English

“Vdekja e mbretëreshës”, premiera e re në Metropol

Tiranë, 11 tetor, NOA - Shfaqja e parë e kalendarit artistik 2010 në Teatrin e Metropolit do të jetë monodrama “Vdekja e mbretëreshës” shkruar nga Rexhep Qosja.

Regjia skenike nga Inis Gjoni, në interpretimin e aktores Eni Jani.

Një vepër kombëtare, e cila do të sjellë në Metropol një autor dhe një personalitet të padiskutueshëm të kulturës shqiptare.

“Vdekja e një mbretëreshe” e Rexhep Qosjes çmitizon figurën e mbretëreshës ilire, Teuta.

Para se të dorëzojë fronin, një mbretëreshe i kujtohet gjithë koha e sundimit të saj.

Tani ndihet e zhgënjyer, e tradhtuar nga vartësit e saj, servilët, lapangjozët, ata, që deri dje e duartrokisnin dhe sot po e fundosin.

Në krijimin e kësaj vepre, Rexhep Qosja i është referuar figurës së mbretëreshës Teuta, që sundoi për tre vjet Ilirinë pas mbretërimit të të shoqit, Agron.

“Vdekja e një mbretëreshe’ është drama e personalitetit të një gruaje, të një nëne.

Ajo është e vërtetë në rrëfimin e saj, e sinqertë para vetes, para burrit, të birit.

Autori e zhvesh nga miti, miti që krijojnë të tjerët.

“Qosja ka bërë një zbërthim të mrekullueshëm të psikologjisë së njeriut”- me këto fjalë është shprehur shtypi dhe media kosovare për këtë monodramë.

Shfaqja do të vendoset në skenën e Teatrit të Metropolit, në mesin e muajit tetor.

m.s/mit/NOA
KOMENTE