Tiranë, 5 tetor, NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi ngushëllues drejtuar familjarëve, shprehu sot ngushëllimet e tij të sinqerta edhe në emër të popullit shqiptar për ndarjen nga jeta të aktorit të madh britanik, Norman Uisdom, i cili u bë i famshëm për teleshikuesit shqiptarë dhe ata anembanë botës me rolet e papërsëritshme të Pitkinit.
“Më lejoni që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal t’ju shpreh ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të Sër Norman Uisdomit”, shkruan Topi në mesazhin e tij.
Duke e cilësuar Pitkinin si legjendën e komedisë britanike dhe asaj botërore, ai tha se qe për ne shqiptarët komiku më i adhuruar në kohët e vështira të izolimit totalitar.
“Magjia e artit të tij, humori i hollë anglez dhe rolet e tij të ndërtuara me mjeshtëri të spikatur dhuronin buzëqeshje, frymëzonin dashuri dhe shpresë, duke mbajtur të mbërthyer me orë përpara ekraneve familjet shqiptare. Në ato vite të vështira, Sër Norman Uisdom arriti që përmes roleve të tij të depërtonte thellë në shpirtin dhe memorien e tyre. Interpretimi virtuoz, origjinaliteti dhe plastika e jashtëzakonshme me të cilat u realizua personazhi i “Pitkinit”, e bënë atë një amalgamë të pandarë humori për artdashësin shqiptar për shumë breza. Të pashlyeshme në kujtesën tonë do të mbeten vizitat e aktorit të madh në Shqipëri, kurse mbështetja e tij humanitare për fëmijët jetimë shqiptarë gëzon mirënjohjen tonë”, shkruan ndër të tjera kreu i shtetit shqiptar.
Duke përfunduar se “me ndarjen nga jeta të Sër Norman Uisdom, kinematografia botërore dhe artdashësit anë e mbanë globit humbën një ndër ikonat më të spikatura”.
n.e/NOA