English

SOROS: Vizat, Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE të japë miratimin përfundimtar

Tiranë, 7 Tetor 2010 NOA - Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) i SOROS-it, përshëndeti sot Parlamentin Europian për miratimin që i bëri gjatë seancës së tij plenare, liberalizimit të vizave më Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

Parlamenti Europian miratoi me një shumicë të jashtëzakonshme, 538 vota pro dhe 47 kundër, propozimin e Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave afatshkurta për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

Parlamenti Europian, i vetmi institucion i Bashkimit Europian me përfaqësues të zgjedhur drejtpërdrejtë nga popujt e vendeve anëtare të Bashkimit, është pajtuar bindshëm me vlerësimin objektiv dhe teknik të kryer nga misionet monitoruese të Komisionit Europian gjatë këtij viti mbi përmbushjen e kushteve nga ana e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës për heqjen e regjimit të vizave afatshkurtra.

OSFA, nismëtare e Deklaratës së Përbashkët të Shoqërisë Civile për Liberalizimin e Vizave, e lëshuar më datë 4 tetor 2010 nga mbi 50 organizata jo-qeveritare shqiptare, inkurajon përsëri Këshillin e Ministrave të Brendshëm të BE-së t’i japë miratimin përfundimtar një procesi që tashmë gëzon dukshëm edhe mbështetjen e qytetarëve të BE-së, të shprehur nëpërmjet votës pro të shumicës së deputetëve të Parlamentit Europian.

Gjithashtu, OSFA u bën përsëri thirrje forcave politike në Shqipëri t’u drejtohen qeverive të vendeve anëtare të BE-së, institucioneve të BE-së dhe në veçanti Këshillit të BE-së për të shprehur qartë dhe njëzëri zotimin e tyre afatgjatë për ruajtjen dhe përmirësimin e standardeve të arritura deri më tani në kuadër të liberalizimit të vizave.

Së bashku me organizata të tjera jo-qeveritare, OSFA do të vijojë të mbështesë përgatitjen e Shqipërisë drejt anëtarësimit. Në kuadër të liberalizimit të vizave, OSFA do të mbështesë fushata informimi për qytetarët shqiptarë për kushtet e lëvizjes pa viza në zonën Shengen.

e.r/NOA

KOMENTE