në zonën e fshatit Risili, rreth 15 km nga qyteti i Vlorës, nga persona ende të paidentifikuar.

Burime nga policia e Vlorës thanë për agjencinë NOA se bëhet fjalë për 27 vjeçarin Klodian Resulaj, banues në lagjen "Partizani", në rrugën e spitalit.

27 vjeçari në momentin e vrasjes ishte duke udhëtuar në rrugën e fshatit Risili, me automjetin e tij tip fiat me targa italiane, i shoqëruar nga një i afërm i tij 13 vjeçar.

Sipas burimeve nga vendngjarja autorët e vrasjes i kanë zënë pritë 27 vjeçarit Resulaj dhe duke përfituar nga errësira kanë qëlluar mbi të në krahun e pasagjerit.

Policia me të mbërritur në vendngjarje ka gjetur rreth 12 gëzhoja, të cilat pjesërisht janë plumba në trupin e Resulaj, dhe të tjerat në derën e makinës.

27 vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa 13 vjeçari nuk ka pësuar asnjë lëndim, veç traumës nga ngjarja.

Autorët pas ngjarjes janë larguar në drejtim të paditur dhe nuk dihet ende asnjë e dhënë për identitetin e tyre.

Policia ka marrë në pyetje fëmijën, por ai është ende në gjendje të traumatizuar dhe nuk mund të dëshmojë, ndërsa policia po kërkon të marrë të dhënat nga dëshmitarë okularë.

Familjarët e viktimës të pyetur nga policia janë shprehur se s’kanë konflikte apo hasmëri, andaj edhe rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta për policinë.

Sipas të dhënave nga policia 27 vjeçari, Klodian Resulaj, nuk ka patur precedentë penalë.

Ai kishte një biznes privat, një pikë shumice, ndërsa i vëllai i tij një dyqan celularësh.

Policia e Vlorës po heton intensivisht për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes.

i.t/NOA

KOMENTE