Tiranë, 5 tetor, NOA – Për akuzat me lejet e ndërtimit ku shënjestrohet kryebashkiaku Edi Rama, apo mister 20 përqind sikundër e quajnë demokratët, deputeti i PD-së, Flamur Noka ripërsëriti sot kërkesën që prokuroria të nisë sa më shpejt hetimet.
“Duke u bashkuar me shqetësimin e ligjshëm dhe pritshmërinë e lartë të publikut, presim nga prokuroria të nisë pa vonesë hetimin dhe të çojë sa më shpejt në bankën e të akuzuarve, si “Leprat”, që brejnë pa mëshirë paratë e korrupsionit të Bashkisë së Tiranës, ashtu edhe ustain e tyre”, deklaroi në një dalje për mediat deputeti demokrat.
Sipas tij kjo aferë korruptive pas zbardhjes së skemës së përfitimit 20 %, është kryekëput publike para opinionit.
“Ata me të drejtë presin reagimin e institucioneve të shtetit, ndaj kësaj mega-afere korruptive, vetëm një segment i së cilës, shkon në 100 milion euro”, tha deputeti Noka.
Dalja në dritë e kontratës me 20 përqind dhe e projektit të pallateve 35-katësh pranë digës së Liqenit, të çon tërësisht, sipas Nokës, tek zhvatja dhe përfitimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, me lejet e ndërtimit në kryeqytet.
“Ndaj me të drejtë qytetarët pyesin, ç’ duhet të ndodhë më, që organet e specializuara të veprojnë kundër kampionit të pamposhtur të korrupsionit dhe “Leprave” të tij; ç’prova të tjera duhen për të çuar para drejtësisë “Mister 20 %” dhe një prej sekserëve kryesorë të tij”, shtoi deputeti i PD-së, Flamur Noka.
mit/NOA