English

Shqipëri-Çeki, marrëveshje për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve

Tiranë, 11 tetor, NOA – Shqipëria dhe Çekia kanë nënshkruar tri ditë më parë në kryeqytetin e Çekisë, Pragë, protokollin për amendimin e Marrëveshjes mbi Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve, një protokoll i nënshkruar mes dy vendeve në 27 qershor të vitit 1994, po në kryeqytetit çek.

Për palën shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, ndërsa për palën çeke protokolli u nënshkrua nga zëvendësministri çek i Financës, Adislav Mincic.

Në këtë takim sipas zyrës së shtypit të METE-s, është diskutuar mbi zhvillimet ekonomike dhe klimën e biznesit në Shqipëri.

Bozdo theksoi gjatë takimeve se gjatë vitit 2009 ekonomia shqiptare është bazuar në iniciativën e lirë, pasi më shumë se 80 përqind e prodhimit të brendshëm bruto vjen nga kontributi i sektorit privat.

Zv.ministri i METE-s është ndalur edhe në investimet e huaja në vendin tonë.

“Nxitja e investimeve është një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare, si faktor nxitës për rritjen ekonomike të vendit. Prandaj ajo ka krijuar një kuadër ligjor, i cili lehtëson investimet dhe mbron investitorët. Ky kuadër ligjor përfshin mbrojtjen e të drejtave të pronësisë, duke përfshirë pronësinë intelektuale dhe ligjin për privatizimet, i cili siguron një transferim efikas të aseteve nga pronësia shtetërore në sektorin privat”, mësohet të jetë shprehur zëvendësministri i Ekonomisë.

Gjatë vizitës së delegacionit shqiptar në Çeki u nënshkrua edhe Protokolli i Sesionit të Dytë i Grupit të Përbashkët të Punës ndërmjet Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë së Çekisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Me anë të këtij Protokolli palët shprehin vullnetin e përbashkët për bashkëpunim dhe thellim të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare.

mit/NOA
KOMENTE