English

Reforma e privatizimit, jo si një përgjegjësi e transferuar

Ne nuk e konsiderojmë si përgjegjësi të transferuar me reformën e privatizimit, por do të vazhdojmë të punojmë se bashku me Operatorin e Shpërndarjes në vend, në mënyrë të tillë që frytet e zhvillimit të sektorit energjetik të vendit të gëzojnë më së miri, në radhë të pare, konsumatorët shqiptarë

Nga Ilir Meta

Pas 15 vitesh është arritur konsolidimi i Entit Rregullator të Energjisë, si një institucion kyç dhe i pazëvendësueshëm për zhvillimin e këtij sektori. Energjia sot përbën sektorin më dinamik të ekonomisë shqiptare, por njëkohësisht edhe më me perspektivë.

Asnjë fushë tjetër e ekonomisë sonë nuk ka arritur të tërheqë kaq shumë investime të brendshme, të huaja apo publike në vend se sa energjia.

Të gjitha këto investime për ndërtimin e veprave energjetike që përdorin kapacitetet e burimeve të pastra që Shqipëria zotëron, një pjesë e të cilave janë realitet dhe që unë besoj se gjatë punimeve të kësaj konference ju do të njiheni më në detaje me to, por njëkohësisht jam i bindur se këto investime po e transformojnë dhe do ta transformojnë rrënjësisht ekonominë shqiptare nga një ekonomi thellësisht e varur nga problemet e furnizimit me energji në një ekonomi në zhvillim të shpejtë, të mbështetur në një sektor energjetik të fuqishëm, të pastër, të rëndësishëm për rajonin tonë dhe njëkohësisht paraprirës të zhvillimit ekonomik të vendit.

Qeveria shqiptare do të vazhdojë t'i japë mbështetje të mëtejshme biznesit vendas dhe të huaj për të investuar akoma më shumë në zhvillimin e burimeve të tjera energjetike, pasi ekzistojnë projekte të realizueshme dhe hapësirat ligjore për konkretizimin e tyre.

Ne do të përkrahim çdo nisëm që fuqizon pozitën energjetike të Shqipërisë në rajon dhe njëkohësisht do të kemi një rol shume aktiv në zhvillim e tregut rajonal të energjisë.

Ne do të ndjekim politika promovuese për zhvillimin e burimeve të pastra të energjisë, për sa kohë do të disponojmë burime të tilla që mund të shfrytëzohen me dobi në treg.

Ne do të mbështesim dhe me fonde publike projektet e rritjes së eficencës së përdorimit të energjisë dhe zhvillimin e sistemit energjetik të vendit, veçanërisht duke modernizuar sistemin e transmetimit të energjisë, në mënyrë që ai t'i përgjigjet edhe më mirë në të ardhmen nevojave të lidhjeve me rrjetet komplementare fqinje, por edhe të burimeve të ndërtuara nga sektori privat dhe investitorët e huaj për prodhimin e energjisë elektrike në vendin tonë.

Gjithashtu ne nuk e konsiderojmë si përgjegjësi të transferuar me reformën e privatizimit, por do të vazhdojmë të punojmë se bashku me Operatorin e Shpërndarjes në vend, në mënyrë të tillë që frytet e zhvillimit të sektorit energjetik të vendit të gëzojnë më së miri, në radhë të pare, konsumatorët shqiptarë. Sfidat për përmbushjen e këtyre ambicieve janë të mëdha po aq sa edhe vlera e tyre. Jemi të vetëdijshëm që ndonëse Shqipëria zotëron burime ujore krahasimisht më shumë se vendet e tjera në rajon ne jemi në garë të hapur për tërheqjen e investimeve të huaja në energjetikë dhe është cilësia e të gjithë ambientit ku kryhen këto investime ajo që do të përcaktojë, në radhë të parë, edhe fluksin e lëvizjes së tyre dhe shpejtësinë e realizimit. Ndaj do të vazhdojmë edhe më tej reformën institucionale për lehtësimin e procedurave për realizimin e investimeve energjetike. Nga ana tjetër jemi të gjithë të bindur se e vetmja rrugë për modernizimin e sistemit energjetik të vendit është investimi i vazhdueshëm në të dhe se rritja e këtij synimi, sikurse e çdo investimi, përmban në vetvete edhe kosto që ne jemi të përgatitur për ta përballuar.

Padyshim që këto ndryshime rrënjësore në një sektor të tillë të rëndësishëm, strategjik e delikat, siç është ai i energjisë nuk mund të realizohen nga një institucion i vetëm. Duke sjellë këtu vullnetin dhe angazhimin e plotë të qeverisë në mbështetje të zhvillimit të mëtejshëm të këtij sektori duhet të theksoj se transformimet e rëndësishme të kryera, por veçanërisht ato që presim të realizojmë të gjithë së bashku, nuk mund as të konceptohen dhe as të realizohen pa funksionimin dinamik të Rregullatorit si garantues i balancës mes pjesëmarrësve në një treg të hapur dhe konkurrues, sikurse është ky i yni.

Ndaj, krahas urimeve për këtë përvjetor të 15-të që tregon se, në fund të fundit, ky është ende një institucion i ri, por njëkohësisht i pasur me rezultate të rëndësishme. Ndaj duke falënderuar Entin Rregullator të Energjisë për rolin që ka luajtur dhe vazhdon të luaj me përgjegjësi si një institucion i pavarur. Dua ta siguroj njëkohësisht për partneritetin e qeverisë shqiptare në përmbushjen së bashku të atyre objektivave që ka vendi ynë për zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm, dhe për integrimin e tij të plotë jo vetëm në sistemet rajonale, por në të gjithë sistemet evropiane.

*Fjala e Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në 15 vjetorin e krijimit të Entit Rregullator të Energjisë

KOMENTE