English

Topalli dhe Cana, ambasadorë të parë të UNICEF për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri

Tiranë, 9 tetor, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe futbollisti i njohur i kombëtares, Lorik Cana u shpallën sot ambasadorë të parë të UNICEF-it për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri.

Të dy figurat shqiptare, kryeparlamentarja Topalli, e cila është imazh i kësaj reklame publicitare dhe futbollisti kosovar, ndërsa merrnin pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e 1-vjetorit të linjës kombëtare “ALO 116” janë shpallur ambasadorë nga përfaqësuesi diplomatik i zyrës së UNICEF në Shqipëri, Detlef Palm.

Përfaqësuesi i UNICEF, Palm shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e zonjës Jozefina Topalli në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Në fjalën e saj Kryetarja e Kuvendit, tha se ndihej e nderuar për këtë titull, të cilin e konsideronte edhe si një përgjegjësi të madhe.

“Kjo është absolutisht gjëja më e bukur që kam marrë ndonjëherë në jetën time dhe, besoj, edhe detyra më e vështirë. Është një ditëlindje e veçantë sot. Është një festë e veçantë. Por, është edhe një moment në të cilin të gjithë bashkë si jo shpesh: politika, shteti, biznesi, UNICEF, shoqatat për të drejtat e fëmijëve, shoqëria civile, përfaqësuesit më të shkëlqyër të Shqipërisë në botë si futbollisti i shkëlqyer Lorik Cana, të gjithë bashkë me mediat dhe fëmijët jemi mbledhur sot për të festuar datëlindjen, por edhe për të menduar çfarë hapash të tjerë ne duhet të ndërmarrim”, theksoi kryeparlamentarja Topalli.

“Është një përgjegjësi e jashtëzakonshme që ju më jepni, për të bashkëpunuar për ta bërë jetën e këtyre fëmijëve të vegjël më të bukur sesa jeta e prindërve të tyre. Është detyra e çdo shoqërie, detyra e shtetit në përgjithësi dhe politikës. Nuk ka pasuri më të madhe sesa të shohësh fëmijët që jetojnë të lumtur, që janë të qetë, që janë të respektuar dhe që jetojnë me dinjitet. Nuk ka investim më të madh sesa investimi në mirëqenien e fëmijëve të kombit tonë”, tha zonja Topalli në fjalën e saj.

Duke iu referuar ligjeve dhe konventave të miratuara për fëmijët në parlament, kryetarja e Kuvendit theksoi se “Kemi punuar për realizimin e një baze ligjore të rëndësishme, bazale mbi të cilën do të punojnë të gjitha institucionet. Ju premtoj se në kalendarin e ardhshëm të punimeve të Kuvendit, do të jetë projektligji që është punuar. Do të kalojë në komisionet parlamentare dhe në seancë plenare ku padyshim besoj se do të votohet nga të gjithë anëtarët e Kuvendit”, shtoi zonja Topalli.

Duke falenderuar UNICEF-in dhe CRCA-në për këtë projekt të dëgjimit të fëmijëve 24 orë në 24, kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli shprehu mrekullimin e saj që në një vit kjo linjë vetëm për fëmijët Alo 116, ka patur 140.000 telefonata.

“Kjo tregon se fëmijët duan të flasin. Kjo tregon se fëmijët kërkojnë që ne t’u kushtojmë më shumë kohë dhe kjo kërkon që ne të jemi seriozë në përgjigjet dhe dashurinë që ne e kemi detyrë ndaj kombit tonë, ndaj fëmijëve tanë”, përfundoi fjalën e saj ambasadorja e parë e UNICEF-it për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri, Jozefina Topalli.

mit/NOA
KOMENTE