English

Miratohen kuotat e masterave profesionalë për vitin 2010-2011

Tiranë, 6 tetor, NOA – Në mbledhjen e tij të sotme, Këshilli i Ministrave ka miratuar kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit në institucionet publike të arsimit të lartë, për ciklin e dytë të studimeve, “master profesional”, për vitin akademik 2010-2011.

Këto kuota të ndahen, si më poshtë vijon:

-Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master profesional” 6190;

- Kuotat për programe të dyta studimi 100; Kuotat për transferimin e studimeve 100;

- Kuotat për të huajt 50;

- Kuotat për të verbërit 20;

- Kuotat për romët/ballkano-egjiptianët 20.

- Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master profesional”, për kandidatët brenda territorit të vendit 5571;

- Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master profesional”, për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit 619.

Më tej, vendimi bën me dije se kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë, ndahen ndërmjet kandidatëve shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit: Republika e Kosovës, Maqedoni, Mal i Zi, Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Administrimi i këtyre kuotave kryhet në bazë të marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet vendeve dhe akteve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë. Duke shtuar se çdo program studimi i ciklit të dytë funksionon në vitin e parë, për vitin akademik 2010-2011, në rast se atë e ndjekin të paktën 10 studentë.

Kandidatët, që do të fitojnë të drejtën në një program studimi të ciklit të dytë në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2010-2011, dhe që u përkasin shtresave sociale, si: të verbër/të shurdhër, invalidë, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijë romë, ballkano-egjiptianë, jetimët apo fëmijë të policëve dhe ushtarakëve, të rënë për shkak të detyrës e të ish-të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë në masën 50% të tarifës së shkollimit.

Këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave sociale.

n.e/NOA

KOMENTE