English

Kërcënon të vrasë me pistoletë dy djemtë, arrestohet babai

Prishtinë, 10 tetor, NOA – Një sherr brenda familjes ka rrezikuar të kthehet në një tragjedi. Pas debateve me dy djemtë e tij, babai ka marrë pistoletën dhe ka tentuar që ti vrasë ata.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Matiqan të Prishtinës paraditen e djeshme, raporton korrespodenti i Agjencisë NOA në Kosovë.

Ka qenë ndërhyrja e familjarëve të tjerë që ka sjellë dhe shmangien e tragjedisë. Policia e Kosovës ka shkuar në vendngjarje dhe ka shoqëruar në komisariat babain e dy fëmijëve.

Policia ka sekuestruar në banesën e familjes në fshatin Matiqan një pistoletë tipit “Ekoll” si dhe 6 fishekë dhe një shufër metalike, me të cilën dy djemtë kishin tentuar të mbroheshin.

Policia nuk ka bërë të ditur emrat e personave të përfshirë në këtë incident, ndërsa ka sqaruar se do të ndiqen të gjitha procedurat për hetimin dhe ndëshkimin e tyre.

a.k/NOA

KOMENTE