English

Eurodeputetja Sarah Ludford: Besoj në heqjen e vizave

Bruksel, 6 tetor, NOA – Parlamenti Evropian pritet të votojë të enjten me një shumicë të konsiderueshme në favor të propozimit të Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Në një intervistë për BBC-në, në prag të këtij votimi, eurodeputetja britanike, Sarah Ludford, thotë se bllokimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve nga ndonjë vend anëtar i Bashkimit Evropian, do të ishte një hap prapa.

Megjithatë ajo tha se votimi në Parlament nuk do të thotë se heqja e vizave "është punë e kryer". Fjala e fundit në këtë proces i takon Këshillit të Ministrave të BE-së, ku përfaqësohen 27 vendet anëtare të organizatës.

Baronesha Ludford, anëtare e komisionit për drejtësi dhe punët e brendshme, thotë se Parlamenti Evropian po ushtron presion që Kosova, për të cilën nuk ka ndonjë propozim konkret për heqjen e vizave, të mos lihet në harresë.

Znj. Ludford, çfarë prisni nga votimi në Parlamentin Evropian? Si do të votojnë grupet e ndryshme politike?

Unë kam bindjen se Parlamenti Evropian do ta shprehë edhe me votën e tij mbështetjen e vet pozitive për udhëtimet pa viza për qytetarët e Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë, në mënyrë që kjo të realizohet sa më shpejt. Ky hap plotëson më mirë kuadrin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, pasi vitin e kaluar qytetarët e tre vendeve të tjera të rajonit përfituan nga heqja e regjimit të vizave.

Megjithatë, ne jemi të ndërgjegjshëm se ende nuk është zgjidhur çështja e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës. Ende nuk ka ndonjë propozim konkret që edhe qytetarët kosovarë të përfitojnë nga lëvizja e lirë. Ne, eurodeputët, po ushtrojmë presion që populli i Kosovës të mos lihet në harresë?

Pra, ju nuk prisni ndonjë surprizë në votimin që do të bëhet të enjten në Parlamentin Evropian për propozimin që ka paraqitur Komisioni Evropian për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen?

Jo. Kam kënaqësinë të them se, kryesisht falë punës së shkëlqyer gjatë 18 muajve të fundit dhe rolit udhëheqës të koleges sime të grupit socialdemokrat, eurodeputetes sllovene Tania Fallon, është siguruar mbështetje e konsiderueshme nga të gjitha grupet politike që përfaqësohen në Parlamentin Evropian. Prandaj, ne nuk parashikojmë që të ketë ndonjë problem përsa i përket mbështetjes së shprehur me votë.

Sigurisht, unë nuk them se do të jetë një votim unanim, por ne parashikojmë që propozimin e Komisionit Evropian për udhëtime pa viza do ta mbështesë një shumicë e konsiderueshme. Duhet të sqaroj se fjala është për udhëtimet si vizitorë deri në tre muaj.

Në kalendarin e të gjithë procedurës së marrjes së regjimit të udhëtimit pa viza, sa i rëndësishëm është votimi i eurodeputetëve për propozimin e paraqitur nga Komisioni Evropian?

Procedura është kjo: Komisioni Evropian paraqet një propozim, gjë që tashmë e ka bërë, duke parashikuar që në rastin konkret Bosnja dhe Shqipëria do të përmbushin standardet dhe kushtet e kërkuara, si menaxhimi i efektshëm i kufijve, pranimi i shtetasve që riatdhesohen nga vende të Bashkimit Evropian, apo lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pra, ishin disa standarde që këto dy vende duhet të arrinin. Komisioni Evropian e hapi dritën e gjelbër para tri javësh kur arriti në përfundimin se standardet ishin përmbushur. Prandaj edhe Parlamenti Evropian ka besim të plotë në qëndrimin për ta mbështetur këtë proces.

Pas votimit në Parlamentin Evropian, ky propozim do të paraqitet para Këshillit të Ministrave, ku përfaqësohen 27 vendet anëtare të BE-së. Ata duhet të marrin vendimin përfundimtar. Ne po iu bëjmë thirrje atyre që ta mbështesin këtë propozim. Është shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian të dërgojë mesazhe pozitive të qarta për vullnetin politik për integrimin e vendeve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor. Ne e dimë se po t'iu krijosh mundësi njerëzve që të udhëtojnë dhe të shohin se si funksionojnë gjërat në vende të ndryshme të Evropës, kjo do të forcojë ndjenjën e të qenit evropian dhe dëshirën për t'u anëtarësuar një ditë në Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh edhe përpjekjet e mëdha që kërkon ky proces.

Është ironike që me pasaportat jugollave deri para 20 vjetësh, ishte e mundur lëvizja e lirë në Evropë. Në një kuptim po kthehemi pas te status quo-ja e 20 vjetëve më parë. Tani duhet të hedhim hapa përpara. Unë shpresoj që gjatë festave të fundvitit, për Krishtlindje apo Vitin e Ri, qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të kenë mundësi që t'i hipin avionit apo trenit për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së.

Thatë se shpresoni që kjo të arrihet. Nga një deri në dhjetë, sa besim keni se qytetarët e Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë do ta marrin këtë dhuratë krishtlindjesh?

Sinqerisht që nuk mund ta them. Ajo që mund të them është se besoj se Parlamenti Evropian do të votojë pozitivisht për këtë propozim dhe do t'iu bëjë një thirrje të fortë qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që në takimin e Këshillit të Ministrave të pajtohen me ne se bllokimi i lëvizjes së lirë në këtë moment do të ishte një hap prapa. Lëvizja e lirë nuk nënkupton të drejtën e shtetasve të këtyre vendeve për të punuar, pra nuk është një çështje imigracioni dhe lëvizja e lirë nuk duhet përfshirë në debatin e gjerë për imigracionin, apo imigracionin e paligjshëm. Ky është një hap që i përgatit vendet dhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor për të ardhmen e tyre evropiane.

Unë shpresoj se ato vende anëtare të Bashkimit Evropian që kanë mëdyshje rreth procesit të liberalizimit të vizave dhe lëvizjes së lirë, do ta kuptojnë se shpërblimi që do të kenë nga ky proces, është shumë më i madh se çdo dyshim që kanë apo se çdo problem të brendshëm politik që mund të kenë. Pra, unë nuk do t'ju jap ndonjë shifër nga njëshi deri te dhjeta, siç kërkuat ju, por mund t'ju them se kam shumë besim se këto argumente pozitive do të mbizotërojnë, nëse përpiqemi të gjithë së bashku për të larguar çdo hezitim që mund të kenë vende të ndryshme. Nuk mund të themi se heqja e vizave është punë e kryer, por mund t'ju siguroj se eurodeputetët do të bëjnë presion mbi qeveritë e 27 vendeve anëtare për ta ndezur, përfundimisht, dritën e gjelbër që lëvizja e lirë të mundësohet brenda këtij viti.

Baronesha Ludford, ju jeni mbrojtëse e flaktë e të drejtës së qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për lëvizje të lirë. Por, edhe nëse, ashtu siç pritet, Këshilli i Ministrave e ndez dritën e gjelbër, qytetarët e Shqipërisë dhe ata të Bosnjes nuk do të kenë të drejtë të vizitojnë pa vizë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Mund t'ju përmend këtu vendin tuaj, Britaninë.

Kjo është e vërtetë dhe më vjen mirë që ma kujtoni këtë lidhje. Në njëfarë kuptimi trishtohem për këtë, por Britania nuk bën pjesë në zonën e Shengenit, pra nuk është pjesë e marrëveshjes për lëvizjen pa viza. Britania ka kriteret e saj për vizitat e shtetasve nga vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian. Deri tani qeveria britanike nuk ka marrë ndonjë vendim për udhëtimin pa vizë të qytetarëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Unë do të vazhdoj t'ia paraqes argumentet e mia qeverisë në Londër dhe besoj se këtë do ta bëjnë edhe kolegët e mi eurodeputetë nga vendet që nuk bëjnë pjesë në Shengen. Personalisht, me vjen keq që tani për tani nuk do të jem në gjendje t'i pres miqtë e mi nga Ballkani Perëndimor pa vizë në Londër. Por po punojmë për ta arritur këtë.

BBC

KOMENTE