English

Heqja e vizave, Parlamenti Evropian voton sot raportin e Tanja Fajonit

Strasburg, 7 tetor, NOA – Ndërsa gjatë seancës së djeshme plenare, europarlamentarët kanë shprehur thuajse në unanimitet qëndrimin e tyre pozitiv ndaj raportit të paraqitur nga kolegia e tyre Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, pritet që sot ata të votojnë për të.

Kështu, Parlamenti Europian voton sot për heqjen e vizave me vendin tonë dhe Bosnjën, duke përmbyllur kështu fazën e procesit të liberalizimit të lëvizjes së lirë me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo pasi në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka kryer të njëjtat miratime për tre vendet e tjera të këtij rajoni, Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni.

Ndërkaq, raporti i hartuar nga Tanja Fajon, thekson se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina i kanë përmbushur tre kriteret kryesore për liberalizimin e vizave, por që gjithsesi do të vazhdojnë të monitorohen për pjesën e mbetur të përpjekjeve që duhet të bëjnë.

Shqipëria vlerësohet konkretisht për përmbushjen e tre parakushteve kryesore për heqjen e regjimit të vizave.

Por disa eurodeputetë gjatë diskutimit në seancën e djeshme plenare të Parlamentit Evropian kanë shprehur rezervat e tyre për rezultatet në luftën ndaj korrupsionit, integrimin e të riatdhesuarve si dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, duke pohuar që këto duhet të jenë prioritete të qeverisë, në të kundërt nuk do ta votojnë liberalizimin e vizave.

Ndërkaq, Greqia nga ana e saj paraqet rezerva edhe lidhur me nivelin e lartë të emigracionit të paligjshëm që vjen sipas saj nga Shqipëria.

Gjithsesi, raporti i Tanja Fajon është miratuar tashmë në komisionin e Çështjeve të Brendshme dhe Drejtësisë si dhe komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian dhe sot pritet që të ketë votën përfundimtare në këtë institucion.

n.e/NOA

KOMENTE