English

Lezhë, sekuestrohen 2346 litra pije freskuese e vaj, që kishin kaluar afatin e skadencës

Lezhë, 7 tetor, NOA – Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit kombëtar të Ushqimit ka sekuestruar 2346 litra lëndë ushqimore, në qytetin e Lezhës, të cilave u kishte kaluar koha e skadencës.

Gjatë inspektimit në Lezhë të një sërë biznesesh ushqimore, AKU konstatoi se magazina ushqimore “Ergi-park”, që ushtron aktivitetin e tij në aksin rrugor Lezhë-Tiranë, ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke mosplotësuar kushtet minimale higjieno-sanitare.

Sipas aktit të kontrollit të plotësuar nga inspektorët e AKU-t, ky biznes nuk ishte i pajisur me liçencë nga ana e Q.K.L-së, dhe se muret rrethuese të godinës dhe dyshemeja ishin në gjendje absolutisht të papërshtatshme për magazinimin e produkteve ushqimore. AKU tha se sistemimi i këtyre produkteve, të cilat hidheshin në treg për konsum ishte jashtë normave dhe në gjendje shumë të keqe, pasi atyre u kishte kaluar edhe afati i skadencës.

Aku bëri me dije se godina në të cilën ndodheshin një sasi e konsiderueshme mallrash ushqimore nuk kishte një plan mbrojtës kundër brejtësve, plan ky, i cili është mëse i domosdoshëm duke marrë parasysh vendndodhjen e magazinës.

Pas konstatimit të shkeljeve të mësipërme të Ligjit për Ushqimin dhe ligjit të Shërbimit dhe Inspektoriatit Veterinar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi të bllokojë mallin e ndodhur në magazinë.

Bëhet fjalë për bllokimin e një sasie të konsiderueshme, i cili konsiston në 1296 litra pije freskuese, 60 litra vaj të markës MILORI, 1560 copë çokollata dhe 990 litra lëng limoni. Gjithashtu është bllokuar edhe linja e vajit MILORI, pasi kushte si për konsum dhe tregtim të tij ishin jashtëzakonisht të këqija.

Inspektorët e AKU-t i kanë lënë si detyrë këtij subjekti të zbatojë rregullat higjienike tek linja e prodhimit të vajit, të pajiset me liçencë nga Qendra Kombëtare e Liçencimit (Q.K.L), të përmirësojë muret dhe dyshemenë, të sistemojë në mënyrë të sigurtë produktet ushqimore brenda magazinës dhe të vendosë planin mbrotjës kundër brejtësve. Në këtë kontekst, AKU u ka bërë thirrje konsumatorëve të jenë vigjilentë në produktet që ata konsumojnë dhe se duhet t’i kushtojnë vëmendje në radhë të parë afatit të skadencës së produkteve të ambalazhuara, si dhe të lexojnë me kujdes etiketën mbi ambalazh.

mit/NOA
KOMENTE