English

METE: Situata aktuale në kaskadën e Drinit, plotësisht nën kontroll

Tiranë, 6 tetor, NOA Update – “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është në ndjekje të vazhdueshme të situatës hidrike në kaskadën e Drinit, e cila është plotësisht brenda parametrave teknike të përcaktuar në rregulloren e shfrytëzimit të kaskadës”.

Kështu thuhet në një deklaratë të fundit të këtij dikasteri, duke analizuar situatën më të fundit hidrike në vendin tonë, e rënduar nga reshjet që kanë rënë në veri të vendit.

“Sot, kuota në hidrocentralin e Fierzës arriti në 285.11m nga 296 m që është kuota maksimale e lejuar, ndërkohë që prurjet në liqen janë 800 m3/s dhe nuk ka shkarkime. Në HEC-in Koman situata paraqitet me prurje prej rreth 1000 m3/s dhe kuota është në nivelin 174.16 m nga niveli i detit nga 175 m që është kuota maksimale e lejuar, sërish pa shkarkime nga portat.”, bëjnë me dije burimet zyrtare të METE-s.

Ndërsa shtojnë se në HEC-in Vau i Dejës prurjet janë rreth 1500 m3/s, kuota ka arritur në nivelin 75.76 m nga 76 m që është kuota e lejuar dhe po punohet me kapacitet të plotë e me shkarkime prej 800 m3/s në portat e shkarkimit.

“Ministri i Energjetikës, Ilir Meta, inspektoi sot në mëngjes situatën dhe gatishmërinë e funksionimit të sistemit në hidrocentralin e Vaut të Dejës, së bashku me drejtuesit e KESH që kanë qenë prej ditës së djeshme në ndjekje të saj”, citon në fund deklarata.

n.e/NOA

KOMENTE