English

Haxhinasto: Shqiptarët po realizojnë ëndrrën e lëvizjes së lirë

Tiranë, 7 tetor, NOA – “Dëshiroj që në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të përshëndes me entuziazëm të merituar rezolutën e miratuar në Parlamentin Evropian me 538 vota pro, për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian”.

Kështu është shprehur në një deklaratë për shtyp, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, me rastin e votimit të rezolutës për liberalizimin e vizave në PE, duke e cilësuar atë si një ngjarje të shënuar për të gjithë popullin shqiptar, një ngjarje e shumëpritur, për të cilën është punuar me angazhimin dhe dedikimin maksimal nga të gjithë institucionet e përfshira në këtë proces.

“Tashmë shqiptarët, që vuajtën izolimin më të madh e më të gjatë në rajon e Evropë, janë duke realizuar ëndrrën e tyre për të lëvizur pa viza drejt hapësirës Shengen”, tha ai.

Duke shtuar se në radhë të parë, shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë eurodeputetët që votuan në mbështetjen tonë dhe në veçanti për raporteren për Shqipërinë Tanja Fajon, që patën besimin, na përkrahën dhe mbështetën gjatë gjithë këtij procesi. Diskutimet e tyre të hapura e të sinqerta gjatë seancës së mbrëmshme, dhe vota e tyre e bindshme sot, dëshmojnë qartë se Shqipëria ka përmbushur në formën më të plotë edhe një standard tjetër evropian.

“Njëherazi shpreh falënderimet më të thella për të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian ka qenë një partner i pazëvendësueshëm, me të cilin kemi patur një dialog të hapur dhe intensiv, duke pasqyruar hap pas hapi dhe me realizëm të gjithë progresin e vendit në kuadër të Liberalizimit të Vizave”, tha më tej, Haxhinasto.

Në fund, theksoi se kjo arritje e madhe është njëkohësisht dhe një detyrim për të gjithë ne për tú sjellë si qytetarë evropianë për të respektuar dhe zbatuar të gjitha rregullat për një ecuri normale të procesit të liberalizimit të vizave.

"Ju siguroj se puna jonë do të vazhdojë pasi kjo ngjarje përbën gjithashtu dhe një inkurajim dhe frymëzim për të ecur më tej në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme.

n.e/NOA

KOMENTE