English

Aksident në Peqin, furgoni përplas për vdekje inspektorin e policisë

Elbasan, 5 tetor, NOA – Po shkonin në punë, por përplasja nga një furgon i ka kushtuar jetën një inspektori policie, ndërsa kolegu i tij ka marrë dëmtime të rënda.

Ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes së 4 tetorit, ndërsa dy inspektorët u përplasën nga një furgon në rrugën kombëtare Elbasan-Peqin, në vendin e quajtur Lazaren të komunës së Pajovës.

Burime nga vendngjarja thanë për korrespondentin e agjencisë NOA se aksidenti u regjistrua mbrëmë rreth orës 20.30, kur Inspektori i Patrullës së Përgjithëshme në komisariatin e Peqinit, Qerim Vrapi ishte duke dalë nga shtëpia për të shkuar në punë me mjetin e kolegut të tij, Avni Bahja.

Qerim Vrapi po përgatitej të futej tek mjeti BMV me targa të huaja i kolegut të tij, kur një mjet furgon me targa të Tiranës, TR 6940, i drejtuar nga shtetasi Luan Gjoka e ka përplasur për vdekje në asfalt.

Më pas automjetet janë përplasur mes tyre e për pasojë ka mbetur i plagosur edhe efektivi tjetër i komisariatit të Peqinit.

Si pasojë e përplasjes inspektori Qerim Vrapi ka humbur jetën, ndërsa kolegu Avni Bahja është transportuar në spitalin kirurgjik të Elbasanit për ndihmë mjekësore.

Policia e Elbasanit ka mbërritur në vendngjarje dhe ka shoqëruar për në komisariat drejtuesin e mjetit.

Sipas policisë nuk janë ende të qarta rrethanat e aksidentit, megjithatë po hetohet pista e shkeljes së rregullave të qarkullimit si dhe pakujdesia gjatë drejtimit të makinës.

mit/NOA

KOMENTE