English

Krijohet Asambleja parë e një pallati në kryeqytet, me Kryesinë e saj

Tiranë, 8 tetor, NOA – Pas prezantimit të projektit “Administrimi i Përbashkët i Ndërtesave” dhe fushatës së sensibilizimit, filluan të krijohen modelet e para të asambleve të bashkëpronësisë nëpër pallatet e Tiranës.

Krijimi i këtyre strukturave komunitare është shenja e parë pozitive e ndërgjegjësimit të banorëve të qytetit të Tiranës, për dobishmërinë dhe impaktin pozitiv që do të kenë ngritja dhe funksionimi i strukturave që parashikon ligji.

Një pjesë të procesit të administrimi të ndërtesave zë edhe regjistrimi i strukturave në Bashkinë e Tiranës, ku janë paraqitur kërkesat e para për krijimin e Asamblesë së Pallatit dhe regjistrimin e Kryesisë së zgjedhur nga vetë banorët.

Në këtë kuadër, Bashkia e Tiranës organizoi një bashkëbisedim të kryetarit të saj me banorët e Njësisë Bashkiake Nr 5.

Në këtë takim, në simbolikë pozitive të procesit të vetë-organizimit të Asambleve dhe për të promovuar krijimin e Asambleve të tjera, u regjistrua “publikisht” edhe Kryesia e një Asambleje të pallatit në Njësinë Nr. 5, e cila “shenjoi” kështu edhe kërkesën e parë për regjistrimin e Kryesisë së Asamblesë së një pallati në qytetin e Tiranës.

Ky proces i takimeve publike me qytetarët do të vazhdojë në vijim edhe me Njësitë e tjera Bashkiake.

“Është një takim shumë interesant për vlerën e një nisme që sot fillon të marrë formë, një nismë jashtëzakonisht e rëndësishme për mbarëvajtjen e bashkëjetesës qytetare, një nismë shumë e vështirë e cila do të kërkojë mund dhe do të na vendosë para sfidash nga më të ndryshmet, por që përbëjnë sot një domosdoshmëri dhe me këtë hap të parë shënohet fillimi i një ndryshimi cilësor në bashkëjetesën qytetare, brenda godinave të banimit dhe në hapësirën e përbashkët publike. Prej kohësh ne jemi përpara zërit përherë e më këmbëngulës të opinionit publik qytetar, lidhur me gjithfarë problemesh “të vogla” që shqetësojnë komunitetet në godinat e banimit dhe në hapësirat e përbashkëta, për shkak ndërhyrjesh e shqetësimesh të njëmijë e një llojeve nga bashkëqytetarë dhe bashkëpronarë në godinat ku ndodhin përditë gjëra që fare mirë mund të rregullohen përmes një kooordinimi të të gjithë energjive dhe kontributit të të gjithëve bashkë, në bazë të disa rregullave të thjeshta”, tha Rama.

Duke shtuar se sikundër zëri i opinionit qytetar vjen në rritje për të gjithë këto probleme “të vogla”, sado të papërfillshme ato janë në vetvete për qytetin, aq të rëndësishme ato janë për një shkallë, për një pallat, për një mjedis të përbashkët banimi.

“Po ashtu, në rritje vjen edhe shqetësimi ynë lidhur me pamundësinë për t’i dhënë drejtim shumë e shumë prej këtyre problemeve të vogla, që në fakt në botën e qytetëruar demokratike, janë probleme që zgjidhen nga vetë komuniteti, mbi bazën e një dakordësie, të sanksionuar mbi bazën e një marrëveshjeje që është marrëveshja për bashkëpronësinë dhe për mbarëvajtjen e të gjitha punëve të përbashkëta që secili duhet t’i shohë edhe si të tijat, në mënyrë që shkalla e godinës të jetë e pastër, e ndriçuar, qetësia të jetë e garantuar, ndërhyrjet në godinë të bëhen të aprovuara e kështu me radhë”, tha më tej ai.

Në fund, Rama shtoi se dëshiron që ky shembull të ndiqet shpejt nga shumë të tjerë, sepse ndërkohë që është rritur shqetësimi për të pasur një harmoni në bashkëjetesën në një godinë apo në një bllok godinash, është rritur edhe vetëdija se kjo nuk mund të realizohet nga lart, kjo nuk mund të realizohet me forcën e cilitdo institucion, por kjo mund të realizohet me forcën e këtij institucioni të ri qytetar dhe me kontributin e gjithsecilit.

“ Kështu, funksionon në botën ku ne duam të integrohemi dhe vetëm kështu mund të funksionojë edhe këtu. Sigurisht, që për këtë nismë kërkohen qytetarë të vetëdijshëm dhe pa dyshim rritja e vetëdijes duhet të shkojë paralelisht me përpjekjen e këtij shembulli që do të ndeshë në vështirësitë e veta, për shkak se jo të gjithë janë të vetëdijshëm, për shkak se jo të gjithë do të duan t’i bashkangjiten kësaj nisme dhe për shkak se jo të gjithë do të kontribojnë në mënyrë harmonike, por sa më shumë qytetarë të përfshihen në këtë nismë, aq më pak presioni negativ i pakicës së qytetarëve ende të pavetëdijshëm do të mund të influencojë në suksesin e kësaj nisme”, përfundoi ai.

n.e/NOA

KOMENTE